Dy fjalë me LDK-në dhe ‘opozitën’

Dy fjalë me LDK-në dhe ‘opozitën’

Nga Liri Loshi - 15/03/2021

 

“Jemi më të mirët!”

“Jemi shkollë e demokracisë!”l

“Jemi akademi për partitë tjera politike.”

Por a jeni forcë serioze politike? A jeni forcë reale? Jo nuk jeni. Prandaj, merrni këmbët tash! Forcohuni! Ju keni nevojë për ndihmë më shumë se gjithkush tjetër! Tregohuni modest! Mos u shtirni sikur keni fuqi, sepse nuk keni. Mos genjeni se jeni më të mirët, sepse nuk jeni. Jeni në fund të pusit.

Të gjitha partitë politike janë ngritur nga zeroja dhe qendrojnë më mirë se ju. Ju e keni marrë kalanë e gatshme, të cilën e ndërtuan me shumë mund intelektualët e kohës në krye me Ibrahim Rugovën dhe jo vetëm ata, por e ndërtuam ne të gjithë, populli i Kosovës. E keni marrë kala dhe e keni kthyer në kasollë, në çadër cergarësh. Dhe, prapë thoni se jeni shkollë e demokracisë. Dhe, prapë thoni se jeni akademi!?

Po çfarë akademie more? Po ju edhe atë Akademi të dobët që e kishim, në vend se ta ngritnit dhe ta forconit, e degraduat dhe e shkatërruat, e bëtë të paqenë me intervenimet e juaja politike për dy dekada rresht. Ashtu sikur e degraduat Universitetin e Prishtinës dhe universitetet tjera publike në një bashkëpunim të ngushtë me PDK-në, klanin Pronto. Një asi bashkëpunimi që dinë ta bëjnë vetëm grupet mafioze kriminale. Është e turpshme se si keni futur aty kuadra që nuk dinë ta shkruajnë emrin e vet pa gabime për të prodhuar profile të dijes! Po, po këtë e keni bërë vetë ju LDK-ja me PDK-në dhe AAK-në bashkë. Kend s’e zë qeveria e parlamenti, hedheni në Universitet, në Akademi, në ndërmarrje publike. Dhe, keni shkatërruar ato njē nga një.

Dhe tash, ju dhe PDK-ja fjalët e para në grykë i keni se si do të hakmerreni kundër Vetëvendosjes! Po si mund të hakmerreni ju kur Vetëvendosja është produkt i hakmarrjes së popullit kundër jush?! A erdhi Vetëvendosje në pushtet pa bërë asnjë ditë fushatë, pos një defilimi rutinor në popull, sa për t’i falenderuar ata për vendimin që kishin marrë, vendim ky që solli fitoren e madhe të saj e juve, të gjithëve bashkë, ju dërgoi në bisht të sorrës. Tash pra, pushtetin mundeni veç në ëndërr ta shihni, në ëndrrën që zgjatë sa të qindëtat e sekondit!

Zbritni nga kali dhe ecni këmbë. A s’e shihni se ati ku ju i keni kacavjerr këmbët po jep dihamat e fundit, po ngordh. Zbritni në tokë dhe ecni nëpër tokë. Mësohuni të silleni si qenie tokësore të gjithë ju “akademikë” e “komandantë” që bëni bashkë dy anë të kundërta të një mbetje të rrumbullakët në mes të rrugës. Mësohuni ta ulni kokën dhe të mbeteni me turpin që e keni për tërë jetën.

Populli do ta ngrisë pushtetin e ri edhe pa “komandantë” dhe “akademikë”. Në thonjëza pra, në thonjëza, sepse ky popull e di se që 21 vite s’ka pasur kurrë komandantë dhe s’ka pasur kurrë akademikë. Ka pasur vetëm zhvatës të pa shkollë dhe zhvatës me shkollë. Prandaj ka vendosur që zhvatësve të ju tregojë vendin. Në fakt, vendi për zhvatës nuk është në parlament, por është nē burg, ku ju qysh tash duhet të bëheni gati të shkoni. Ju duhet ta keni karrikën që vërtet e meritoni. Jo të gjithë, kuptohet, por ju që e meritoni. Shpresojmë se në shtetin ligjor të Vetëvendosjes e që do të jetë shtet i popullit, të merrni krejt çka keni merituar për “punën” e juaj njëzet vjeçare. As më shumë, as më pak, por vetëm atë që ua ndan drejtësia - shteti ligjor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco