Zgjedhje për të forcuar fituesin e ditur

Zgjedhje për të forcuar fituesin e ditur

Nga Syri.net Kosova - 22/12/2020

 

Zgjedhjet ishin të pashmangshme edhe për shkak të ngërçit për presidentin. Gjykata Kushtetuese e vulosi mbajtjen e tyre. Por, pse priti kaq gjatë “gardiani” i Kushtetutës për të nxjerrë një vendim, që mund ta merrte gjatë verës? Pse ia la qeverisë Hoti këta muaj në dispozicion?

Gjykata është mekanizëm juridik, por i ka politikat e veta dhe e ka ndikimin politik si në çdo institucion tjetër. Nën presionin e Hashim Thaçit kur ky i fundit ende ishte president, Gjykata vendosi kundër partisë fituese, duke ia marrë mandatin e kryeministrit, edhe pse Kushtetuta nuk përmend afate në një rast të tillë.

Ndërsa tani, kur erërat politike po dihet se nga po fryjnë, me një vendim unanim, Kushtetuesja e rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit, ku vota e një deputeti të dënuar ishte vendimtare për të bërë shumicën prej 61 vota.

Si ka mundësi që u lejua një deputet i dënuar të votojë? Si ka mundësi që u bë deputet një kandidat i dënuar me burg? Mëkatet kryesore i ka KQZ-ja, e cila drejtohet nga një gjyqtare me përvojë. Valdete Daka duhet të turpërohet që ka lejuar certifikimin e një të dënuari në listën e deputetëve.

Sidoqoftë, me rëndësi një vendim i drejtë sesa një padrejtësi pa fund. Gjykata, në fund, i “çliroi’ të gjithë.

Siç thotë populli ç’të mbjellësh do të korrësh. Kush ia bën gropën tjetrit, bie vetë brenda.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka pasur skenar më të dobishëm për fuqizimin e shpejtë të kësaj partie. Faturën kryesore në zgjedhjet pritet ta paguajë partia e Isa Mustafës. Më pak kosto mund të ketë PDK-ja, edhe pse e hendikepuar pa liderin e saj në Kosovë.

Përmbysja e qeverisë Kurti, e rigrupoi politikën kosovare. Në njërën anë LDK, AAK, Nisma të mbështetura nga “opozita” PDK e në anën tjetër VV-ja dhe Vjosa Osmani. Edhe në zgjedhjet parlamentare, këto blloqe nuk mund të duken ndryshe, pavarësisht se si do të garojnë subjektet, vetëm apo në koalicion.

Njerëzit te kutia e votimit do të votojnë sërish ose për dyshen Albin Kurti-Vjosa Osmani, ose për ta falur votën te Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj apo Behxhet Pacolli. Rezultati mund të jetë dërrmues për kastën e këtyre liderëve.

Problemin kryesor ata e kanë me vetë elektoratin e tyre, që nuk u zë më besë dhe janë të gatshëm të votojnë kundërshtarët, që  mos të keqpërdoret më vullneti i sovranit.

LDK-ja, që kishte shansin të bënte diferencën në një qeveri me VV-në, që po bënte disa punë të mira, e humbi mundësinë dhe luajti keq. Në fakt nuk bëri as lojën e saj, por të Hashim Thaçit. Dhe ja fundi. Thaçi në Hagë, Isa me Agim Veliun si humbës të stazhionuar dhe Vjosa në listë me Albinin.

Kosova ka nevojë për qeverisje legjitime dhe të guximshme, që do të bëjë reforma dhe do ta kthejë besimin në institucione. Ky vend e ka të domosdoshme, llogaridhënien dhe adresimin e përgjegjësisë. Ndryshimi i pritshëm politik, me siguri do t’i këndellë edhe organet e drejtësisë, njerëzit e përgjegjshëm që duhet ta kryejnë punën e tyre. Nuk do të ketë kuptim një qeveri e re me duar të pastra, që lejon zyrtarët e korruptuar të shpëtojnë nga ballafaqimi me drejtësinë.

Zgjedhjet janë zgjidhja e pritshme dhe Kosova ka tashmë një traditë të mirë elektorale. E meta e vetme, do të jetë se fituesi paraprakisht dihet dhe kjo për meritë të partive të vjetra, që mund të përballen me humbjen më të rëndë në këto dy dekada.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco