Injoranca dhe padija bashkë

Injoranca dhe padija bashkë

Nga Besnik Pula - 13/02/2021

Të gjithë mund të tallemi me nivelin e debateve televizive të “analistave”, atyre që janë imponuar intenzivisht javët e fundit.

Mirëpo, e vërteta e hidhur është se shfaqjet që na imponohen përpara në televizione e rrjete sociale janë hallkë e vogël, por e dukshme, e zinxhirit të prodhimit të injorancës që fillon që prej testit PISA dhe vazhdon deri në universitet. 

Injoranca dhe padija, bashkë me mungesën bazë të parimeve të logjikës argumentuese (që në shfaqje duket si mungesë e kulturës komunikuese dhe debatuese të protagonistëve medialë) nuk i faturohet vetëm “analistave”, por edhe audiencës që e gjeneron kërkesën për prodhimtari të tillë të bulevardizmit dhe spektaklit pervers mediatik. 

Kjo është shenjë e një sfere publike të gjymtuar e të dhunuar, hapësirë ku në emër të interesit publik u çelet rruga personave që në punën e veprimtarinë e tyre nuk kanë asnjë lidhje me të.

Ku protagonistë medialë, gjoja në emër të mbrojtjes së parimeve demokratike, kontrabandojnë sentimente e formula recidiviste, fashiziode, e urrejtëse. Ku në emër të intelektualizmit dëshmohet zotësi për të manipuluar e tregtuar me koncepte nga më të larmishmet, por jo për t’i njohur e kuptuar ato.

Krejt këto shfaqje janë tregues sipërfaqsor të defekteve shoqërore me rrënjë shumë më të thella. Ato nuk do të zgjidhen vetëm me zgjedhje. Kjo kulturë perverse e debatit publik nuk zhduket brenda natës. Nuk është fjala vetëm për tyxharë të senzacionit e propagandistë që punojnë me pagesë. 

Vetëm duke nisur rikthimin e kujdesit, investimit dhe ripërtërirjes në ARSIM, mund të nisë rimëkëmbja kulturore e vendit që ka një fillim: një pedagogji që ka për bazë jo vetëm mësuarjen e gjërave si faktet, konceptet dhe logjikës.

Mbi këto duhet një pedagogji që e bën të vetëkuptueshme në radhë të parë kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj fjalës publike që i takon secilit si qytetar i një REPUBLIKE, përgjegjësia e secilit ndaj dhënies së fjalës publike dhe në veçanti barrën e madhe që e mbart secili që e gëzon privilegjin e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco