Të fala opozitës kosovare ‘proamerikane’ nga Palmeri

Të fala opozitës kosovare ‘proamerikane’ nga Palmeri

Nga Syri.net Kosova - 12/03/2021

Është fat i mirë për Kosovën që “proamerikanët” dolën në opozitë, ndërsa “antiamerikanët” po vijnë në pushtet.

Kësisoj,  nuk ka gjasa që opozita të sillet  në mënyrë anti-amerikane, sidomos në rastin e parë që mund të bëjë bllokadë-zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Porosia që erdhi nga zyrtari amerikan Mattheë Palmer, i cili u kërkoi partive opozitare të marrin pjesë në seancën e votimit të kreut të shtetit, është pranuar në heshtje nga PDK, LDK dhe AAK.

Ftesës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, i janë përgjigjur të gjitha subjektet, duke paralajmëruar kështu konstituimin e shpejtë të institucioneve. Vendimet e Gjykatës Supreme e vulosin tashmë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur një shumicë të konsoliduar për formimin e qeverisë me ndihmën edhe të disa deputetëve përfaqësues të pakicave joserbe. Qeveria Kurti, nuk do të jetë një qeveri e varur dhe e shantazhuar nga Lista serbe që merr direktivat nga Beogradi.

Por, për zgjedhjen e presidentit, pa partitë opozitare, Kurti e Osmani nuk mund ta realizojnë synimin e tyre. Dështimi eventual në sigurimin e kuorumit prej dy të tretave, e çon Kosovën drejt kutive të votimit sërish.

Një rrjedhë e tillë politike mund të ishte edhe më dramatike për humbësit e 14 marsit, që sërish do të shiheshin si bllokues të ndryshimit.

Thirrjet nga SHBA, përmes diplomatit Palmer janë kërkesë direkte e administratës së re të Bidenit ndaj partive kosovare që e rrëzuan vjet Albin Kurtin duke e etiketuar si një “antiamerikan”.

Vota plebishitare e qytetarëve për Vjosa Osmanin, ia ka trasuar asaj rrugën drejt presidencës, një garë e provokuar nga Ramush Haradinaj, gjasat e të cilit duket se janë zero tashmë për të rrëmbyer karrigen e presidentit.

Mbi 300 mijë vota për kandidaten e dëbuar nga LDK-ja, janë kafshatë që s’kapërdihet për liderin e AAK-së.

Opozitës në këto rrethana i mbetet të tregohet konstruktive dhe bashkëpunuese, të luajë rolin e saj e të reformohet sa më shpejt, sepse zgjedhjet lokale janë afër.

Sinjalin e reformës e ka shansin këtë të dielë ta japë e para Lidhja Demokratike, që do ta zgjedhë kryetarin e ri në mesin e disa kandidaturave, nga figurat e konsumuara, te emrat më premtues për rimëkëmbjen e kësaj partie të dërrmuar në zgjedhjet parlamentare.

Kosova nuk e ka luksin të zhytet në një krizë të re, prandaj duhet që sa më shpejt të formohet qeveria dhe të zgjedhet presidenti.

Koronavirusi dhe kriza politike e kanë dërrmuar vendin. Një vit pas fillimit të pandemisë, kosovarët janë të vetmit në Evropë që i shohin vaksinat në TV, ndërsa sipas infektologëve, vala e tretë ka nisur.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco