Shkruar në dhjetorin e mjegullt kur lagështia ka përfshirë kryeqytetin

Shkruar në dhjetorin e mjegullt kur lagështia ka përfshirë kryeqytetin

Nga Enver S. Morina - 23/12/2020

Në esenë “Nathaniel Hawthorne” Borges thotë: “... qëllimi me asgjësue të kaluarën-në mënyrë paradoksale,- është një nga provat se e kaluara nuk mund të asgjësohet. E kaluara është e pashkatërrueshme; herët a vonë të gjitha gjërat kthehen, dhe njëra nga gjërat që kthehet është projekti me asgjësue të shkuarën.”

Në 30 vjetorin e themelimit të LDK-së, Lëvizje kjo e përmasave gjithë-Kosovë, sjell një “kolazh” plagjiaturë dromcash të cilat shpëtuan në dhê, nga fillimet e saj në fshatin Gllarevë të Klinës (kam ruajtur e gjithë listën e anëtarëve të parë të regjistruar nëpër lagje, qindra procesverbale te mbledhjeve të Kryesisë së LDK-së për fshatin Gllarevë, të Parlamentit Rinor e pastaj te Forumit Rinor, emrat e 81 kryefamiljarëve që kanë kontribuar në ndihmat për RTP-Programin në Gjuhën Shqipe, etj. etj.). Për disa vite isha kryetar i Forumit Rinor. 

Në këtë përvjetor më mirë kaluan ata që ndërruan pikëpamje a parti? Më mirë se këtyre dy palëve mirëbënë Ata që ndërruan edhe pikëpamjet edhe partitë!
Pa koment të mëtejshëm, por me arsyetimin tekanjoz të rileximit të tregimit “Utopia e një burri të lodhur” e urrej atë kohë të bukur që kalonim, siç nuk më bënë përshtypje ky 30 vjetor i formimin të Lëvizjes demokratike të kohës, duke mos harruar së rilexuari veprën e Ibrahim Rugovës dhe vënë në dyshim punën e Tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës: përgjatë dy dekada te shekullit XXI, si nuk ka, qoftë edhe një studim i vetëm a në grup i këshilltarëve e studionjësve shkencor të këtij Instituti të arrij të tejkaloj vlerat e “formatit” te “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”, vepër e Ibrahim Rugovës, botim 33 viteve më parë?! T’mos flasim për vepra si “Strategjia e kuptimit” (1980), “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (1982) a “Refuzimi estetik” (1987)! 

Kur me 28 nëntor 1993, në ora 12 të mesditës së ftohtë të se dielës, në shkollën në Gllarevë ishin përfshirë qindra vet, shumica anëtar të LDK-së, por edhe patriot të mëvonshëm, përballë dhjetëra policë serbë dhe të mirënjohurit boshnjak Hajdarpashiqit, rrëfimet për tradhtarin dhe heroin, kishin jo vetëm kuptim politik! “P’shtyma” ishte civilizuese. Ndoshta ky ishte fillimi, si epilog që nga LDK të largohem në vitin 1997 me një letër “të mbyllur” që i shkrova kryetarit të atëhershëm I. Rr., të cilën ma riktheu me një përgjigje të gjatë... 

Tre dekada më pas, duke lënë të gjitha dëshmitë e shkruara, i rishoh fotografitë antologjike të themelimit të LDK-së në Prishtinë dhe rilexoj disa analistë, opinionistë e gazetarë që kërkojnë se kush ishte në Beograd për ta regjistruar këtë parti. Analogjitë e pikëtakimeve LDK-LSHK, me një kryetar, në vitin 1989, gjashtë muaj pas përvjetorit të “gjashtëqindët” të Betejës së Kosovës, hamendësimet për facebook tek personazhet komik, ishin të trishta. 
Një nga të arriturat e mëdha e të qëndrueshme mbetët që kryetar i moshuar i kësaj Partie është një ish-anëtar i devotshëm dhe konsekuentë i LKJ-së, por jo i pakompromis sa i përket refuzimit estetik tenderizues të natyrës “ekonomike” moderne “kosovare”...  

Në përvjetorin e 31 te themelimit të një lëvizje e cila sot është ende parti parlamentare. E çuditshme dhe shpërfytyruese për një gjeneratë të tërë?!
Askushi: Oh, ato ditë të lumtura kur Ismet Rraci ma ktheu letrën! Ishte periudha kur Lejdi Diana ngiste makinën në ecje të pamundshme. Megjithëkëtë ajo hyri në histori! 
Dikushi: Oh, ato ditë të bukura kur para Jakup Krasniqit e Hydajet Hysenit jam larguar nga LDK! Ishte koha kur kthimi në demokraci nuk varej nga individët, edhe pse çmimi Sakharov nuk mungonte në trojet dardane. 

Oh, sa në moshë të re (83 vjeçar) vdiq Samuel Beckett-it por i mjaftoj që të mos bëhet anëtar i asnjë akademie për t’u kurorëzuar me Nobel!
Oh, sa i moshuar (58 vjeçar) vdiq shkrimtari Anton Pashku i cili mbeti “vetëm” anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në shkencën e letërsisë nuk ka asgjë të ngatërruar në numrin e viteve, siç rilexohen imazhet në formate reale nga një takim partie e ashtuquajtur “Kuvendi i karrigeve”! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco