Kur liderët politikë të Prishtinës e Tiranës flasin për media 'të huaja'

Kur liderët politikë të Prishtinës e Tiranës flasin për media 'të huaja'

Nga Enver Robelli - 17/03/2021

Bota është e verbër, andaj kur liderët politikë të Prishtinës dhe Tiranës flasin për media «të huaja» (sidomos për BBC), kurrsesi nuk duhet ta përmendin problemin e krimit dhe korrupsionit. Sepse nëse nuk e përmendin, ai problem nuk ekziston dhe gazetarët e «huaj» janë naivë dhe nuk u shkon mendja të pyesin. Sa lehtë qenka zgjidhja e këtij problemi, që përmendet, natyrisht, në çdo raport të BE-së, të Departamentit të Shtetit, të organizatave prestigjioze si Transparency International. Bota është pak më e ndërlikuar se ç'mund të shihet nga «patriotet dhe patriotët e estradës politike». 

Për shembull: kur vjen kryeministri i Shqipërisë për vizitë në Zvicër, gazetarët e pyesin për një shef policie nga Fieri që kërkon dhe fiton azil në Zvicër ngase ndihet i kërcënuar nga qeveria për shkak se ka denoncuar figura të larta të qeverisë për përzierje në tregtinë me drogë. Cila është zgjidhja? Më së miri do të kishte qenë që mediat shqiptare të mos ishin marrë fare me këtë problem, kështu nuk do të kuptonte gjë as shtypi perëndimor dhe kështu (po, pra!) s'do të merrte kush vesh për këtë skandal. Shembulli tjetër: kur një i ashtuquajtur diplomat i Kosovës nuk e paguan qiranë në një vend perëndimor dhe kur qiradhënësi kyçet në një emision televiziv dhe e denoncon diplomatin dhe kështu edhe shtetin e Kosovës, zgjidhja më e mirë do të ishte që me dekret «patriotik» nga Prishtina të mbyllej televizioni përkatës në Francë. E nëse s'arrin Kosova ta mbyllë shejtan-televizionin në Francë, së paku politikanët nuk duhet të flasin për probleme edhe të kësaj natyre.

Shembuj të tjerë: kur nga shpërthimi në Gërdec u dridh gjysma e Shqipërisë, opozita e atëhershme dhe lideri i saj Edi Rama është dashur të heshtin dhe të mos flasin për disa dreq media të huaja si Reuters etj. A kanë qenë deklaratat e tyre «antipatriotike»? A është pariotike të heshtësh për një kancer që po gërryen shoqërinë qe disa dekada? As opozita e sotme shqiptare (e Tiranës) nuk duhet të flasë për «këta të huajt» kur dyshon se qeveria aktuale është e përzier në afera korruptive. Ose: kur një gjykatë federale në Brooklyn dënon një shqiptar me prejardhje nga Kosova me 9 vjet heqje lirie në lidhje me rolin e tij në një skemë pastrimi parash, që çoi në blerjen dhe shitjen nga ana e të pandehurit të një rakete anti-tank dhe pushkëve automatike AK-47 në Kosovë, atëherë për këtë çështje s'duhet të flitet, sidomos nuk duhet të flitet për shkak se i dënuari ka qenë shofer i Konsullatës së Kosovës në New York. 

Problemet zgjidhen duke i heshtur. Dhe është «antipatriotike» të flasësh kundër korrupsionit dhe krimit. Kështu mund të shikohet bota - nga një univers paralel. Dhe me syze të turbullta «patriotike». Rrjedhimisht, Sllovakia është shembull i keq. Atje politikanët kanë dhënë dorëheqje pas vrasjes së një gazetari dhe mediat e poshtra të Bratisllavës kanë raportuar dhe kështu ka marrë vesh edhe «shtypi i huaj armiqësor». Në Kosovë e Shqipëri të dyshuarit për vrasje marrin vota dhe sundojnë. Dhe u gëzohen duartrokitjeve të argateve dhe argatëve me e pa pagesë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco