Si ta lexojmë deklaratën e Ambasadores Kim

Si ta lexojmë deklaratën e Ambasadores Kim

Nga Agim Nesho - 16/12/2020

Para pak ditësh në Shqipëri filluan protestat legjitime të të rinjve shqiptarë për vrasjen e të riut të pafajshëm Rasha nga arma dhe uniforma e shtetit Shqiptar. Pas disa ditë heshtjeje u prononcua edhe komuniteti ndërkombëtar, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Europian, etj që protestat janë legjitime por dhuna duhet ndaluar. Një reagim pozitiv, me një përpjekje për të qenë të baraslarguar nga palët dhe në mbështetje të një parimi të drejtë të mos përdorimit të dhunës.

Deklarata është e drejtë por përdorimi nga një pale i kësaj deklarate për të shuar të drejtën e protestës popullore legjitime duke përdorur deklarimin e ambasadorëve është i gabuar. Interpretime dhe përdorime të deklaratave të tilla janë dukuri të vendeve me një demokraci të brishtë, ku institucionet demokratike nuk funksionojnë dhe shtetarët përpiqen të kapen edhe pas fijes së perit për të shpëtuar pushtetin e tyre personal.

Shqipëria sot është një vend me demokraci hibride, me një regjim të korruptuar alla putinesk që gjithmonë e më shumë po largon shpresën e popullit për një integrim të plotë drejt perëndimit. Këtë realitet po e evidenton në raportet e tij Departamenti i Shtetit, Parlamenti Europian, shtetet e fuqishme të Europës si Gjermania, si dhe institucionet e pavarura ndërkombëtare si Freedom House, Transparency International, organizatat ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe medias, etj.

Në Kongresin Amerikan ish-Sekretarja e Shtetit Albright vuri alarmin që demokracitë e Ballkanit Perëndimor po shkatërrohen nga korrupsioni, ndërsa Strategjia për Zgjerimin e Komisionit Europian e shkurtit 2019 flet për kapje të shtetit, lidhje të politikës me krimin e organizuar, korrupsionin galopant në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetë Ambasadorja Kim është shprehur hapur në luftën kundër korrupsionit dhe personeli i ambasadës është përgatitësi kryesor për raportet mbi ecurinë e demokracisë në Shqipëri, raporte që paraqesin realisht problematikën që sot po shkatërron Shqipërinë demokratike.

Por opinioni publik Shqiptar nuk e shikon përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm si përfaqësuesen e shtetit më të fuqishëm të botës së lirë, por edhe si një arbitër në cështjet e brendshme. Prandaj në shumë raste habiten, nxehen, hutohen edhe nga deklaratat më të thjeshta të Ambasadës Amerikane, të cilat nuk japin qëndrim për ato fenomene që janë shumë të rëndësishme për ecurinë e vendit.

Kështu ai nuk e kupton pse nuk ka prononcime për korrupsionin dhe vjedhjet masive si ai i Unazës së Madhe të Tiranës, ku falsifikohet dhe firma e sekretarit të shtetit të Delaware; ai brengoset kur Shqipëria kthehet në një Kolumbi të Europës për drogë dhe shteti është pjesëmarrës në të dhe nuk reagohet; opinioni publik tërbohet kur arbitrariteti dhe prepotenca e pushtetit arrin deri aty sa prish me dhunë vepra publike si Teatri Kombëtar në mes të natës, e për shumë gjëra të tjera.

Por detyra parësore e cdo Ambasadori është zhvillimi i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ruajtja e stabilitetit të vendit. Problemet e demokracisë dhe mbrojtjes së saj i takojnë popullit Shqiptar dhe vetëm ai vendos se kush do të jenë udhëheqësit e tij dhe cfarë duhet bërë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithmonë me popullin dhe pro regjimeve demokratike. Elementi i vetëm në deklaratë për mos përdorimin e dhunës, nuk është një thirrje për ndalimin e protestave por për përmbajtjen e tyre.

Ne të gjithë pranojmë që demokracia presupozon rregull dhe rregullin e vendosin institucionet e legjitimuara. Në Shqipëri ka kohë që vepron partia-shtet dhe shteti vepron me arrogancën e një kryeministri. Populli e tha verdiktin e tij, që nuk e njeh legjitimitetin e këtij pushteti, në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, duke refuzuar zgjedhjet dhe mos marrë pjesë në votime.

Lind pyetja: A është analizuar ndonjëherë pse protestat janë të dhunshme në Shqipëri? Përgjigja është se të gjithë ne së bashku tolerojmë deri në ekstrem pushtete të palegjitimuara nga populli. Këtë bëjmë ne por fatkeqësisht në ndonjë rast e bëni edhe ju.

“Protestat janë zëri i të padëgjuarve” - ka thënë Martin Luther King Jr. “Kur populli injorohet ai do të protestojë edhe dhunshëm.”

Protestat e fundit të të rinjve shqiptarë janë legjitime dhe duhen përkrahur. Dhuna e tyre është disproporcionale dhe simbolike ndaj dhunës që ushtron një regjim, i cili nga dita në ditë po shndërrohet në një regjim policor.

Demokracia shqiptare është në rrezik. Le ta ndihmojmë atë. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco