Se ç’mu kujtua Reiz Malile…

Se ç’mu kujtua Reiz Malile…

Nga Esad Dujaka - 30/12/2020

Nuk di as vet se si por mu kujtua një takim i rastësishëm që në kohët e turbullta për shqiptarët andej e këtej Drinit, e kam pasur me diplomatin e shquar shqiptar z. Reiz MALILE. 

Diku në fillim të viteve të 90-ta, në Vjenë në një banesë të një kosovari ku ishim tubuar ta takojmë këtë njeri të njohur të dheut tonë – diplomat i shquar i karrierës. Foli kush sa foli, por kur foli Reizi, mbretëroi qetësi absolute. Na foli për karrierën e tij të pasur, për takimet me njerëz të njohur të diplomacisë botërore...Por nuk e tha asnjë fjalë pse nuk është më i angazhuar në diplomacinë shqiptare! Ishte optimist se Shqipëria, ani pse vështirë do ta ketë, megjithatë do t’ ia dalë dhe rruga e saj është pro perëndimore.

Krejt çka mund të them: Më erdhi shumë keq që ai nuk është më në krye të diplomacisë shqiptare aso kohe!

Të nesërmen kisha për të intervistuar ministrin e jashtëm të Austrisë z. Alojz Mock, për gazetën “Bujku” ( “Rilindja” e ndaluar), e i cili më priti më mirë , më foli për Kosovën dhe të drejtën e saj për vetëvendosje, dhe tërë kohës mendoja po çfarë dallimi ka ndërmjet austriakut dhe shqiptarit, z. Malile si diplomat dhe gjuhën e tyre diplomatike, veçse njëri është gjerman e tjetri shqiptar...

Pas do viteve kur kam takuar një diplomat të ri shqiptar të Konsulatës së asaj kohe të Shqipërisë së pas Enverit në Beograd, që ishte një djalosh mjaft i këndshëm në bisedë. Kemi pasur takime të herë pas hershme edhe në Prishtinën e atyre viteve të turbullta në një nga kafiteritë e njohura (“Koha” e Ramiz Balës, gazetarit të Radio Prishtinës, lokal ky që ishte shndërruar në vendstrehim të ne intelektualëve kosovarë dhe gazetarëve të Radiotelevizionit Prishtina dhe të gazetës “Rilindja” e të përzënë nga puna). I mirë dukej ai djalosh, dukat si thotë populli por kur kujtoja Malilen disi më shkonte mendja gjithkah madje edhe në pesimizëm dhe atë fjalinë që e mendoja dhe nuk e thosha publikisht: A në këtë gjendje ka rënë diplomacia shqiptare? 

Është temë e posaçme që duhet lënë historisë për ta trajtuar se a është bërë mirë ngas sistemi i asaj kohe në  Shqipëri (i prirë nga z. Berisha) që shkarkoi ose i pensionoi para kohe dimplotëtë më të mirë të karrierës të Tiranës, dhe këtë veç ai e di se pse vperoi kështu, kurse në vend të tyre solli njerëz të rinj, të papërgatitur për këtë lëmi gabim të cilin asnjëherë nuk e pranoi publikisht z.Berisha!

As në Kosovë nuk qëndron puna më mirë, as tash e as më herët. Politika ka futur duart e hundët thellë në politikën e jashtme dhe s është aq kollaj njeriu i ditur, i pjekur, i ngritur të depërtoj e të hyj në diplomaci pa i pasur krihet e fortë!

Në Prishtinë fatkeqësisht s kemi as Fakultet të mirëfilltë të diplomacisë, madje as degë të protokollit por arnohemi si të dimë dhe si të mundemi...
Shqipëria filloi së { importuari kuadro që s’kishin bërë emër e as karrierë në Kosovë, e atje duhet të udhëheqin Shqipërinë e Ismajl Qemalit drejt Evropës, dhe të ulën në karrigen e Nesti Nasës, Muhamet Kapllanit e të tjerëve – diplomatë që ta zbardhnin fytyrën kudo në botë!

Duket se edhe kryeministri aktual i Tiranës po bën eksperimente në këtë fushë të ndjeshme por se druaj që gabimet e këtilla mund t’ i kushtojnë shtrenjtë një vendi të vogël sic është Shqipëria e cila ka detyrë të rëndë dhe obligime të mëdha për të hyrë në familjen e madhe evropiane – BE...

Nuk e di sa ia kam qëlluar, por s’po e zgjas më shumë sepse druaj se nga hidhërimi pastaj do të rrëmbehem dhe do të shkruaj edhe për ato që nuk u thanë deri më sot lidhur me këtë temë për “kuadrot e importuara” në të dyja anët e shqiptarisë-  cilat na janë ato dhe a e meritojnë ato të jenë në detyra aq delikate e me përgjegjësi për të dyja vendet tona që kështu si po veprojnë e kanë të vështirë të hyjnë në Evropën e civilizuar e të moderuar e mbi të gjitha demokratike, fjalë që te ne ballkanasit pa përjashtim ende nuk është kuptuar drejt dhe sa e si duhet!


(Nga libri "DUKE PRITUR DITEN D", 2019)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco