Kronikë e një përmbysjeje të paralajmëruar

Kronikë e një përmbysjeje të paralajmëruar

Nga Syri.net Kosova - 15/02/2021

 

Tri ditë para Festës së Pavarësisë, Kosova e ndryshoi në mënyrë dramatike hartën e saj politike. Në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, votuesi ndëshkoi elitën dydekadëshe në pushtet. Më së rëndi e pësoi partia që me Ibrahim Rugovën dikur korrte sukses të padiskutueshëm në zgjedhje, por me Isa Mustafën ra poshtë. Albin Kurti me ndihmën e njërës nga figurat më të spikatura të LDK-së, Vjosa Osmani, ia doli të bëjë kthesën historike.

Lideri i Vetëvendosjes e lexoi drejtë, rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve të vitit 2019, ku për pak vota doli i pari. Udhëtimi i përbashkët elektoral me ushtruesen e detyrës së Presidentes, nuk mund të rezultonte ndryshe. Strategjia e fushatës, duke iu shmangur ballafaqimeve të sikletshme me mediat, e duke pasur në krah Vjosa Osmanin, më e efektshme nuk mund të ishte. Kandidimi i saj për presidente, i mobilizoi edhe më shumë votuesit.

Lidhja Demokratike, korri atë që mbolli vitin e kaluar, në aventurën më të keqe politike që mund të ketë ndërmarrë një parti. Kreu i LDK-së thotë se do të bëjë ndryshime e do ta analizojë humbjen, por veprimi i parë urgjent është dorëheqja e liderit dhe kryesisë. Humbja nuk erdhi vetëm për faj të Isa Mustafës, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij që e mbështetën e të ‘brezit të ri’ që heshti.

Albin Kurti fitoi si favorit i pakonkurrencë, pa qenë as dy muaj në pushtet. Ajo periudhë e vështirë, kur shpërtheu pandemia dhe kundërshtarët u bënë bashkë për ta rrëzuar, duke përdorur çdo levë të pushtetit, deri te Gjykata Kushtetuese, ishte momenti magjik për Lëvizjen Vetëvendosje.

Zemërimi popullor kurrë më i madh nuk ka qenë. Njerëzit mezi prisnin të binte qeveria Hoti e të dilnin në zgjedhje. Më shumë se votë Albini, është votë ndëshkimi.

Sovrani foli më qartë se kurrë. Partitë e regjimit, vazhdimisht talleshin me votuesit, duke i mbushur me premtime që nuk i mbanin kurrë, duke e zhytur shtetin në korrupsion e klientelizëm, paligjshmëri e zhvatje, duke e përdorur sundimin e ligjit, për ta forcuar sundimin e vet. Viteve të fundit arroganca e pushtetit ishte bërë e padurueshme.

Kosova mbërriti kështu kulminacionin e qeverisjes abuzive. Me rrëzimin e “qeverisë së shpresës”, dëshpërimi popullor mbërriti kulmin, por duhej një “deux ex maschina”. Një ngjarje e papritur, që do e kthente në brazdë Republikën. Kapot e Kosovës përfunduan në Hagë, planet për ndarjen e vendit dështuan, qeveria që rezultoi e paligjshme, ra, zgjedhjet parlamentare u shpallën.

Krejtësisht ndryshe do të kishte rrjedhur situata, nëse LDK-ja nuk e do e përjashtonte Vjosa Osmanin, nëse LDK-ja nuk do e shkarkonte Albin Kurtin në bashkëpunim me Hashim Thaçin.

Por, ja ku jemi sot, një ditë pas votimeve të Shën Valentinit, pasi populli bëri përmbysjen e madhe.

Në pushtet tash e kemi Lëvizjen Vetëvendosje, që u rrit nga rezistenca e rrugës e shesheve, që nuk e ndali aksionin e dhunshëm politik, përveç opozitës paqësore, që nuk u pajtua kurrë me Pakon Ahtisari, por u bë pjesë e institucioneve që bazoheshin mbi të, e mbi të gjitha që drejtohet nga një lider i pakorruptuar dhe pa dyshim, shumë inteligjent.

Vota e së dielës, në pjesën dërrmuese nuk është ideologjike, nuk është majtizëm. Është një shans serioz për ndryshim. Kosova i besoi dyshes Kurti-Osmani administrimin e pushtetit për katër vjetët e ardhshëm.

Një sfidë e fortë, megjithatë është përpara. Qeveria nuk ka pengesa për t’u formuar, por zgjedhja e presidentit mund të komplikohet, nëse nuk ka një mirëkuptim parlamentar edhe nga forcat e tjera politike. Vetëvendosje me pakicat dhe AAK-në, arrin të bëjë kuorumin e dy të tretave për presidentin. Por, Lista Serbe e dirigjuar nga Vuçiqi mund të ketë kushtet e saj, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe. Nëse PDK e LDK tërheqin deputetët nga votimi bashkë me deputetët e pakicës serbe, zgjedhja e presidentit dështon dhe vendi u drejtohet sërish kutive të votimit.

Albin Kurti nuk ka pse të presë certifikimin e zgjedhjeve, por duhet të nisë bisedimet për zgjedhjen e presidentit. Ai është fituesi dhe duhet t’i prijë këtij procesi të zorshëm, nga i cili varet edhe stabiliteti i shtetit.

Kundërshtarët do të donin që Kurti të dështonte dhe Kosova të shkonte në zgjedhje sërish, për t’u thënë votuesve se “ja, a nuk ju thamë se ky nuk e do pushtetin?!”.

Megjithatë, Kosova votoi dhe meriton të qeveriset nga fituesi plebishitar. Ka kohë që nuk kemi pasur një qeveri legjitime në këtë vend, që nuk është i varfër, por pa dyshim, i vjedhur deri në palcë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco