Pavarësia  e Shqipërisë dhe pasojat e Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913

Pavarësia e Shqipërisë dhe pasojat e Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913

Nga Ibrahim Gashi - 27/11/2020

Fillimi i shekullit XX është karakterizuar më ngjarje dhe zhvillime të bujshme pararëndëse dhe përcaktuese të ndryshimeve në rendin e ri ndërkombëtar. Efektet dhe konsekuencat e këtyre ndryshimeve gjeopolitike kanë lënë gjurmë të thella veçmas në historinë e popujve të Ballkanit. Studimet me ta avancuara të historiografisë konteporane kanë identifikuar katër faktor që  i  determinuan zhvillimet dramatike të fillim shekullit të XX. Së pari, ndarja e botës në dy blloqe kundërshtare (Blloku i Fuqive Qendrore dhe Blloku i Antantes) dhe rritja e rrezikut të një lufte ndër bllokiste për të rindarë sferat e influencës; Së dyti, konsolidimi politik dhe forcimi ushtarak i shteteve sllave të Ballkanit (sidomos i Serbisë dhe i Bullgarisë), i inkurajuar nga disa fuqi të mëdha (para së gjithash mendohet në Rusinë).   Së treti, Perandoria Osmane, që  ende mbante të pushtuar një pjesë të Ballkanit, po jepte shenja të qarta të dobësimit  të saj. Pikërisht kjo tani kishte aktualizuar të ashtuquajturën Çështje Lindore, të cilën Fuqitë e Mëdha ( Rusia dhe Austro-Hungaria) por edhe shtetet e Ballkanit donin ta zgjidhnin  në favor të tyre. Faktori  i katërt veprues që në tërë këtë proces të krijimit të rendit të ri në Evropën Juglindore  kishte rolin më specifik por edhe më racional, ishte lëvizja kombëtare shqiptare, e cila mëtonte sendërtimin e platformës së  saj politike të shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe jetësimin e  reserxhimentos (rilindjes) së saj të vonuar. Konfrontimi i këtyre  tendencave me prirje të ndryshme rrjedhimisht gjeneroi konfliktin më të madh të armatosur në rajon  që i parapriu fillimit të luftës botërore.

Krijimi i Aleancës Ballkanike(mars 1912), si tërësi, dhe nënshkrimi i konventave dhe i anekseve sekrete, ishin sinjali i qartë për mundësinë e fillimit të luftës në Ballkan. Disponimi i fuqishëm pro luftës i monarkive ballkanike, për të cilën raportonin të gjithë diplomatët e huaj të akredituar në  rajon, e forcojnë konstatimin e sipërthënë. Nga ana tjetër, ndonëse e përmbyllur me suksese të kufizuara, kryengritja e përgjithshme shqiptare (maj- gusht 1912) kishte provuar se  status quo-ja në Ballkan ishte fare e paqëndrueshme. Një autori i huaj do të shprehej: “ Kryengritja shqiptare i hapi rrugë triumfit të aleatëve ballkanikë kundër Turqisë …”( Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri, 35;)

Në realitetin e ri të krijuar Fuqitë e Mëdha, tashmë të ndara në dy aleanca antagoniste, u gjendën përpara një sfide të re. Konflikti eventual ndërmjet aleatëve ballkanikë dhe Perandorisë Osmane, sipas të gjitha parashikimeve, do të shpinte në një konfrontim përmasash më të gjera, mbase ndërmjet aleancave rivale. Këtu para së gjithash mendohej për mundësinë e involvimit ushtarak të Rusisë dhe të Austro-Hungarisë, për shkak të interesave të tyre të ngushta në rajonin e Ballkanit.

Sado që situata  e krijuar në fillim të vjeshtës së vitit 1912  dukej shumë serioze, reagimi i Fuqive të Mëdha në evitimin e konfrontimit luftarak qe fare i pavendosur dhe jokoncensual. Iniciativat konkrete të fuqive të veçanta si ajo e Berhtoldit, ministrit të jashtëm austro-hungarez, dhe ajo e homologut të tij francez, u pritën ftohtë dhe nuk u mbështetën nga fuqitë e tjera. Rrjedhimisht efektet e tyre qenë të pandjeshme. 

Përveç momenteve të zëna në gojë, ndoshta një motiv më shumë që i inkurajoi aleatët ballkanikë për  fillimin e luftës ishte tensioni rreth e qark Perandorisë Osmane i shtuar në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 1912. Në tërë këtë spektër faktorësh dhe interesash me prirje për luftë, nisi më  9, vërtet më 17 tetor 1912 Lufta e Parë Ballkanike. 

Pa elaboruar zhvillimet operacionale në të gjitha frontet dhe fushë betejat veç e veç po mjaftohemi më një konstatim të gjeneralizuar se sulmi i ushtrive ballkanike qe i furishëm dhe i suksesshëm. Për shumë analistë dhe historianë mbetet enigmatik fakti i rezistencës se dobët të ushtrisë osmane. Ushtritë osmane pas rezistencës që ofruan në ndeshjet e para, nuk treguan vullnet dhe vendosmëri të duhur për të vazhduar atë deri në fund. Konsekuencat e kësaj taktike ishin apriori ta qarta. Ushtritë ballkanike marshonin përpara dhe çdo pëllëmbë e re e tokës së fituar ishte një stimulim i madh jo vetëm moral për të vazhduar luftën. Nga ana tjetër, betejat e humbura dekurajonin dhe destabilizonin së tepërmi radhët e ushtrisë osmane.  Rrjedhimisht, shpejt u krijua epërsia e pariparueshme pothuaj në të gjitha frontet.

Një moment me relevancë të ndjeshme në epilogun e luftës konsiderojmë se ishte edhe trajtimi jo adekuat i forcës ndihmëse që ofronin vullnetarët shqiptarë. Këtë faktor e injoroi kreu ushtarak osman. Osmanët as në momentet, kur po i humbnin zotërimet e tyre të fundit në Ballkan, nuk u treguan të gatshëm të njihnin aspiratat çlirimtare të shqiptarëve dhe t’i mbështesnin ata në realizimin e tyre. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë u injorua dhe u pengua njësoj si nga aleatët ballkanikë, ashtu edhe nga Porta e Lartë. Pati vetëm një përjashtim nga kjo politikë. Komandanti dhe guvernatori i Shkodrës, Hasan Riza Pasha, duke e njohur aktin e pavarësisë së Shqipërisë dhe duke e zëvendësuar flamurin turk me atë shqiptar në Kalanë e Shkodrës, bëri mrekullinë më të madhe të luftës. Shqiptarët, të inkurajuar nga ky hap, luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre për mbrojtjen e qytetit dhe vërtetë e arritën atë. Pra, siç kemi konstatuar më se një herë, Shkodra përkundër një rrethimi të hekurt  shtatë mujor, me forca superiore serbo-malazeze, nuk u gjunjëzua. Kjo ndoshta është dëshmia më e mirë  për konsekuencat e politikës së gabuar osmane në raport me shqiptarët në vitet e Luftës së Parë Ballkanike.

            Kur bëhët  fjalë për shqiptarët unë kam ndarë mendimin se Lufta e Parë Ballkanike dhe Çështja Shqiptarë përbëjnë evenimentet më komplekse në zhvillimet ballkanike të fillimit të shekullit XX. Po të shikohet nga një perspektivë realiste  fillimi i luftës së aleatëve ballkanikë, për çlirimin e tokave të Ballkanit që akoma ndodheshin nën sundimin osman, në një kohë kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare po ashtu ndodhej në kulmin e përpjekjeve të saj çlirimtare, atëherë, rrjedhimi më i mundshëm dhe logjik do të duhej të ishte bashkëveprimi i këtyre dy tendencave çlirimtare kundër armikut të njëjtë.

Historianët  e vendeve që dikur i takonin Aleancës Ballkanike asnjëherë nuk kanë pasur kurajën e duhur për t’i dhënë përgjigje pyetjes që pashmangshëm imponohet me këtë rast: Përse Shqiptarët nuk ishin përfshirë si  aleati i pestë në Aleancën Ballkanike? Në vend të kësaj ata në vazhdimësi kanë ngritur tezën akuzuese për qëndrimin “proturk” të shqiptarëve, pa provuar asnjëherë të zbulojnë arsyet e vërteta të qëndrimit neutral të shqiptarëve. Edhe historiografia shqiptare nuk ka arritur bindshëm të  ndriçojë tërë kompleksitetin  e këtij problemi. Në fakt ajo ka  identifikuar vetëm një pjesë të faktorëve që e kanë  penguar partneritetin  e shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre në  luftë kundër sundimit osman. Që këtej kjo cështje edhe më  ka ngeleur pa një përgjigje të plotë.  Konsultimi i një provenience dokumentare gjermane dhe angleze ka qenë shtytje që të orvatem të identifikojë disa nga barrierat që e pamundësuan asocimin e shqiptarëve në Aleancen ballkanike me cka historia e popujve të Ballkanit sigurisht se do  të kishte pasur rrjedhë tjetër.

            Së pari.- Principet themelore mbi të cilat ishte ngritur Aleanca Ballkanike nuk ishin principe të motivuara nga ideja çlirimtare, siq proklamohej, por  principe të motivuara nga ideja e profitit territorial nga lufta që duhej filluar;

            Së dyti.- Pika më e nxehtë në negociatat për krijimin e Aleancës Ballkanike kishte qenë ajo për caktimin e vijave ndarëse të territoreve që do të pushtoheshin mbase edhe të aneksoheshin nga secili aleat ballkanik, në rast të triumfit eventual. Lidhur me këtë madje ekzistonin divergjenca të theksuara, ku secili nga aleatët kishte kërkuar për vete maksimumin dhe vetëm ndërhyrja e diplomacisë ruse kishte ndihmuar në kapërcimin e këtyre divergjencave dhe krijimin e aleancës.

            Së treti.- Territoret e okupuara nga osmanët, që do të “çliroheshin”  nga aleatët ballkanikë, në pjesën më të madhe, ishin territore të banuara me shumicë, mbase edhe etnikisht të pastra shqiptare. Realiteti i tillë etnik rrjedhimisht kishte prejudikuar një qëndrim shumë të ftohtë deri në shkallë injorimi të Aleancës Ballkanike ndaj faktorit shqiptar. Ky i fundit në mënyrë të vazhdueshme ishte kundruar si pengesë dhe jo si favor në planet e aleatëve ballkanikë.

            Së katërti .- Një moment tjetër, që po ashtu imponohet të marrë përgjigje, është dilema se a qenë krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mjaft fleksibilë në relacionet e tyre me fqinjët ballkanikë dhe sidomos a i kishin bërë sa duhet të qarta përpara opinionit ballkanik objektivat për të ardhmen e vendit të tyre.

            Këtu mendojmë se ka vend për të analizuar  të metat në organizimin e lëvizjes kombëtare të cilat mund të kenë influencuar në rrjedhën e disfavorshme të situatës për shqiptarët. Po që se jemi më të drejtpërdrejtë, aludimet tona kanë të bëjnë më qëndrimin e çuditshëm të krerëve të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare. Pranim i një autonomie të ngushtë dhe të pa garantuar nga askush në kuadër të Perandorisë Osmane pas një fitoreje spektakulare në fushë të betejës, (fjala është për Kryengritjen e Përgjithshme shqiptare të vitit 1912) mbase përbën kthesën fatale për shqiptarët drejt realizimit të synimeve të tyre çlirimtare. Ky qëndrim i pa definuar si duket ishte momenti më vendimtar në inkurajimin e aleatëve ballkanikë që të injoronin plotësisht shqiptarët dhe aspiratat e tyre.Këto janë vetëm disa nga momentet që mund t’u referohemi në zbulimin e motiveve  kryesore që determinuan qëndrimin e Aleancës Ballkanike ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas.          

            Shqiptarët, duke parë se po e humbnin edhe rastin e fundit, në një kohë kur tokat e tyre pothuaj në tërësi ishin pushtuar nga ushtritë ballkanike, vendosën të mblidhnin energjitë e tyre te mbetura për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në aktualitetin e krijuar. Në rrethana shumë të ndërlikuara të brendshme, më 28 nëntor 1912  u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Ky, megjithatë, ishte reagimi më i pjekur dhe më vendimtar i shqiptarëve në zbutjen e përmasave të tragjedisë që i kishte përfshirë.

            Një kaptinë interesante në krizën ballkanike përbënë çështja e pozicionimit të Fuqive të Mëdha karshi pavarësisë shqiptare. Tratativat diplomatike dhe debatet e gjata në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për muaj me radhë e kishin ngritur çështjen shqiptare në një çështje të dorës së parë, duke sinjalizuar të gjithë aktorët ballkanikë se ajo nuk mund të anashkalohej tërësisht. Posaçërisht preokupimet e Fuqive të Mëdha, në një anë dhe të aleatëve ballkanikë, në anën tjetër,  qenë të lidhura me territorin në të cilin do të shtrihej shteti i ri shqiptar. Aleatët ballkanikë dhe mbështetësit e tyre nga radhët e Fuqive të Mëdha (Rusia dhe Franca)  kishin pranuar të njihnin krijimin e një shteti autonom shqiptar në një territor të ngushtë, fare të papërfillshëm, për ta privuar kështu atë nga mundësitë që të mbijetonte ekonomikisht dhe politikisht.

            Nga ana tjetër, Fuqitë e Tripalëshit, sidomos Austro-Hungaria dhe Italia, kishin treguar interesim të veçantë për konsolidimin e shtetit shqiptar, me rastin e caktimit të kufijve të tij me fqinjët ballkanikë. Vjena dhe Roma me intrasigjencë e kishin kundërshtuar daljen e Serbisë në Adriatik. Austro-Hungaria ishte treguar e ngurtë edhe me rastin e diskutimit të mundësisë për t’i dhënë Shkodrën Malit të Zi. Pas përçapjeve të dendura diplomatike, Vjena kishte deklaruar madje edhe mundësinë e intervenimit të njëanshëm kundër Malit të Zi në rast se mungon një disponim i përbashkët i Fuqive që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Edhe Italia, nga ana e saj, kishte qenë këmbëngulëse me rastin e caktimit të kufirit jugor që do të ndante  Shqipërinë me Greqinë, sidomos pjesës bregdetare të këtij kufiri. Të dy këto Fuqi, në emër të kompromisit, në Konferencë kishin pranuar të sakrifikon krahina me përbërje etnike thjesht shqiptare në pjesën kontinentale të kufirit  për të shpëtuar pikat e rëndësisë së veçantë strategjike të bregdetit shqiptar siq janë  Shkodra, Durrësi, Sazani etj., që të mos binin në duart e aleatëve ballkanikë por t’i mbeteshin shtetit shqiptar. Mendoj se  arsyet e një qëndrimi të tillë të Fuqive të përmendura të Trepalëshit buronin nga platforma e interesave strategjike të  tyre për të penguar depërtimin eventual të Rusisë përmes aleatëve ballkanikë në bregdetin shqiptar të Adriatikut, gjë që do të rrezikonte seriozisht interesat e tyre. Përveç kësaj, Austro-Hungaria po vepronte edhe mbi bazën e një politike tradicionale, të pranuar ndërkombëtarisht, të protektoratit kulturor mbi shqiptarët katolikë të Shqipërisë Veriore me qendër Shkodrën.

            Injorimi i shqiptarëve dhe i aspiratave të tyre çlirimtare nga aleatët ballkanikë dhe sidomos ndërhyrja brutale e ushtrive të tyre në vendbanimet shqiptare rezultoi me dëmtimin ekstrem dhe të pariparueshëm të marrëdhënieve relativisht të qeta ndërfqinjësore deri në këtë kohë. Tani shqiptarët për një moment do të ndodhën, të vetmuar, të pambrojtur dhe të urryer nga të gjithë. Qenia e tyre nacionale ishte rrezikuar seriozisht. Ndërhyrja e ushtrive ballkanike dhe tërheqja e shpejtë e ushtrive osmane kishte krijuar një vakum që nuk arriti ta përmbushte me sukses rezistenca e vullnetarëve shqiptarë. Në fakt, shqiptarët në rrethanat e krijuara nuk arritën ta krijonin një front unik të rezistencës për të ndaluar marshimin e ushtrive ballkanike dhe dëbimin e ushtrive osmane, me çka do të ndërronin rrjedhën e historisë në favor të tyre. Së këndejmi ata do të jenë të destinuar që të bartin konsekuencat e Luftës së Parë Ballkanike.

Me këtë rast po e citojmë autorin amerikan të ditëve tona Richard Hall-in, i cili në mënyrë shumë autentike ka përmbledhur dhe prezantuar një pjesë të këtyre informacioneve që kanë të bëjnë më konsekuencat e luftës për shqiptarët. Në përfundimet e veprës së e tij ai do të konstatojë: “Shumë shqiptarë luftuan në radhët e ushtrive osmane, të tjerët rezistuan kundër invaduesve grekë, malazez dhe serbë. Fushata pushtuese e këtyre të fundit la prapa vetes numër të pallogaritur të viktimave civile dhe shkatërrime në të gjitha krahinat e vendit. Pa dyshim, veriu dhe jugu, krahinat më luftime me intensive dhe regjione të pushtuara nga invaduesit përjetuan ndryshime, përkatësisht humbje të mëdha demografike” (The Ballkan War 1912-1913, 141).

            Nga analizat tona në këtë punim të lidhura më dramën shqiptare të viteve 1912-1913  rezulton se Lufta e Parë Ballkanike ishte goditja më e rendë me pasoja afatgjate mbi relacionet edhe ashtu të brishta ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre. Në veçanti pjesa e territoreve shqiptare që mbeten jashtë shtetit shqiptar të krijuar në vitin 1912 iu nënshtruan për një shekull një politike të jo tolerancës, të keqtrajtimit dhe persekutimit permanent që herë pas here arrintr në përmasat e gjenocidit dhe të spastrimit etnik.

            Përmasat e dhunës dhe brutaliteti që përdorën ushtritë e Aleancës Ballkanike në operacionet e tyre ne Kosovë dhe në Shqipëri nuk arritën t’i shpëtonin syrit të opinionit perëndimor. Masakrat masive dhe toka e djegur që linin prapa vetes këta trupa po e shndërronin luftën ballkanike në konfliktin e përmasave më të mëdha shfarosëse të shekullit. Shumë misionarë, diplomatë e zhurnalistë evropianë, që rastësisht a me shkas u ndodhën në Ballkan, kanë lënë dëshmi rrëqethëse për krimin e kryer nga këto ushtri mbi shqiptarët. Është e pamundur të trajtohet në mënyrë shteruese i tërë vëllimi i literaturës, shtypit dhe i burimeve dokumentare evropiane mbi këtë çështje në një punim si ky që ka më shumë karakter përkujtues të aktit historik të mëvetësimit të Shqipërisë. Në vijim po sjellim vetëm disa dëshmi të vet autorëve serbë dhe të huaj mbi përmasat e krimeve serbe të Luftës së Parë Ballkanike kundër shqiptarëve. Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq në ditarin e tij të luftës, të cilin ai e mbajti me pedanteri të rrallë deri në çastet e fundit të jetës (u vra gjatë tërheqjes së ushtrive serbe përpara ushtrive austro-hungareze në fillimet e Luftës së Parë Botërore, më 20 nëntor 1914), do të shënojë edhe këtë fakt: “Turqit e udhëhoqën këtë luftë shumë më ndershmërisht se ne… ushtritë që ndërhynë në të katër anët e trevave që i mbanin osmanët (ushtritë ballkanike-v.j.), dogjën, prenë, vranë, morën dhe shkretëruan për një vit më tepër se ç’kishin bërë ushtritë e sulltanit për njëqind vjet.

            “Nga krahinat e pushtuara, e nis rrëfimin e saj Miss Edith Durham, vinin lajme të dhembshme mbi mizoritë e paduruara që bënin si serbët, ashtu edhe malazeztë mbi shqiptarët. Dhe në vend që t’i fshihnin veprat e tyre ata përkundrazi mburreshin me to. Një oficer serb përpak sa nuk u mbyt në kupën e birrës, derisa më rrëfente se si ushtarët e tij kishin shpuar në bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës”.

            Në vjeshtën e vitit 1912 L.Trocki, teoricieni dhe revolucionari marksist rus, u dërgua në Ballkan që të raportonte për gazetën më të popullarizuar majtiste në Rusinë Jugore „Kievskaya Mysl. “Në Shkup arritëm në orën 10 të mbrëmjes, e fillon rrëfimin ai. I tërë qyteti ishte i qetë, askund s’kishte njeri të gjallë. Vetëm përpara stacionit hekurudhor ishte një grup ushtarësh .Secili që udhëtoi me tren shkoi rrugës së vet, duke më lënë mua vetëm në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat gati, kurse në mes të grupit qëndronin dy shqiptarë shumë të rinj me kapela të bardha. Një ushtar jo i rregullt (komit-çetnik) i dehur në njërën dorë mbante thikën e në tjetrën shishen e rakisë. Komiti jepte urdhra: “Poshtë!“ Shqiptarët gjysmë të vdekur nga frika ranë në gjunjë.“Lart!“ ata u ngritën. Kjo u përsërit disa herë. Pastaj komiti duke u kërcënuar dhe duke sharë drejtoi thikën në fytet dhe gjokset e viktimave, duke i detyruar të pinin raki pastaj i puthi. I dehur nga fuqia e rakisë dhe gjaku argëtohej duke lozur me ta si macja e egër me minjtë. Tre ushtarë të tjerë që nuk ishin të dehur rrinin të qetë dhe të kujdesshëm që të mos u iknin shqiptarët....“Ata janë arnautë,“ më tha njëri nga ushtarët besueshëm.“Tani do t’i therë“. „ Në qytet apo nëpër rrugë ishte aq qetë sikur ky vend të jetë i braktisur. Të gjitha dyert dhe portat ishin të mbyllura qysh në orën gjashtë pasdite. Komitët natën kryenin punën e tyre. Hynin nëpër shtëpitë turke dhe shqiptare dhe kryenin zakonisht të njëjtën detyrë grabitjeje dhe vrasjeje. Dy ditë para ardhjes sime në Shkup, gjëja e parë të cilën banorët e panë në mëngjes, kur u zgjuan ishte grumbulli i kufomave shqiptare me koka të hequra nën urën kryesore të Vardarit, në vetë qendrën e qytetit. Sidoqoftë, ishte e qartë se ata njerëz me koka të hequra nuk ishin vrarë në luftë.“

            Në përmbylljë të këtij shkrimi, për të kuptuar karakterin dhe synimet e vërteta të Luftës së Parë Ballkanike dhe pasojat që ajo prodhoi për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, po i referohemi  historanit të mirënjohur perendimor Noel Malcolm i cili në përfundimet e veprës së tij mbi Kosovën shprehët: “Sipas historisë mitike të serbëve, ajo që ka ndodhur në Kosovë, më 1912, ka qenë një akt i çlirimit, që e shpëtoi një popull të shtypur nga një lloj sundimi të huaj kolonial është një element i së vërtetës në këtë pohim, por kjo është shumë më pak se e tërë e vërteta. Serbët kurrë nuk do të kuptojnë natyrën e problemit të Kosovës, në qoftë se nuk pranojnë se territori i pushtuar, më 1912, kishte pasur që më parë një shumicë të popullatës joserbe, dhe, së dyti se eksperienca e një sundimi të huaj kolonial është pikërisht ajo që ia imponoi me dhunë Serbia shumicës së popullatës gjatë gjithë shekullit...”

 

(Autori është profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco