Përse po heshtin liderët kosovarë pas vrasjes tragjike në Shqipëri?

Përse po heshtin liderët kosovarë pas vrasjes tragjike në Shqipëri?

Nga Syri.net Kosova - 16/12/2020

Albin Kurti, është i vetmi lider kosovar që e dënoi krimin policor ndaj një të riu në Tiranë, ngjarje e rëndë që nxiti revolta anembanë Shqipërisë. Asnjë lider tjetër nuk e ka thënë gjysmë fjale deri tani. Turp!

Në raste të tilla, shihen fytyrat e vërteta të politikanëve. Janë disa momente kur heshtja është e pakuptimtë dhe liderët duhet të mbajnë në qëndrim, cilidoqoftë ai. Për ekzekutimin nga dora policore te 25 vjeçarit Klodian Rasha nuk folën asnjëra parti në Kosovë, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nuk e dëgjuam as Isa Mustafën, as Avdullah Hotin, as Vjosa Osmanin, as Enver Hoxhajn, as Ramush Haradinajn, as Fatmir Limajn, as Behxhet Pacollin, të kenë një qëndrim, ta dënojnë aktin banditesk, të cilin kryeministri Rama preferon ta quajë vdekje aksidentale.

Kjo indiferencë në Kosovë, ndaj zhvillimeve në Shqipëri, është e pajustifikueshme. Të heshtësh ndaj një rasti të tillë, që nxiti zemërim e indinjatë te shqiptarët, është e pafalshme për një politikan që thirret në vlerat demokratike dhe të drejtat njerëzore.

Askush nuk pret që partitë dhe liderët kosovarë të mbajnë anë apo të bëhen palë me politikën në Shqipëri, por për një ngjarje të tillë, me pasoja të rënda, së paku duhet të thuheshin dy-tri fjali.

Një i ri është privuar padrejtësisht dhe kriminalisht nga e drejta për jetë, ndërsa edhe më tragjike është përpjekja e shtetit për ta izoluar si rast skandaloz të dhunës policore. Kjo vrasje është rrjedhojë e kriminalizimit të policisë, që në vend se të jetë në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, është shndërruar në kërcënim serioz.

Protestat që u organizuan në Shqipëri pas vrasjes, dëshmuan se sa e dhunshme mund të jetë forca policore e keqpërdorur nga politika, duke mos kursyer as të miturit.

Ndaj gjithë këtyre ngjarjeve, skenave të tmerrshme, partitë në Kosovë vazhduan të heshtin.

Një mesazh i keq për qytetarët, që presin mbrojtje dhe avancim të të drejtave të tyre nga kjo klasë politike që sot është në pushtet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco