Albin Kurti së shpejti mund të ‘mbetet’ pa Vjosa Osmanin

Albin Kurti së shpejti mund të ‘mbetet’ pa Vjosa Osmanin

Nga Syri.net Kosova - 18/03/2021

 

Vjosa Osmani kurrë nuk ka qenë më afër realizimit të ëndrrës së saj presidenciale. Mbi 300 mijë vota, nuk mund t’i kontestojë as opozita, as ish-bashkëpartiakët e saj të dikurshëm. Edhe pse votat e këtyre të fundit mund të jenë kundër, së paku pritet që mjaftueshëm ta bëjnë kuorumin kushtetues.

Por, si presidente, sipërmarrja partiake e partneres së Albin Kurtit në zgjedhjet që lamë pas, merr fund për një periudhë pesë vjeçare. Grupi i saj parlamentar prej shtatë deputetësh, është në rrezik të shuarjes për shkak të ambicieve për pozita nga kandidatët e zgjedhur deputetë, vendin e të cilëve e zënë njerëzit e Vetëvendosjes.

Lista ‘Guxo’ hyri vrullshëm në Kuvend, duke improvizuar në një fushatë të shpejtë në gjirin e VV-së. Por, kush do t’i udhëheqë deputetët e Vjosa Osmanit, kur kjo të ulet në karrigen e presidentes së Republikës?

Me Kushtetutë, e ka të ndaluar që të jetë edhe lidere partie. Me Kurtin, Osmani do të jetë një partnere e fortë institucionale, por në rrafshin partiak, lideri i VV-së, nuk mund të llogarisë më, pasi të konstituohen institucionet.

Me arritjen e presidencës, mund të marrë fund edhe nisma e re politike e presidentes në detyrë aktualisht. Përveç nëse themelohet subjekti i ri politik dhe zgjedhet një drejtues ose drejtuese. Në mesin e pak emrave, vajza e Jusuf Gërvallës që flitet se do të jetë ministre e jashtme, duket një kandidate serioze.

Megjithatë, kjo mbetet të shihet nëse zgjedhja e presidentit shkon sipas parashikimeve.

Zgjedhja më e mirë, do të ishte që Osmani të mbetej kryetare parlamenti apo edhe zëvëndëskryeministre dhe ministre e punëve ta jashtme dhe ta fuqizonte partinë e saj, por duket se ambicia personale e u.d. të presidentes, tejkalon planet për një subjekt të ri me perspektivë.

Ka një mospërputhje mes parimeve, premtimeve e synimeve të Listës ‘Guxo’ dhe qëllimit për pozitën kryesore të shtetit. Nëse do të luftosh korrupsionin, ta zhvillosh ekonominë, ta forcosh sundimin e rendit dhe të ligjit, në pozitën e presidentes, nuk mund të bësh ndonjë gjë të madhe. Në fakt, as gjëra të vogla nuk mundesh.

Kosova është Republikë parlamentare, ku fuqinë kryesore ekzekutive e ka kryeministri, ndërsa presidenti luan një rol unifikues mbi palët, me disa kompetenca më tepër ceremoniale dhe përfaqësuese, por jo më shumë.

Për Albin Kurtin, është me rëndësi ta ketë një partner si Vjosa, por gjithashtu është e rëndësishme që fuqia e saj politike, të mos rritet dhe aq shumë.

Duke qenë partnerë të mirë, nuk e kanë harruar se janë edhe konkurrentë në të njëjtin treg politik. Për sa kohë u përputhen interesat, bashkëpunimi mes tyre do të jetë i qëndrueshëm. Në momentin që Osmani bëhet presidente, mund të shfaqen dallimet.

Kurti si kryeministër, mbetet një lider i fortë në krye të Vetëvendosjes, ndërsa Osmani si figurë e përfaqësimit të unitetit të popullit, shkëputet nga politikbërja ditore. Të paktën përkohësisht.

Si presidente, nuk mund të mbajë në mënyrë subjektive anën e Kurtit. Kjo do ta shndërronte në një objektiv sulmesh nga opozita, që mezi presin të godasin dyshen e suksesshme në zgjedhjet e 14 marsit.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco