150+ ditë pandemie me Qeveri kalimtare

150+ ditë pandemie me Qeveri kalimtare

Nga Agron Demi - 11/03/2021

Njëqind e pesëdhjetë ditë të 365 ditëve të pandemisë Kosova i ka kaluar me Qeveri në detyrë, për të cilat menaxhimi i pandemisë nuk ka qenë detyrë kryesore
Sot bëhet një vit nga masat e para parandaluese kundër koronavirusit. Më 11 mars 2020, Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti mori vendim për mbylljen e shkollave, pezullimin e fluturimeve, kufizimin e orarit për gastronominë, karantinimin e atyre që vijnë nga zonat pandemike e masa të tjera parandaluese. Dy ditë më vonë u shënua edhe rasti i parë me Covid-19 në Kosovë dhe masat e përkohshme u zgjatën për kohë të pacaktuar.

Dy javë pas marrjes së masave të para parandaluese, Kuvendi rrëzoi Qeverinë Kurti, dhe për 69 ditët e ardhshme vendi mbeti me Qeveri në detyrë. Më 3 qershor 2020 Kuvendi zgjodhi Qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin, votimi i së cilës u cilësua si antikushtetues. Më 21 dhjetor 2020 Gjykata Kushtetuese mori aktgjykim sipas të cilit njëri nga deputetët që ka votuar Qeverinë Hoti më 3 qershor nuk ishte dashur të lejohej të ishte pjesë e Kuvendit për shkak të dënimit të formës së prerë nga gjykatat. Nga ajo ditë kanë kaluar 81 ditë që vendi është ende me Qeveri në detyrë.

Duke marrë parasysh ankesat e shumta për procesin zgjedhor të kandidatëve për deputetë dhe partive politike, dhe vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të votave në shumë vendvotime, vështirë të besohet se do të kemi Qeveri të re para muajit prill.

Kësisoj, për 365 ditët e para të pandemisë, 150 prej tyre Kosova i ka kaluar me Qeveri në detyrë. Qeveri kujdestare, të cilat më së paku janë kujdesur për kufizimin e përhapjes së pandemisë apo sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.

Sipas organizatës ndërkombëtare që merret me monitorimin e proceseve zgjedhore, Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë në Zgjedhje (IDEA), 108 shtete dhe territore kanë mbajtur zgjedhje në kohë pandemie, gjersa 76 shtete dhe territore kanë vendosur që të shtyjnë zgjedhjet e rregullta për një periudhë të pacaktuar për shkak të pandemisë.

Por në mesin e krejt këtyre vendeve, vetëm Kosova dhe Bermuda kanë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme apo parakohshme. Me një popullsi prej pak më shumë se 63 mijë banorëve, në Bermuda votuan më pak se 26 mijë persona në zgjedhjet e parakohshme.

Asnjë vend më shumë se Kosova nuk kaloi më shumë ditë me Qeveri në detyrë. Po ashtu, sipas të dhënave të IDEA-së, vetëm në Kosovë Parlamenti rrëzoi një qeveri gjatë kohës së pandemisë. Edhe pse kishte tentativa për të rrëzuar qeveritë në Itali, Slloveni e Tailandë, qeveritë e këtyre vendeve i mbijetuan votës së mosbesimit në parlamentet e tyre.

Qeveritë në detyrë nuk e kishin fare fokusin te pandemia. Në momentin e rrëzimit të Qeverisë Kurti, partia e tij filloi përgatitjet për protesta, një herë duke mbajtur një test proteste në muajin maj e pastaj protestë masive në muajin qershor, duke i shkelur masat kufizuese të cilat vetë Qeveria Kurti i kishte vendosur. Njësoj, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Qeverinë Hoti, Qeveria në detyrë relaksoi masat kufizuese ndaj Covid-19. Ministri i Shëndetësisë në detyrë filloi tubimet publike me votuesit potencialë të tij, në ambiente të mbyllura, duke shkelur masat për të cilat bënte thirrje të respektoheshin.

Edhe sigurimi i vaksinës u përdor për efekt elektoral, duke deklaruar se vaksinat e para do të arrijnë gjatë muajit shkurt. Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka filluar ende me vaksinimin e popullsisë, përderisa Serbia deri më tani është në top-pesë vendet me vaksinim më të madh të popullsisë.

Tani kur po presim formimin e Qeverisë së re, vdekjet nga koronavirusi dhe rastet e konfirmuara kanë shënuar rritje të shumëfishtë. Shkaqet për këtë rritje të rasteve mund të gjenden edhe te fushatat masovike të partive politike me qytetarë.

Qeveritë mund të mos jenë zgjidhje për gjithçka, por Qeveria është e vetmja zgjidhje në kohë të pandemisë. Deri më tani prodhuesit e vaksinave kundër Covid-19 negociojnë vetëm me qeveritë sa i përket shitjes së vaksinave dhe jo me biznese. Procesi i vaksinimit të popullsisë në të gjitha vendet menaxhohet nga institucionet publike. Për atë, është e rëndësishme që sa më parë të krijohen institucionet e reja dhe pandemia, krahas rimëkëmbjes ekonomike, të shndërrohet në prioritetin kryesor të Qeverisë së re.ka një lutje për Albin Kurtin

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco