Vaksinë, Kosova po të pret!

Vaksinë, Kosova po të pret!

Nga Esad Dujaka - 22/02/2021

U tha, nga qarqe zyrtare, shëndetësore, jo shëndetësore, qeveritare, joqeveritare në këtë shtetin tonë që herë është shtet, herë është imitim i shtetit, kur si rrallë kund në botë, po mban zgjedhje asi e kësi, sa kushtojnë kush e ka gajlen, se vaksina do të arrijë në Kosovë shkurt -  në shkurt...

U tha - u bë! Mirëpo, jo jo more or të uruar - ende nuk u bë! Dikush e pat thënë, në pjesën e parë të vitit, po se të cilit vit, nuk u përcaktua! Ky vit, s’ka tjetër, se deri në vitin tjetër do të na shtrinte për toke ky viran virusi, që nuk ishte mahi me te!
Një fjalë tjetër erdhi nga OBSH-ja, do të niset, do t' iu vijë po bota shumë e gjerë, e madhe sa s' bëhet...

Pastaj COVAX-i, ishte më e sinqertë dhe thua se na dha shpresë se në pjesën e dytë të vitit do të vijë edhe në këtë shtet, i vogël, sa një para lagje e Nju Jorkut...

Numri i të infektuarve fatkeqësisht po rritët ditëve të fundit... Si të mos rritet kur shteti ynë, që po mëton të bëhet shtet, ua la duart e lira partive politike, të cilat aq shumë e duan shtetin se shtrëngojnë në fyt e duan t’ia nxënë frymën, edhe më shumë e duan këtë popull, sa deshën të dëshmojnë para tij e para botës- ja si e rrezikojmë ne shëndetin tonë soll për popull, s’ka si na bre...

Bënin gara kush ma ngushtë i ka futur idhëtarët e partisë, besa edhe mitingje që përfundonin qafë për qafe, të përcjella me sharki, surle e tupana...S ka si na, vdesim për këtë vend, që ç ke me te!

Madje, një kryetar i qytetit, doli i pari (par)dje dhe “e zbuloi” para Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, se para Klinikës Infektive po se po, se si “shkaktar i rritjes së numrit qenkan pikërisht tubimet zgjedhore...” Ec e shkelja këtë konstatim kuturu të këtij kryetari qyteti? S’ka kuptim! Edhe, ndoshta pati të drejtë herifi, por nuk e pati vështirë ta gjejë këtë dëshmi, por të kishte folur së pari si po e menaxhon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, rrugët me gropa, me ndriçim të përgjysmuar rrugor, me semaforë asnjëherë të sinkronizuar, me buxhet komunal që asnjë vit nuk shfrytëzohet si duhet...

Ku mbetëm? Aha, te vaksina! A po na vjen vaksina, apo po ia grahim me hudhra si të parët tonë, besa edhe uthulla thanë se nuk e lë covidin të koncentrohet në fyt po e dërgon drejt në lukth, e lukthin e kemi të fortë  - e qet viran virusin si nga katapulti  ashtu të trullosur “jasht, jasht, ik more se na shkoi fytyra...”

Vazhdojmë ta presim vaksinën, jemi mësuar të presim...
Do të rrezikojmë, po ama nuk e marrim se nuk e marrim vaksinën kineze, ani atë ruse hiq se hiq...

Çka?  Po presim ndihmë nga Edvin Kristaq Rama( sipas malësorit Salë)! Po, pse jo! Po more vëllezër jemi.Piktori e mori vet para kamerave, javë më parë, ditën për drekë...Qeshej e nënqeshej si shpëtimtar i kombit...Kosovës "piktori" ia premtoi disa copa vaksina, por na dërgoi ftesë “le të vijnë ca mjekë e ndonjë infermier(e), ejani mundësisht natën - që të mos marr vesh bota se po iu ndihmojmë, e pastaj na dalin fjalë - jo bashkim kombëtar e ruajna Zot..

Vjen nuk vjen vaksina! Hajt, kush po ia qëllon! Kush ia qëllon muajit - i japin dy doza, e kush ia qëllon vitit - një dozë bile-bile edhe kjo tepër, sepse për një viti gojëkëqinjtë ndjellin zi e thonë se ky viran virusi do të pësojë 21 mutacione (pra ndryshon fytyrën e çka tjetër?), si do (jo të gjithë!) liderë më herët që i shkelën premtimet, po nejse e hëngrën fjalën e vet, jo të tonën, kur njeriu ha të veten (fjalën de) - është më pak e dëmshme, më hallall ia bën populli...
Pra, popull i dashur, pranvera po afrohet, moti do të ngrohet, virusi thonë se në shi e në dielli i merren mendët, e kështu pra me vaksinë e pa vaksinë – ky popull është mësuar!

Së pari, Kuvendi, pastaj Qeveria, e pastaj Presidenti se jemi lodhë me U.D, pastaj me ai ose ajo NË DETYRË...S’ka më as  U.D. e as NË DETYRË, a jemi a s’jemi duke shkuar në drejtim të dyerve të Evropës...Ne po e duam, ajo po shtiret se po na do, s’di se nga po na bën behane, jo ligji, jo drejtësia, jo korrupsioni e çka s’po i shkon ndër mend BE-së së dashur...
Pra, sipas të gjitha gjasave para Majit, pra Shëngjergjit të gëzuar, s’ka të ngjarë të marr veten ky shteti ynë që po thuhet se me pandeminë po menaxhon si më i miri vend në Evropë! Të shkon mendja se mu për këtë edhe po na vonojnë vaksinat anticovid! 

Po del, se partitë politike e paskan pasur me sherr - tubimet i mbanin edhe në lokale të vocërra (sa dhomat e fjetjes), që covidi të çmendet e të mos ketë nga t’ia mbajë pos gojë më gojë e hundë më hundë...Kështu e rrisim numrin e të infektuarve, e të ngritemi pak më lartë në listën e të të infektuarve (në 100.000 banorë)... Pse jo? Çka s’kemi ne që nuk i bëjmë miqtë tanë këtu e përtej 
Atlantikut të mëshirohen e të thonë “hajt t’ua dërgojmë disa qindra, e më vonë disa mijëra, mijëra-mijëra doza anticovid, na paguajnë kur të bëjnë me thes - na kthejnë me strajcë”...
Kosovë, jeto me shpresë, sepse shpresa vdes e fundit...!
Vaksinë, ne po të presim! Adresën tonë e di besojmë? Edhe numrin e telefonit hyrës, fillon me 383 etj. etj...

Pra, na jemi pjesë e Evropës gjithqysh...
Na po bëhemi gati këto ditë! Do vishemi me këmisha pa mangë që ta keni më lehtë ta kryeni punën (vaksionimin) me ne e pastaj vazhdoni për ndonjë “Banana Republikë”...
P.S. Krejt në fund, duke e përfunduar këtë letër (pak mahi – në pandemi, se na doli shpirti!), qesha me zë, thua se pak u çlirova, nuk po më dhemb fyti, duket se covid virani u bë nervoz dhe iku doli te fqinji,  i cili kishte dalë pa maskë pasi si më tha “ e kishte humbur durimin dhe besimin duke pritur se po realizohen premtimet se vaksina po vjen, po vjen nesër...”

Na tregoni seriozisht: A është nisur përnjëmend ndonjë frigorifer, asi me -dhjetëra gradë Celsius, në drejtim të Kosovës?Kjo Kosovë e vogël megjithatë, si më sugjeroi miku im,kryeepidemiologu dr.Naser Ramadani, ka vite që Kosova e vocërr ka frigoriferë të tillë, por e keqja që i rrijnë zbrazur, ose-ose që s'po Kosova ende s'ka kaqik me prodhue vet vaksina!Nuk i dihet, ndoshta një ditë ia del edhe kësaj!

Na gjeni shumë kollaj! Na jemi mu në mes të Ballkanit Perëndimor, kufijtë nuk lejuam t’i ndryshojmë...
Këtu na gjeni, s' kemi nga të shkojmë!
100 vjet kemi pritur këtë ditë – të jemi pjesë e Evropës sepse i takojmë këtij civilizimi “dem baba dem”...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco