Me ua “qitë” lapsin premtimeve të Vetëvendosjes

Me ua “qitë” lapsin premtimeve të Vetëvendosjes

Nga Agron Demi - 25/02/2021

Kostoja vjetore e premtimeve zgjedhore të Vetëvendosjes arrin mbi 400 milionë euro. Kush do të sakrifikohet për financimin e tyre?

Pakkujt i ka interesuar programi i partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Partitë, të cilat deri më tani kanë qeverisur, kanë mundur të dalin me programin më të mirë, por pakkush do t’u besonte zbatuesve të atyre programeve. Në anën tjetër, Vetëvendosje mund të mos dilte fare me program, dhe prapë do të fitonte përqindjen e njëjtë të votave. Qytetarët kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e kaluara: më mirë një parti e re pa program, sesa parti të vjetra me programe të shkruara mirë e që mbesin në letër.

Por, Vetëvendosje doli me program të shkruar dhe mjaft të detajuar. Tani që kanë fituar rreth 50% të votave dhe nuk do të jenë të obliguar që të bëjnë kompromise për programin e tyre, është koha të shikojmë se çfarë u premtua dhe çka mund të presim nga qeveria e re.

Ndikimet nga rritja e pagës minimale

Vetëvendosje ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro. Kosova ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe kjo rritje do ta barazonte Kosovën me Malin e Zi, e cila ka pagën më të lartë. Duke marrë për bazë koston e jetesës, rritja e pagës minimale është veprim i drejtë. Paga minimale vendoset nga Këshilli ekonomiko-social, i cili përveç përfaqësuesve të Qeverisë ka në përbërje edhe bizneset (të cilat kanë kundërshtuar rritjen e pagës) dhe sindikatat (të cilat kanë kërkuar rritjen e pagës minimale në 350 euro). Por, nëse nuk ndryshohen ligjet e skemave sociale, paga minimale do të ketë ndikim edhe në rritjen e subvencioneve. Një ndër skemat sociale, e cila ndërlidhet me pagën minimale, është edhe ajo për veteranët e luftës.

Të dhënat e fundit të ASK-së tregojnë se 38.156 veteranë të luftës marrin pensione. Buxheti vjetor për pensionet e veteranëve aktualisht është 77 milionë euro. Rritja e pagës minimale do t’i rrisë pagesat për këtë kategori në mbi 114 milionë euro, apo 37 milionë euro më shumë. Kjo do të ishte e barasvlershme me 1.7% të BPV-së së Kosovës. Me insistim të Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte bërë ndryshimi i Ligjit për veteranët e luftës, ku pas kategorizimit përfundimtar të veteranëve, shuma e përgjithshme e pensioneve të veteranëve nuk duhet të tejkalojë 0.7% të GDP-së. Vetëvendosje nuk ka treguar nëse do ta përfundojë kategorizimin e veteranëve, me ç’rast do të hynin në fuqi ndryshimet ligjore, ku pensionet e veteranëve nuk do të mund të kalonin 46 milionë euro. Në këtë rast, do të duhej që të ulej pensioni për veteranët ose të largohen nga listat veteranët e rremë.

Pagesat për nënat dhe fëmijët

Premtim tjetër i Vetëvendosjes është edhe pagesa për të gjithë fëmijët nën moshën 16-vjeçare, ku për fëmijët nën moshën 3-vjeçare do të jepen nga 20 euro në muaj, kurse për fëmijët nga 3 deri 16 vjeç do të jepen nga 10 euro në muaj.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, në Kosovë janë 91.244 fëmijë nën moshën 3-vjeçare dhe 466.043 mbi moshën trevjeçare. Në total, pagesat prej 20 eurosh dhe 10 eurosh në muaj për të gjithë këta fëmijë do të kapin shifrën e 77.8 milionë eurove në vit.

Premtim tjetër është edhe pagesa prej 250 eurosh për gjashtë muaj për të gjitha gratë që lindin dhe nuk janë në marrëdhënie pune. Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2019, në Kosovë ishin regjistruar 21.191 lindje. Gratë përbëjnë vetëm 24% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në Kosovë. Sipas kësaj, përafërsisht nevojiten rreth 24 milionë euro në vit për përmbushjen e këtij premtimi zgjedhor.

Premtim tjetër është edhe shpërndarja e shujtave falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Arsimit, janë 127.926 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Komunës së Prishtinës shujta falas për një fëmijë i kushton 12 euro në muaj. Në bazë të kësaj, nevojiten 13.8 milionë euro për realizimin e premtimit për shujta falas për të gjithë fëmijët në të gjitha komunat.

Vetëvendosje ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve. Kosova ka shkallën më të ulët në Evropë të pjesëmarrjes së fëmijëve në institucionet parashkollore. Andaj, rritja e numrit të çerdheve është e domosdoshme. Nëse bazohemi në koston mesatare për ndërtimin e një çerdheje të buxhetuar nga komunat me buxhetin e vitit 2021, atëherë ndërtimi i një çerdheje sillet rreth 200 mijë euro. Për ndërtimin e 160 çerdheve nevojiten 32 milionë euro, apo 8 milionë euro në vit të shpërndara në katër vjet të një mandati të plotë qeverisës.

Skema e punësimit të garantuar

Kjo mund të jetë skema më e kushtueshme të cilën e ka premtuar Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore. Vetëvendosje ka premtuar punësim të garantuar për të rinjtë e moshës 16 deri 18 vjeç, me vend pune të garantuar nga shteti për një periudhë njëvjeçare. Sipas ASK-së, janë 105.300 persona mes moshës 16 dhe 18 vjeç. Çdo vit moshën 16-vjeçare e arrijnë rreth 35 mijë persona. Kostoja minimale e kësaj skeme mund të shkojë deri në 104 milionë euro në vit.

Vetëvendosje ka përsëritur premtimin e zgjedhjeve të kaluara për krijimin e grantit të katërt për komunat në vlerë prej 600 milionë eurosh për investime kapitale në vit. Ky grant mund të mbulohet nga buxheti i ministrive, të cilat çdo vit investojnë në komuna pa ndonjë kriter të qartë të prioriteteve.

Premtimet e tjera përfshijnë edhe mbulimin e shpenzimeve të mërgatës për kartonin e gjelbër (rreth 4 milionë euro në vit), subvencione në bujqësi rreth 100 milionë euro në vit (apo 50 milionë euro më shumë sesa që ndahen aktualisht), rritje të buxhetit për shëndetësi për 40 milionë euro në vit; banim i përballueshëm me kosto vjetore prej 22 milionë eurosh; 20 milionë euro fondi vjetor për ndërmarrësi; 15 milionë euro në vit për qendrat sportive multifunksionale; pesëfishim i numrit të inspektorëve të punës (rreth 3 milionë euro buxhet shtesë në vit), etj.

Kostoja vjetore e të gjitha këtyre premtimeve të cekura më lart arrin shumën e mbi 404 milionë eurove. Fatkeqësisht, në programin zgjedhor të Vetëvendosjes nuk ka asnjë shpjegim se si do të rritet buxheti i shtetit apo si do të risistemohen ndarjet aktuale buxhetore.

Këto premtime me vlerë prej së paku 404 milionë eurove mund të akomodohen shumë lehtë në rast se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje bën një reformë rrënjësore në skemat sociale, riorganizim të shkollave duke mbyllur shkollat me pak nxënës dhe duke orientuar investimet në parashkollorë apo rritjen e profesionalizmit në shkolla, si dhe duke zvogëluar numrin e të punësuarve në sektorin publik.

Duke marrë parasysh ngadalësimin e rritjes ekonomike, si pasojë e pandemisë, do të jetë e vështirë që të shtrydhen edhe më shumë bizneset dhe punëtorët që të paguajnë më shumë taksa e tatime. Riorientimi i buxhetit aktual kërkon që një kategori e përfituesve të gjertanishëm të mbetet keq. Mbetet të shihet se cilat kategori do të preken me qëllim që të krijohen mundësitë buxhetore për financimin e premtimeve zgjedhore të Vetëvendosjes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco