15 vjet më parë  në qelinë e Hagës vdiq Kasapi i Ballkanit

15 vjet më parë në qelinë e Hagës vdiq Kasapi i Ballkanit

Nga Jahja Drançolli - 11/03/2021

Si sot, 15 vjet më parë (më 11 mars 2006), në qelinë e tij në Tribunalin e Hagës vdiq Slobodan Milosheviç ndryshe i njohur edhe si “Kasapi i Ballkanit”!

Νga fjalimi në Gazimestan më 28 qershor 1989, Milosheviç ka udhëhequr agresionin kundër republikave fqinje në mbështetje të programeve për krijimin e një  Serbie të Madhe, dhe së këtejmi kishte shkaktuar shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë të shoqëruar më luftëra dhe mizori masive kundër civilëve në Bosnje e Hercegovinë,  Kroaci dhe Kosovë.

Pas humbjes ushtarake serbe në Kroaci dhe Bosnje, ai mori pjesë në përfundimin e Marrëveshjes së Paqes në Deyton SHBA (nëntor 1995). 

Në vitin 1997, është zgjedhur President i Republikës Federale të Jugosllavisë, vit ky që përkon edhe me daljen publike të UÇK-së si fuqi e rëndësishme për mbrojtjen e popullatës civile  të Kosovës përball krimeve të ushtrisë dhe forcave paramilitare serbe të udhëhequra pikërisht nga ai. 

Përpjekjet e Milosheviçit për të dëbuar shqiptarët e Kosovës sidomos nga viti 1998 provokoi ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999 dhe hyrjen e forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO në Kosovë. 

Në fillim të Prillit 2001, ai u arrestua dhe më 28 qershor 2001 në ditën e Vidovdan-it, dymbëdhjetë vjet pasi fjalimit në Gazimestan u ekstradua në gjykatën e Hagës, para së cilës u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe Kroaci, si dhe gjenocid në Bosnje.

Vdiq në qelinë e tij në Tribunalin e Hagës para përfundimit të gjykimit!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco