Ana e errët e zgjedhjeve-Nuk është me rëndësi votimi, por numërimi

Ana e errët e zgjedhjeve-Nuk është me rëndësi votimi, por numërimi

Nga Syri.net Kosova - 10/03/2021

Skandali me manipulimin e votave, ia rrënoi karrierën politike Meliza Haradinajt, ndërsa i dha një goditje të rëndë partisë së saj. Por, nuk është vetëm AAK-ja, vatër e shitblerjes së votave të kandidatëve. Në të gjitha partitë, pa përjashtim, ka plot rrëfime se si manipulohen shifrat nga komisionerët. Shumica e kandidatëve, zakonisht nuk janë ankuar. Është e vështirë të sigurosh prova dhe fakte bindëse.

Grabitja e besimit të qytetarëve, ndodh rregullisht, në çdo palë zgjedhje. Partitë sikur e kanë një marrëveshje karteli në heshtje, që të mos e hapin kutinë e Pandorës. Tek -  tuk, ndonjë kandidat bën përpjekje për ta kthyer rezultatin, megjithatë rrallëherë përmbysen shifrat. Ndonjë zero shtohet aty ku nuk ishte, e dikund ‘firojnë’ votat.

Abuzimet në Qendrën e Numërimit të Votave i ka konfirmuar edhe vetë kryetarja e Komisionit Qëndror Zgjedhor, disa herë. Asgjë nuk është ndërmarrë. Secila parti i ka njerëzit e vet aty dhe jep direktivat përkatëse. Kur do kryetari, bëhesh edhe deputet. Kur nuk e ke mbështetjen e tij, mbetesh jashtë Kuvendit.

Sa herë afrohet gara zgjedhore, para fushatës pyetjet që i shtrohen një kandidati për deputet janë të thjeshta: Sa para do t’i investosh dhe a ke komisionerët e tu në dispozicion? Nganjëherë nuk kryejnë punë as dhjetëra mijëra euro.

Është e qartë se shumica e kandidatëve, as që kanë njohuri për emrat e komisionerëve apo personat që numërojnë votat, përgjegjësit në sistemin e të dhënave, etj.

Si rrjedhojë, në mungesë të transparencës dhe nën hijen e shitblerjeve elektorale, kandidatë pa mbështetje, por me xhepin plot, arrijnë të bëhen deputetë.

Kjo duket si një skemë tipike korruptive politike, që kryesisht nuk mund të funksionojë pa pëlqimin e shefave partiakë, por në raste të caktuara zbatohet edhe në mënyrë individuale. E tillë mund të jetë në shembullin e Meliza Haradinaj-Stubllës që e braktisi edhe subjektin, që ia dha pa kurrfarë merite një ndër pozitat më të lakmueshme për çdo politikan.

Që prej hapjes së listave, pavarësisht pritjeve për një ngritje të cilësisë parlamentare, në fakt ndodhi e kundërta. Legjislaturat, nga zgjedhjet në zgjedhje, dobësoheshin. Gjithfarë kandidatësh ia dilnin të zinin një ulëse. Shumica e tyre, nuk flasin kurrë në seanca, nuk janë aktivë në komisione dhe janë skandal në paraqitjet publike.

Për sa kohë mekanizmat zgjedhorë dhe organet e drejtësisë janë të pafuqishëm për të ndaluar hajninë e votave mes kandidatëve dhe partitë janë indiferente ndaj kësaj zhvatjeje, zgjidhja më e mirë do të ishte mbyllja e listave.

Secili subjekt do të matej mirë, për të renditur figurat më të fuqishme. Edhe përfaqësimi në parlament, do të ndryshonte rrënjësisht.

I mbetet legjislaturës së re të merret me këtë çështje serioze. Deri në mbylljen e kutive të votimit, procesi është shembullor. Më pas nis ‘masakra’ e votave të kandidatëve.

Dikush duhet ta ndalë këtë degradim të votës së lirë që po e cënon demokracinë në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco