Nga Kosova e izoluar - Një kartolinë festive për Ditën e Pavarësisë

Nga Kosova e izoluar - Një kartolinë festive për Ditën e Pavarësisë

Nga Astrit Veliqi - 17/02/2021

Sa herë vjen 17 shkurti, ndalemi për një moment dhe mbushemi frymë thellë, rikthehemi në retrospektivë dhe me mendje e shpirt e kujtojmë të kaluarën e cila brumoset nga gjaku dhe gjymtyrët e secilit dëshmor që ka ra ndër shekuj që Kosova ta shoh dritën e lirisë.

Historia e Kosovës, na kujton një rrëfim mitik, e cila mund të krahasohet me ‘Feniksin’ që pasi digjet nga zjarri, ringjallet nga hiri i tij, një krahasim ky që glorifikon sakrificën e popullit tonë ndër shekuj për lirinë.

Por kjo festë e Kosovës martire, nuk do të bëhej realitet pa sakrificën me sublime të atyre që sot janë heronjtë të shenjtë të vendit, nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, e shumë dëshmorë tjerë që u bën emblema e UÇK-së dhe luftës për liri.

Por, duke u përkulur gjithnjë me pietet ndaj të gjithë dëshmorëve dhe veprës së tyre të pavdekshme, sot kur festojmë 13-vjetorin e Pavarësisë, mbushemi me ndjenjën e krenarisë dhe na rreh zemra fort, se jehona e shtetësisë po vazhdon pa u ndalur.

Në rrugën tonë drejt lirisë nuk duhet harruar as miqtë tanë të shtrenjtë sikur janë amerikanët, britanikët, gjermanët, francezët, italianët, e shumë tjerë që me ‘bombat’ e tyre gjunjëzuan Serbinë.

Megjithatë, t’i kthehemi të sotmes duke reflektuar për të ardhmen, ku derisa ndihet tupani e surla në kryeqytetin e Kosovës, që pothuaj i riu e plaku kanë dalë të festojnë, padashje të ngjallet një ndjenjë e zjarrtë patriotizmi përbrenda e cila edhe shpërthen nga emocionet e forta që i përjeton secili qytetar i këtij vendi.

Por edhe kjo ditë kalon si gjithë të tjerat dhe qytetarët i kthehen realitetit të përditshëm, ku sërish do të përballen me mungesën e punës, keqqeverisjen, nepotizmin, korrupsionin, përballjen me Covidin e shumë fenomene tjera që e zbehin në masë të madhe edhe festën shtetërore.

Por në mes të kremtes festive për ditën e Pavarësisë, kosovarët, vetëm tri ditë me herët, pikërisht me 14 shkurt, vendosen me votën e tyre për një qeverisje të re, e cila me entuziazëm kishte filluar të ndërtojë kursin e ndryshimit të madh.

Fitorja plebishitare e VV-së në ditën e ‘Shën Valentinit’ tregoi se megjithatë, kursi qeverisës mund të ndryshojë, sikur edhe ai i vjetri mund të ndëshkohet keq.

Kosova në fund të fundit është e qytetarëve dhe e popullit, prandaj edhe ‘epoka’ e atyre që qeverisën me dorë të hekurt që nga paslufta po shkon drejt perëndimit.

E ky perëndim i tyre po vjen nga një zhgënjim i madh i qytetarëve ngase me politikat e tyre tash e sa kohë kanë mbjell atë që me 14 shkurt e korrën nga ndëshkimi i sovranit.

Tash po presim qeverinë e re, por si e qysh do të duket ende nuk e dimë, megjithatë sfidat për vendin dhe shtetin ende janë të mëdha.

Edhe ketë vit, e kremtja festive u zbeh nga izolimi i vendit, ku Kosova padrejtësisht ka mbetur në një ‘geto’ të zezë në gadishullin e Ballkanit.

Urime Kosovë, me një kartolinë festive për Ditën e Pavarësisë, tash e tutje paq këmbën e mbarë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco