Viti me maskë

Viti me maskë

Nga Syri.net Kosova - 31/12/2020

Kur të kalojë pandemia, ajo që do ta riçmojmë më së shumti, është liria. Liria për të marrë frymë, për të ecur në çdo moment, për të shkuar ku të duam, për të takuar miqtë e familjarët, për të shtrënguar duart me njëri-tjetrin, pa u frikësuar nga virusi.

Ky ndërrim motmotesh është i trishtueshëm, i zymtë si i tërë viti që po lëmë pas. Covidi pllakosi botën, me efekt më të rëndë se një luftë botërore. Sivjet e përjetuam gjëmën që mund të shkaktojë një virus i padukshëm, që përhapet tmerrshëm ngado dhe ndërpret jetët njerëzore.

Për Kosovën, ky vit pandemik, ishte gati rrënues. Me një shëndetësi të dobët, faktori vendimtar në përballjen me koronavirusin, mbetet imuniteti i njerëzve. Megjithatë, shumë e humbën jetën, përfshirë stafin shëndetësor në frontin e luftës me virusin. Lamtumira për ta, qe e pazakontë, për shkak të kufizimeve me të cilat hyjmë në vitin e ri.

Vaksina ka ngjallur shpresën për rikthimin në normalitet deri në fundin e vitit të ardhshëm, edhe pse në vendin tonë, nuk dihet se kur do të vaksinohen shqiptarët. Serbët i morën dozat e para nga Serbia.

 Zhytja e botës në krizën pandemike, nuk e pengoi Kosovën, që të hyjë në aventurat politike të radhës. Vitin e nisëm pa qeveri dhe e mbyllëm pa qeveri. Qeveria e parë e njohur si qeveria e shpresës, mbijetoi pesëdhjetë ditë. Nën dirigjimin e ish-presidentit që e pret vitin e ri në burg, të gjithë u bënë bashkë për ta rrëzuar në pikun e pandemisë, liderin më të votuar në Kosovë.

Historia pastaj, është e stërthënë. Politikanët e shpërdoruan vullnetin e sovranit, e manipuluan demokracinë dhe legalizuan një puç kushtetues.

Republika, megjithatë mbijetoi dhe hyjmë në 2021-shin, me një erë të fortë ndryshimi.

Bosat e Kosovës, përfunduan në Hagë ku do të përballen me aktakuzë të rëndë për rreth njëqind vrasje. Një betejë ligjore ka nisur me drejtësinë ndërkombëtare, për krime që nuk u zbardhën e nuk u trajtuan kurrë nga drejtësia në Kosovë.

Jeta vazhdon, sidoqoftë. Sot je si mbret, nesër t’i vënë prangat!

Specialja ka vulosur kështu kapitullin e përmbylljes së një cikli politik në Kosovë. Protagonistët janë edhe gjahu i Gjykatës.

Edhe pse shtet ende i brishtë, Republika dëshmoi aftësi dhe kapacitet për të tejkaluar situata të tilla të vështira. Pa zhurmë, pa reagime të ashpra, u vazhdua tradita e respektimit të drejtësisë ndërkombëtare. Sikur ta respektonim edhe drejtësinë vendore, ndryshe do të ishte situata tani.

Zhvillimet e këtij viti na bindën, se njerëzve, më tepër se fati i liderëve, u intereson jeta e tyre, puna dhe shëndeti, mirëqënia dhe perspektiva. Mijëra familje u goditën nga efekti ekonomik i pandemisë. Shumë njerëz mbetën pa punë, biznese të tëra falimentuan. Qe dy dekada, vendi pësoi tkurrjen më të madhe ekonomike, që do të marrë vite për t’u rikuperuar.

Kuvendi mezi miratoi para shpërbërjes ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Mbështetja financiare për bizneset dhe kategoritë sociale nuk mungoi, por mbetet e papërfillshme në krahasim me nevojat dhe joproporcionale, në raport me dëmet në sektorët e caktuar.

Lajmi më i mirë i këtij viti pa dyshim është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo legjislaturë, tejkaloi çdo parashikim me dobësitë e saj. Koalicioni u shndërrua në një pakt pazaresh të turpshme pushteti. Sa më tepër zgjaste një qeverisje e tillë, aq më keq për Kosovën.

Vendit i duhet një kthesë e fuqishme politike, lidership i ri në pushtet. Pas një përvojë njëzetvjeçare, ku korrupsioni politik u bë një normalitet institucional, është e domosdoshme, një garniturë e re qeveritare.

Rënia e regjimit të vjetër, do t’i hapur rrugën zhvillimit dhe stabilitetit. Votuesit duket se janë më shumë se kurrë të vetëdijshëm për fuqinë që kanë në duart e tyre. Sondazhet tregojnë për një rënie dramatike të partive në pushtet.

Ky vit i mbrapshtë, e pati edhe një anë të mirë. Politikanët e konsumuar me veprimet e tyre, na bindën përfundimisht se duhet të pensionohen.

Nëse virusi po e çon botën drejt një normaliteti të ri, Kosova gjithashtu po hyn në një fazë të re.

Nuk ka sivjet atmosferë festive, por festa e vërtetë nuk do të vonojë.

Gëzuar 2021!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco