Enver Hoxhaj, kandidati për kryeministër me 11 mijë vota

Enver Hoxhaj, kandidati për kryeministër me 11 mijë vota

Nga Syri.net Kosova - 24/12/2020

 

PDK tha se e ndoqi traditën kur e kandidoi për kryeministër, ushtruesin e detyrës së kryetarit, Enver Hoxhajn. Në fakt, nuk është edhe aq tradicionale për Partinë Demokratike. Kur kryetar ishte Hashim Thaçi, e kishin bërë kryeministër Bajram Rexhepin në qeverinë e parë të pasluftës.

Me Thaçin, PDK kishte garuar për kryeministër dhe dy herë e kishte bërë, pastaj të tretën nuk arriti dot. Në kohën e lidershipit të Kadri Veselit, ky i fundit edhe pse nisi një parafushatë si kandidati për kryeministër, “siç e thoshte tradita”, një natë para nisjes së fushatës zgjedhore, vendosën ta kandidonin liderin e një partie tjetër, Ramush Haradinajn.

Në zgjedhjet e fundit, Veseli guxoi vetë të kandidonte, por kuptohet, i humbi zgjedhjet.

Por, a është kandidati më i mirë Enver Hoxhaj për PDK-në?

Ai i ka ngjitur me pasion shkallët e karrierës në politikë. Përveç pasionit, ka qenë tepër i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me shefat. A ju kujtohet se çfarë thoshte për Hashim Thaçin, se si të gjithë do të bëheshin shkrumb e hi, por lideri i PDK-së, do të ishte i përjetshëm.

Taktika e Hoxhaj, ishte e suksesshme. Ai u emërua ministër i Arsimit, ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër. Performanca e tij ka qenë e dobët dhe nuk është shquar për ndonjëfarë rezultati të dukshëm. Hoxhaj, me origjinë nga Suhareka, kudo ku punoi, e mbushi me njerëz të anës së tij, pavarësisht se nuk përmbushnin kriteret profesionale.

Në arsim, e shtoi ndikimin politik, ndërsa aferat milionëshe nuk janë zbardhur asnjëherë nga drejtësia. Në diplomaci, i mbushi ambasadat me militantë e kushërinj, duke iu pëmbajtur kështu “traditës’.

Kandidati i PDK-së, u tregua më i zoti se dy intelektualët e tjerë, Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi. Me këtë të fundit, gjithnjë kanë pasur një rivalitet të fortë brenda partisë. Hoxhaj, u bë i preferuari i Thaçit e Veselit, ndërsa Kuçi, dalëngadalë doli nga loja, edhe pse formalisht mbetet në PDK. Ndërsa Arsim Bajrami, e pa situatën dhe u tërhoq nga angazhimi politik.

Kandidati i PDK-së, bën pjesë te politikanët e pasur. Vila e tij në Brezovicë, është goxha e kushtueshme për xhepin e një profesori. Vetëm ato që ka deklaruar në formularët e antikorrupsionit, mjaftojnë për të hetuar origjinën e pasurisë së tij, ashtu si edhe plot të tjerëve që nga pozitat e pushtetit, u pasuruan në mënyrë të dyshimtë.

Mbi të gjitha, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk është as në mesin e pesë më të votuarve  në PDK në zgjedhjet e fundit. Me pak mbi 11 mijë vota, Hoxhaj mund të ketë probleme edhe me elektoratin e partisë së tij.

Është e qartë se gjasat që ai të zgjedhet kryeministër janë minimale, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë një kandidat për president, nëse do të varet nga PDK-ja kjo pozitë.

Hoxhaj është politikan elokuent, me përvojë institucionale, por i mungon karizma e një lideri të fortë dhe origjinaliteti në jetën politike.

Në ofertën e radhës për votuesit, gjithsesi ai mbetet pjesë e politikës së konsumuar, që nuk ka më mbështetje në Kosovë.

PDK është e hendikepuar pa themeluesit dhe liderin e saj, që gjenden në Hagë. Nga ana tjetër, kjo parti, sot ka rënë në nivele të mjerueshme përfaqësimi.

Për një parti të madhe e serioze, është dëshpërim se kush e përfaqëson, si rasti i Blerta Deliut, që nga asgjëja e bënë deputete dhe sot është zëri kyç i Partisë Demokratike, duke mos përfaqësuar kurrfarë arritjeje, vlere dhe dobie për këtë subjekt.

Armën kryesore për të shtuar eventualisht votat, Hoxhaj e ka te një partneritet i mundshëm me Nismën e Fatmir Limajt apo edhe me AKR-në e Pacollit. Me koalicione të tilla, me siguri, vendin e dytë do ta sigurojë, sepse për të parin dihet.

Gara e PDK-së është me LDK-në, pasi Vetëvendosje e ka shtrirë terrenin elektoral dhe duket e pamposhtur në këto zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco