Paul Parin – një partizan nga Zürichu në humnerat e Ballkanit

Paul Parin – një partizan nga Zürichu në humnerat e Ballkanit

Nga Enver Robelli - 27/10/2020

Si mjek i ri Paul Parin braktisi Zürichun dhe iu bashkua luftës antifashiste të partizanëve në Jugosllavi. Në vitet ‘90, kur tashmë ishte njëri prej intelektualëve më të njohur të Zvicrës dhe gëzonte reputacion ndërkombëtar, Parin u bë mbrojtës i madh i të drejtave të shqiptarëve, sllovenëve dhe kroatëve, të cilët po rrezikoheshin nga hegjemonizmi serb – i cili fillimisht ishte ndihmuar edhe nga nacionalistët malazezë

Në epokën e Perandorisë së Habsburgëve qyteti i Triestes ishte qendër e tregtisë, kulturës transnacionale, nyjë e transportit detar dhe hekurudhor. Këtu bashkoheshin rrugët e shumë njerëzve. Në Trieste ka lindur aktori i famshëm shqiptaro-hebraik, Aleksandër Moisiu, po aty një rrugë mban emrin e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare,

Karl Gega, i cili projektoi hekurudhën e Semmeringut, njërën ndër veprat më të rëndësishme arkitektonike të shekullit ‘19, e cila mundësoi lidhjen e Vjenës me qytetet italiane me dalje në Adriatik, si Venediku dhe Trieste.

Në epokën e Perandorisë së Habsburgëve në Trieste erdhi edhe zvicerani Otto Wilhelm Pollack (1876-1971), pinjoll i një familjeje të njohur sipërmarrësish. Pollack, hebre me origjinë, ishte tregtar i talentuar. U kyç në biznesin e kafesë (Trieste edhe sot është qendër e rëndësishme e shitjes së kafesë; të gjithë kanë dëgjuar e mbase edhe e kanë shijuar kafenë Illy), pastaj investoi në fabrika për prodhimin e birrës dhe në kompani sigurimesh. Më 1904 Otto Wilhelm Pollack bleu në Slloveni një fermë prej 300 hektarësh, ku solli lopë zvicerane dhe mbillte sumbullare, me të cilat furnizonte fabrikën e birrës “Eichhof” në Luzern, një markë e njohur edhe sot në Zvicër. Në vitin 1930 Pollack ndryshoi mbiemrin dhe tani e tutje u quajt Parin.

Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore nazistët, të cilët kishin pushtuar Jugosllavinë, konfiskuan pasurinë e hebreut Otto W. Parin. Në prill të vitit 1941 Parin u largua nga Sllovenia dhe, i pajisur me vizë italiane, shkoi në Lugano të Zvicrës, ku kishte një banesë.

Në Luftën e Dytë Botërore i biri i tij Paul Parin (1916-2009) do të kthehej në Jugosllavi për t’iu bashkuar lëvizjes partizane si anëtar i një misioni mjekësh zviceranë. Planet për t’iu bashkuar partizanëve jugosllavë ishin diskutuar në kafehanen “Select” në Zürich, një vendtakim artistësh, letrarësh dhe intelektualësh kryesisht majtistë të metropolit zviceran.

Mes tyre ishin edhe gruaja e mëvonshme e Parinit, ish-anëtare e brigadave ndërkombëtare në luftën e Spanjës, dhe vëllai i saj. Parin kishte filluar studimet për mjekësi në Graz dhe i vazhdoi ato në Zagreb. Pas aneksimit të Austrisë nga regjimi i Adolf Hitlerit, Parin u strehua në Zürich në nëntor të vitit 1938, ku më 1943 përfundoi studimet dhe u bë emër i njohur i jetës publike të Zvicrës si intelektual, neurolog, psikoanalist, etnopsikoanalist, antropolog dhe shkrimtar.

Në bisedat që zhvillonte në kafehanen “Select”, Parin arriti të bindë edhe dy mjekë të Zürichut që t’i bashkohen misionit mjekësor në Jugosllavi. Anëtarë të tjerë të ekipit ishin edhe Mihailo Lompar, një jurist malazias, i cili kishte ardhur për të studiuar në Bernë, dhe një mjek komunist nga Gjeneva. Në kujtimet e tij Parin shkroi: “Ishim aq të rinj, saqë nuk dyshonim se jemi të dobishëm, madje të pashmangshëm në luftën kundër fashistëve”.

Për Parinin dhe shokët e tij zviceranë nuk ishte lehtë të shkonin në Jugosllavi. Së pari duhej të rregullonin dokumentacionin për transportimin e materialit mjekësor. Kur u arrit kjo, Parin dhe shokët e tij kërkuan leje nga autoritetet ushtarake zvicerane për t’i liruar nga obligimi për të shërbyer në ushtri në rast se sulmohet Zvicra nga forcat naziste.

Kërkesa e tyre u refuzua. Por, ishte një ministër socialdemokrat, Ernst Nobs, i cili u angazhua që ky mision i mjekëve te partizanët jugosllavë, kjo “vepër e fisnikërisë zvicerane”, të realizohej. Tani për Paul Parinin dhe ekipin e tij s’kishte më pengesa burokratike për t’iu bashkuar partizanëve.

Misioni i mjekëve u ngarkua t’i transportonte 400 të plagosur rëndë në një spital të improvizuar në gjirin e detar mes Peleshacit dhe ishullit Korçulla në Kroaci. Më vonë ky spital u zhvendos afër Herceg Novit në Mal të Zi. Në librin e tij të kujtimeve “Është luftë dhe ne po shkojmë atje”, botuar në fillim të viteve ‘90, Parin rrëfen shumë detaje nga lufta antifashiste në Jugosllavi. Atij i kishte bërë përshtypje sidomos atmosfera kur me mjekët zviceranë kishte arritur në Komandën e Korpusit të Dytë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Nikshiq: njësitë partizane duke zbritur malit teposhtë, një predikues duke bekuar njerëzit e armatosur, komisarët politikë, të cilët lavdëronin arritjet e revolucionit dhe betoheshin për fitore kundër pushtuesve, partizanët duke vallëzuar nën tingujt e gusllës...

Për Parinin, një idealist zviceran, Nikshiqi ishte “një vend i utopisë”. “Ndiheshim si qytetarë të botës, solidarë me të gjithë ata që shtypeshin dhe plaçkiteshin”, do të shkruante ai në kujtimet e tij. Pas përfundimit të luftës Parin qëndroi për një kohë të shkurtër në Beograd, ku i dëshpëruar konstatoi se s’po shihte asgjë nga utopia socialiste, në të cilën e kishte përkundër vetes në Nikshiq. Lufta revolucionare, sipas tij, kishte filluar të deformohej në burokraci staliniste. Parin u kthye në Zürich.

Pas fillimit të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë si pasojë e politikës agresive të sundimtarit të dhunshëm serb, Slobodan Milosheviq, Parin u bë një zë i fuqishëm në opinionin zviceran kundër luftës dhe krimeve në Ballkan. Parin denoncoi fushatën represive të regjimit serb kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ambiciet territoriale serbe ndaj Kroacisë dhe Bosnjës. “Një lëvizje e fuqishme fashiste është krijuar në atë shtet, i cili para më shumë se 40 vjetësh u krijua nga lufta antifashiste”, shkruan ai në librin e tij të kujtimeve “Është luftë dhe ne po shkojmë atje”. Parin shkroi se komunistët serbë me arrogancë po tradhtonin idealet socialiste “në favor të triumfit nacional kundër shqiptarëve të përbuzur të krahinës së Kosovës”.

Kur në një tubim në kuadër të të ashtuquajturit “revolucion antiburokratik” një politikan i ri i quajtur Milo Gjukanoviq, atëbotë ithtar i Milosheviqit, ishte kërcënuar me angazhimin e armatës jugosllave për të penguar pavarësinë e Sllovenisë, Paul Parin me zemërim shkroi: “Kështu Nikshiqi, vendi ku filluam luftën për liri, është bërë vatër e një fushate populliste për dominimin e pushtetit qendror serb, është bërë pikënisje e kundërrevolucionit. Pokret, lëvizje për kthim prapa në neostalinizëm dhe diktaturë nacional-fashiste? A ishte e drejtë që atëherë të niseshim me malazeztë luftarakë në luftën revolucionare apo ishte ky hapi i parë për shtypjen e re?”

Fjalë të fuqishme të një intelektuali të madh, i cili gjatë gjithë jetës mbeti i lidhur me Ballkanin dhe përherë ishte në anën e popujve të shtypur. Lista e çmimeve me të cilat është nderuar ky humanist, marksist dhe mjek, është e gjatë: Çmimi Letrar i Kantonit të Zürichut (1986), çmimi “Erich Fried”, çmimi “Sigmund Freud” për prozë shkencore i Akademisë Gjermane për Gjuhë dhe Letërsi dhe çmimi “Sigmund Freud” i qytetit të Vjenës. Opinioni shqiptar ndoshta tani po dëgjon për herë të parë për Paul Parinin, partizanin nga Zürichu

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco