Një vit me COVID-19, rrezikohemi nga vala e tretë, vaksina askund!

Një vit me COVID-19, rrezikohemi nga vala e tretë, vaksina askund!

Nga Astrit Veliqi - 14/03/2021

U mbushën plot një vit, që kur është lajmëruar në vendin tonë rasti i parë i njohur si rasti zero me koronavirus.

Ankth, panik, por edhe mistere të shumta e kishin pllakosur çdo qytetar pikërisht një vit me parë.

Gjithçka dukej si në filma triler, se diçka e keqe po na priste, një virus vdekjeprurës kishte arritur edhe në Kosovën e vogël i cili thuhej se origjinën e kishte nga Kina.

Pamje që të fusnin frikën në palcë kishin filluar të shfaqeshin edhe në Prishtinë, ku krerët institucional por edhe ata shëndetësor nuk e kishin as me të voglin informacion se me çka do të përballeshin.

Rasti i parë i njohur si rasti zero, u shfaq në Stubëll të Vitisë, i cili kishte mbërritur nga Italia, një vatër mjaft e prekur nga pandemia globale, që me vonë u quajt si COVID-19.

E derisa kthehemi në retrospektivë, na kujtohen pamjet e trishta të marketeve ku kishin filluar të boshatiseni produktet me elementare për jetë.

E pa mëdyshje ajo që nuk mund të harrohet lehtë ishte mungesa e miellit, e cila brenda 24 orëve u zhduk sa 'çel e mshel' sytë.

Derisa karvani për ta marrë ketë produkt jetik nga veturat e qerret e qytetarëve para mullisëve ta kujtonte kohën e tmerrshme të luftës.

Por nuk kaloi kohë shumë dhe gjithçka u mbyll dhe u karantinua.

Kohën me të madhe e kaluam mbyllur në shtëpi, të izoluar pa lëvizur me orare të caktuara, ku pritja bëhej e mundimshme deri në mbrëmje kur edhe dilte njoftimi nga IKSHPK-ja për shifrat e të infektuarve brenda 24 orëve.

E kjo zgjati bukur shumë, sa që sidomos në Prishtinë liria e lëvizjes u kufizua deri në 90 minuta, ku në disa opinione të mia, unë e quajta si ‘90 minutëshi kovidian’.

Kështu vazhdoi dhe rastet me koronavirus u rritën, derisa numri i viktimave deri sot ka arritur numrin mbi 1700.

E sot pas një viti, derisa shumë vende kanë filluar vaksinimin kundër Covidit, Kosova ende nuk e ka siguruar asnjë vaksinë e cila së paku do ta zbuste gjendjen e rënduar.

Rastet me pandeminë gjithnjë e me shumë po rriten sikur edhe viktimat prej saj, të cilat në heshtje po ikin, e ne po i përcjellim me refrenin e këngës funebre.

Andaj si duket Kosovën do ta pret një valë e re e Covidit, derisa edhe spitalet kanë filluar të stër-ngarkohen me pacientë.

Qeveria e re e cila pritet të formohet së shpejti, si nevojë urgjente do ta ketë sigurimin e vaksinës anti-Covid.

Por asaj që i frikohem është se pas ardhjes në pushtet të qeverisë ‘Kurti’, vendi mund të përballet me një izolim total të dytë, të paktën ketë e ka paralajmëruar vetë kryeministri në ardhje.

Derisa si zgjidhje e gjendjes me Covidin, mbetet vaksina e cila sipas institucioneve gjegjëse pas shumë pritjeve e dështimeve, pritet të vije deri ka fundi i marsit.

Deri atëherë, do të shohim se çka do të ndodhë, por ajo që shihet, Covidi do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë.

Madje ky realitet më nuk po prodhon lajm!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco