Gent Cakaj, ‘mbinjeriu’ i politikës shqiptare

Gent Cakaj, ‘mbinjeriu’ i politikës shqiptare

Nga Syri.net Kosova - 29/12/2020

Genti u bë ministri i parë nga Kosova në një qeveri të Shqipërisë që mbështeste ndarjen e Kosovës. Edhe pse ai distancohej kur i jepej rasti, angazhimin e kishte gjithnjë sipas urdhrave të bosit të tij, Edi Ramës.

Cakaj i përmend vazhdimisht fillimet e tij politike në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku një i mençur si ai, me siguri do ta kishte të vështirë ta duronte një inteligjent si Albini.

Këtë kuadër të shquar, me diploma e shumë libra të lexuar, e promovoi...kush tjetër...përveç Batonit. Sigurisht, që ai ka luajtur një rol domethënës në afrimin e Cakës me liderin socialist. Duke qenë me zemër i majtë, për Gentin, futja në gjirin e Ramës, ishte fare e natyrshme.

Dikush mund të thotë se Cakaj është një orator i madh, por e vërteta është se ai gjithnjë u shfaq si një fjalaman i fortë. Sa ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk doli as edhe një herë të vetme prej tutelës së shefit të tij, duke mos arritur të krijojë një personalitet të vetin.

Sa u takon sukseseve për të cilat mund të mburret, është e tëra një shaka e pakripë. Shqipëria nuk i filloi negociatat për anëtarësim me BE-në. Lëvizja e lirë në hapësirën shëngen u vu në rrezik nga keqqeverisja, pjesë e së cilës ishte edhe Cakaj. Pozicioni i shqiptarëve u dobësua. Greqia fitoi 12 milje det në kurriz të Shqipërisë. Me Kosovën u luajt paturpësisht dhe ministri i jashtëm nga Kosova, nuk e hapi asnjëherë gojën.

Genti fare mirë mund të bëjë karrierë në botën akademike, por në angazhimin politik mbetet nën hijen e Batonit e Ramës, Thaçit e ndonjë tjetri. Për sa kohë nuk e kupton se elita politike në Kosovë e në Shqipëri po ndryshon thelbësisht dhe të preferuarit e tij, po e mbyllin karrierën, e ka të vështirë të jetë i besueshëm për publikun.

Në terrenin tonë, ka dhjetëra e qindra djem e vajza të zotë, edhe më të aftë se Genti, por që nuk e kanë fatin e tij, sepse as nuk përulen, as nuk servilosen për një copë pushteti.

Njerëzit në qeverisje maten me veprimet që i bëjnë. Gent Cakaj, nuk bëri asgjë fare, përveçse i shërbeu maksimalisht kryeministrit Rama, që e përdori në periudhën më të ndjeshme kur rrezikohej ndarja e Kosovës. Ramës i duhej një i tillë, prandaj e mbajti afër vetes, si një farë alibie mbrojtëse kur të ballafaqohej me rrebeshin e kritikave nga Kosova.

Cakaj, nëse do t’i hyjë politikës, do të veprojë sipas këshillave të Batonit dhe Edit. Gjasat kryesore janë që ai të përfundojë në PDK-në e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Aty e ka vendin në fakt “mbinjeriu” i politikës shqiptare.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco