Në dorë të zotit, Kosova në kohë pandemie

Në dorë të zotit, Kosova në kohë pandemie

Nga Syri.net Kosova - 15/03/2021

Me më pak se dy milionë banorë, Kosova krahasohet me një lagje të ndonjë qyteti të madh diku në botë. Një vit pas shpërthimit të pandemisë, kur rastet e infektimit, por edhe të vdekjeve, kanë filluar të rriten pas zgjedhjeve, jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka parë me sy vaksinën.

Ndoshta ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ka parë, sepse ai me sy edhe i zbulonte rastet e infektuara me koronavirus. Menaxhimi i situatës, është për keqardhje, ndërsa “suksesin” më të madh e ka arritur policia e shtetit, duke dënuar dhjetëra mijëra kosovarë për moszbatim ta masave anti-covid.

Disa vaksina tashmë janë të certifikuara e të licencuara për përdorim, që nga perëndimi në lindje, si dhe janë shpërndarë në vende të ndryshme, ku po vaksinohet popullata.

Qeveria jonë si duket ende është në pritje të kontingjenteve falas, të cilat parashikohet se do të mbërrijnë në pranverë, por ndoshta deri në vjeshtë apo më vonë, nuk do vijnë fare.

Qeveritë e përgjegjshme, me kohë i kanë bërë kontratat respektive për sigurimin e së paku sasive emergjente të dozave të vaksinave, për kategoritë më në rrezik dhe për stafin shëndetësor, që është në frontin e përballjes me virusin. Është skandaloze paaftësia për të siguruar një sasi vaksinash, në kohën kur disa prodhues kanë hedhur në tregjet farmaceutike miliona doza.

Edhe më skandaloze është mburrja qeveritare me gjoja suksesin që paskan treguar në menaxhimin e pandemisë. Në fakt, suksesi më i madh është forca imunitare e njerëzve në Kosovë, sepse sa për shëndetësinë publike dhe administrimin shtetëror, pasojat mund të ishin edhe më të rënda.

Që nga testet e deri te terapitë e shtrenjta, pacientët është dashur t’i përballojnë vetë. Me siguri, qindra miliona euro kanë përfunduar në xhepat e bizneseve të shëndetësisë, spitaleve e laboratorëve private, tregtarëve të barnave e natyrisht edhe zyrtarëve e politikanëve që kanë aksionet e tyre në to. E tëra kjo për shkak të një sistemi të keqadministruar dhe një qeverie që thuajse nuk bëri asgjë për t’ua lehtësuar popullatës përballjen me pandeminë.

Me një angazhim dhe seriozitet më të lartë, sot kategoritë më në rrezik do të ishin të vaksinuara e jashtë rrezikut nga infektimi. Ndërkohë, një pjesë e madhe, mbi gjysmë milioni sipas ekspertëve llogaritet se e kanë kaluar virusin me apo pa simptoma, duke fituar kështu imunitet.

Dështimi me pandeminë, i faturohet qeverisë në shkuarje Hoti dhe është një shembull nga i cili duhet nxjerrë mësim në të ardhmen. Nuk vendoset në krye të shëndetësisë një jurist që nuk ka lidhje me këtë sektor. Në javët e para Zemaj shpesh fliste si ministër i Drejtësisë, sepse ende nuk e kish kuptuar që po e drejtonte MSH-në.

I mbetet tash qeverisë në ardhje, të mobilizohet për të vaksinuar popullatën. Buxheti aty është, nuk ka munguar as vjet. Por, kapacitetet njerëzore për fat të keq, po.

 Në pritje të vaksinave, kosovarët mbesin të pambrojtur në fushëbetejen e hapur me virusin që po merr çdo ditë jetë njerëzish.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco