Mos e injoroni Vjosën

Mos e injoroni Vjosën

Nga Syri.net Kosova - 30/12/2020

 

LDK-ja e flaku gruan më të fuqishme të politikës kosovare. Asnjë nuk është në nivelin e saj. Një investim i gjatë i Lidhjes Demokratike, por një gabim i pafalshëm në fund. Kushdo që tallet duke paralajmëruar dështimin e “dezertores”, sigurisht i bën hesapet pa hanxhinë.

Mijëra votuesit që e mbështetën në zgjedhjet e vjetshme me 6 tetor, u bazuan në zotimin e saj se do të qeverisë me duar të pastra në koalicion me Albin Kurtin. Vjosa Osmani nuk arriti dot të qeverisë me Kurtin, por i mbeti besnike premtimit të saj.

Shkëputja e saj e detyrueshme nga LDK-ja, është goditja më e rëndë që merr ky subjekt që prej ndarjes së krahut të Nexhat Dacit. Nëse në rastin e parë, bëhej fjalë për një politikan të cilit po i përfundonte karriera, tash gjërat janë ndryshe.

Osmani nuk do të dilte nga LDK-ja, pa pasur një mbështetje në strukturat e partisë. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike që e mbështesin presidenten në detyrë, e kanë të qartë se të renditesh me Vjosën, do të thotë që të jesh pjesë e pushtetit të nesërm.

Nuk do të befasohemi ditët e javët e ardhshme, kur të shohim se si aktivistë, funksionarë, nëndegë e degë të LDK-së, do t’i bashkohen nismës së Vjosa Osmanit. Te lidershipi i saj, përveç anës parimore, mbi të gjitha e shohin një partneritet afatgjatë në qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Për fatin e keq të Lidhjes Demokratike, në zgjedhjet e shpejta parlamentare, elektorati i saj do të tkurret. Shumë vota, do të shkojnë te lista e Osmanit. Ajo ka arritur të krijojë një identitet të sajin politik dhe në koalicion me Albin Kurtin, përbëjnë dyshen që mund t’i japë fund sundimit të deritashëm politik në Kosovë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, do të marrë vota, sepse elektorati do që ta fuqizojë, në mënyrë që të ketë një ekuilibër politik në qeverinë e re që do ta ketë Kosova.

Disa zyrtarë të lartë të LDK-së, që po e nënçmojnë efektin e Vjosa Osmanit, e bëjnë këtë për t’ia bërë qejfin ndoshta Isa Mustafës, por janë në një rrugë pa krye. Kjo parti e shkelmoi një mundësi të shkëlqyer, që të bëjjë një kthesë të fortë politike në qeverisjen e vendit.

Shansi tani është për ish-kandidaten e tyre për kryeministër. Këto zgjedhje janë kronikë e një procesi të paralajmëruar me rezultat, të cilit mund t’i lëvizin disa shifra, por fituesi paraprakisht dihet.

Siç ndodh rëndom, shumica bëhen me fituesin. Vjosa Osmani e Albin Kurti, do ta kapitalizojnë ndjeshëm fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ky është një shans i rrallë për ndryshim të thellë në politikën kosovare.

Pas kësaj kthese, hapet rruga për dorëheqje në disa parti dhe reforma të domosdoshme.

Ajo që ka rëndësi, në qeverinë e ardhshme, nuk pritet të ketë riciklim partish dhe politikanësh të stërkonsumuar, por emra të rinj që do të sprovohen.

Vjosa Osmani është pjesë e këtij ndryshimi të madh dhe LDK-ja, e humbi shansin që ta ketë logon e saj aty.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco