Misioni i pamundur

Misioni i pamundur

Nga Ramazan Bekteshi - 12/03/2021

Koha e mbajtjes së kuvendit të 10-të të LDK-së më 14 mars, është vendosur me shpejtësi marramendëse dhe pa përgatitjet e nevojshme, ku ka për qëllim riciklimin e atyre që ia sollën partisë disfatat. Pa bërë reforma rrënjësore dhe pa i marr në përgjegjësi shkaktarët dhe vetëm me improvizime, ky mision bëhet i pamundur.

Derisa, në LDK sorollatet Isa, derisa pretedentët për kryetar janë po ata që asnjë vërejtje s'ia bënë Isës kurrë, e as i kërkuan përgjegjësi pas aq shumë humbjesh, pas aq shumë poshtërimesh të partisë, edhe atëherë kur partia abuzonte duke i hequr zvarrë gratë e saja, kur i përjashtonte, i linçonte ato më të guximshmet e saj.

Askush s'e ngriti zërin derisa ‘ania e pavarësisë’, LDK-ja, ishte jashtë kursit të navigimit të saj historik. Tani a është reale që këta kandidatë që pretendojnë kreun e partisë por që njëkohësisht kontribuuan në tkurrjen e saj, të njëjtit protagonistë dështakë të marrin kreun e partisë, pra ky realitet është një mision i dështuar dhe i pamundur.

Oportunizmi, frika, interesi, karriera, vasaliteti, mbeten plagë të pashërueshme te LDK-ja, dhe fatkeqësisht ajo në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk ka asnjë shanse të fitoj ndonjë komunë të vetme, sepse të njëjtit politikanë në zgjedhjet e 14 shkurtit i humbën edhe fshatrat nga vinin liderët e LDK-së, i humbën edhe komunat qe i udhëhiqnin ata.

Fatkeqësia e madhe e LDK-së është sepse edhe ata që ishin jashtë partisë heshtën, por duke shpresuar e lakmuar një pozitë a një mundësi nga Isa, duke mos e kundërshtuar e duke mos kërkuar asnjëherë përgjegjësi edhe atëherë kur tymi dilte nga të katër anët partisë. Por tani, pas humbjes së madhe, kur partia u bë e hendikepuar vetëm 12% e aftë, asaj do ti duhen vite të tëra rehabilitimi, nëse do të rehabilitohet ndonjëherë.

Tani, pas humbjes së LDK-se, burra e gra si ‘sokola’ u çuan me kritika ndaj humbjes fatale. Por çfarë kuptimi n’a paskan këto kritika në minutën e fundit. A s’e kishin këta lider shumë më lehtë të parandalonin sëmundjen se sa t’a shërojnë tani, nga sëmundja progresive mund të jetë edhe fatale, pra, pikërisht e shkaktuar nga ata që sot pretendojnë kreun saj dhe lejuan që gjysma e saj të iki përgjithmonë.

Asnjë nga pretedentët për kryetar të partisë nuk i ka kritikuar veprimet e mbrapshta të kryetarit Mustafa, asnjëri nuk i ka kërkuar falje diasporës për neglizhim e kjo i kushtoi më së shumti LDK-së. Asnjë kandidat nuk përmendi lëshimet dhe përgjegjësitë e Isës, duke filluar nga Fondi i Kosovës 3%, asnjëri në prononcimet e deritashme nuk foli për lëshimet që i kushtojnë Kosovës fort, si Çakorri, Zajednica, askush nuk foli si do të veproj me ndryshe nga Isa, si për gjenocidin, kërkim faljen dhe dëmshpërblimin nga Serbia etj. Askush nuk e tha se LDK-ja nën udhëheqjen e Isës e ka braktis rugovizmin. Fatkeqësisht, kjo tregon se agonia vjetër me fytyra të vjetra mund të vazhdoj.

Në botën e civilizuar, asnjëherë nuk ndodh që atyre që ia shkaktojnë disfatën e madhe partisë, që edhe njëherë t’u jepet timoni në duar, sepse ata mund të shkaktojnë një disfatë edhe më të madhe.

Nga margaritarët e "akademikëve" për shumë kohë do t'ju mungojnë perlat e tyre si: "Me ujin me zjarrin dhe me LDK-në nuk ka lojë" dhe "Qytetari nuk vendos se kush qeveris me vendin", si dhe "Vetëvendosje do të zhduket si parti"(Hoti)

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco