Një dramë e vetëshkaktuar

Një dramë e vetëshkaktuar

Nga Enver Robelli - 29/09/2020

A ranë në grackë veteranët e luftës apo u bënë pjesë e një inskenimi për frikësim dëshmitarësh dhe diskreditim të Gjykatës Speciale? Sido që të jetë, tollovia e shkaktuar gjatë arrestimit të tyre i hedh hije të keqe Kosovës si vend që saboton drejtësinë

1.

Nëse një kohë të gjatë në Kosovë është refuzuar të kuptohet, së paku viteve të fundit secili ka pasur rastin ta kuptojë: kërcënimi i dëshmitarëve nuk do të kalojë më pa konsekuenca. Nuk do ta lejojë këtë Gjykata Speciale, nuk do ta lejojnë prokurorët ndërkombëtarë (kryesisht amerikanë), nuk do ta tolerojnë shtetet perëndimore. E tepërt të thuhet se kërcënimi i dëshmitarëve në çfarëdo forme është shkelje e rëndë e ligjeve të Kosovës. Grupet e interesuara dhe destruktive në Kosovë mund të vazhdojnë avazin e vjetër, por pasojat do të jenë serioze për vendin dhe shoqërinë. Këto grupe mund të përpiqen të sfidojnë më tutje bashkësinë ndërkombëtare, por kështu rrezikojnë ta mbajnë Kosovën edhe më tutje të izoluar. Ndonëse nuk thuhet publikisht, një ndër arsyet përse nuk liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës është edhe mungesa e sundimit të ligjit për të gjithë. Një shtet mund të ketë ligjet më të mira në botë, por nëse ato nuk zbatohen apo zbatohen në mënyrë selektive, atëherë shteti është jofunksional dhe qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit.

2.

Arrestimi i shefave të Organizatës së Veteranëve të Luftës është përfundim i pritshëm dhe një dramë e vetëshkaktuar sidomos prej tyre. Me ditë të tëra paraqitjet e tyre publike i kanë ngjarë një inskenimi apo gracke ku ata ranë symbyllur. Thoshin se po e mirëpresin në zyrat e tyre atë “personin anonim” që sillte dokumente, por të mirëpritur, sipas tyre, ishin edhe hetuesit e EULEX-it dhe të Gjykatës Speciale që vinin për të bastisur. Mirë se vini të gjithë! Ky ishte mesazhi cinik. Kur i dëgjoje e shihje duke folur nëpër studio televizive shefat e veteranëve, të mbushej mendja se ky është një muhabet hokatarësh që pjekin gështenja rreth mangallit. Filmi u përsërit tri herë: “personi anonim” sillte dokumente, kamerat e sigurisë e incizonin atë duke hyrë në selinë e veteranëve, pastaj ai nxirrte dokumente nga trupi apo i depononte në korridor pakot me material. Mandej “personi anonim” dilte nga objekti pa ndonjë nguti të madhe. Diçka e tillë mund të ndodhë një herë, por jo tri herë. Sepse po ndodhi tri herë, atëherë është e qartë se kanë dështuar krejt hallkat e sigurisë të shtetit të Kosovës dhe kësaj i vjen era komedi e organizuar. Pas pranimit të materialeve të para, veteranët dolën e folën publikisht. Pra, Policia e Kosovës ka qenë e informuar, sepse informatat ishin publike. Prokuroria po ashtu. Shërbimet e tjera, nga hetuesia deri te AKI-ja po ashtu. Njësitë e EULEX-it ndërhynë kur e panë se institucionet e Kosovës po qëndrojnë duarkryq. Kur inskenimit apo kurthit iu afrua fundi, presidenti i Kosovës tha se nuk është mirë që veteranët të nxjerrin dokumente sekrete. Lidhja Demokratike e Kosovës heshti si përherë, nga frika se dënimi i veprimeve të paligjshme të veteranëve do t’i interpretohet nga patriotët e çarshisë si tradhti kombëtare. Heshtje tamam “institucionaliste”. Së paku kryeministri i Kosovës dha një gjysmëdeklaratë në përkrahje të drejtësisë.

3.

A ranë në grackë veteranët e luftës apo u bënë pjesë e një inskenimi për frikësim dëshmitarësh dhe diskreditim të Gjykatës Speciale? Sido që të jetë, tollovia e shkaktuar gjatë arrestimit të tyre i hedh hije të keqe Kosovës si vend që saboton drejtësinë. Si pjesë e inskenimit dukej edhe emërimi i aksionit të sjellësit të dokumenteve: “Rrufeja 1”, “Rrufeja 2”, “Rrufeja 3”. Pastaj gjuha diskredituese ndaj Gjykatës Speciale. Përpjekja për të krijuar përshtypjen në opinion se prokurorët amerikanë të Gjykatës Speciale janë jo më pak se argatë të Beogradit. Përpjekja që autori i aktakuzës kundër Slobodan Milosheviqit, juristi i njohur amerikan Clint Williamson, të njolloset si antishqiptar është mendjelehtësi. Njëri nga bosët e Organizatës së Veteranëve në televizion fliste për “Carla Del Pordhën”. Kujt i shërben kjo gjuhë vulgare? Ky primitivizëm gjuhësor? Kjo krekosje kacagjelash provincialë dhe kapardisje kapadainjsh? Një tjetër shef i veteranëve e shihte aksionin e policisë së EULEX-it si “aksion të Jugosllavisë”. Shtetet që ia garantojnë sigurinë Kosovës qe 20 vjet, nga SHBA-ja e Britania e Madhe deri te Gjermania e Italia të krahasohen me Jugosllavinë? Shtetet që kanë harxhuar miliarda euro e dollarë për të mbajtur në Kosovë mijëra ushtarë të krahasohen me një shtet represiv? Kjo gjuhë nuk tregon vetëm papjekuri, kjo gjuhë tregon ambicie për konfrontim me Perëndimin. Kujt i konvenon që në Kosovë të luhen këto lojëra dramatike dhe të krijohet atmosfera sikur po arrestohen liderë të Hamasit? Pamjet u konvenojnë kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Se çka ka menduar Perëndimi për Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës – përgjigjen e kemi parë të gjithë nga 24 marsi 1999 deri më 12 qershor 1999. Gati 80 ditë bombardime. Nënshkrimi i kapitullimit nga oficerët serbë në Kumanovë. Hyrja në Kosovë e 50 mijë ushtarëve – prej gurkave britanike në Grykën e Kaçanikut deri te oficeri gjerman, që në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës u jepte urdhër kriminelëve serbë në uniformë që të largoheshin brenda pak minutave nga aty, pastaj skena dramatike në Prizren, kur ushtarët gjermanë hapin zjarr kundër një veture me serbë që po marshonte furishëm kundër tyre. Pa hyrë këtu në detaje mbi rolin historik që kanë luajtur mediat perëndimore në përgatitjen e opinionit për të vepruar kundër Serbisë dhe për çlirimin e Kosovës.

4.

Kur mediat e Kosovës pas paralajmërimeve të Gjykatës Speciale hoqën dorë nga publikimi i materialeve sekrete, në lojë u futën mediat e Tiranës. Se a ishin dhe a janë edhe ato pjesë e inskenimit, këtë do ta tregojë ndoshta koha. Sidoqoftë, pamja që Kosova këto ditë i ka ofruar botës perëndimore është e keqe: pamje të një shteti që saboton drejtësinë. Parimisht gati të gjithë në Kosovë thonë se duan drejtësi. Por kur vjen puna te konsekuencat, fillon problemi. Tërë ditën flitet jo vetëm nëpër kafene për vrasjet e pasluftës, përmenden emra vrasësish potencialë, dalin politikanë në televizion dhe thonë se filani ka vrarë filanin – dhe pastaj i kthehemi përditshmërisë. Sepse në thelb shumë njerëz, sidomos partitë e krahut të luftës, do të donin drejtësi pa fajtorë. Për gjetjen dhe dënimin e tyre nuk është bërë asgjë. E të vrarët janë fakt. Disa kanë varre, disa s’kanë.

5.

Sa herë që ka shenja të veprimit të Gjykatës Speciale, shtohen zërat për zhbërjen e saj. Ata që kërkojnë zhbërjen e saj duhet të tregojnë cila është alternativa: konfrontimi i Kosovës me botën perëndimore? Rrezikimi i izolimit edhe më të madh? Sanksionet perëndimore? Një gjykatë që mund ta themelojë OKB (me hetues, prokurorë e gjykatës nga shtetet jodashamirëse të Kosovës)? Për këto pyetje duhet të mendojnë të gjitha partitë, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, e cila shpesh nuk pret të formulohet pyetja për të thënë “jo”! Por “jo” nuk mund të thuash përherë. Ose mund të thuash dhe të mbetesh në bisht të zhvillimeve, pa u marrë seriozisht nga askush jashtë Kosovës.

6.

Një gjë është evidente: shoqëria kosovare nuk ka demonstruar kapacitet për t’u përballur me disa anë të errëta të Lëvizjes Çlirimtare. Pas luftës, kur vriteshin njëri pas tjetrit figura të LDK-së, shoqëria e frikësuar u dorëzua. Mbeti në kujtesë nga ajo kohë vetëm deklarata e Ibrahim Rugovës: “Tani duhet të ruhemi nga dreqërit tanë”. S’ka dyshim që kundërshtimi i pushtimit serb me grykën e pushkës ka qenë akt patriotik. Këtë nuk e vë askush në dyshim. Por si në rastin e Kroacisë edhe në Kosovë argumenti se në luftën çlirimtare nuk mund të ketë krime, është argument i paqëndrueshëm. Vetë Hashim Thaçi në sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë që ndonjë ushtar të ketë shkelur rregullat e luftës. Pas një konstatimi a supozimi të tillë kërkohet një përgjigje nga drejtësia. Nuk mund të thuash 10 vjet “s’kemi asgjë për të fshehur” dhe nuk mund të thuash se gjykatën po e themelojmë për të hequr disa re të zeza që po qëndrojnë mbi historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pastaj, sapo të themelohet gjykata, të përpiqesh që me aksione të mesnatës në Kuvend të provosh zhbërjen e saj. Si të lexohen këto veprime? Si përpjekje e hapur për sabotim të drejtësisë. Dhe kjo është theksuar nga Gjykata Speciale edhe në paralajmërimin e aktakuzave në qershor.

7.

Vlerat e UÇK-së i mbron vetëm ai politikan që angazhohet për drejtësi dhe për të drejtën e familjeve të viktimave për të ditur se kush i ka vrarë të dashurit e tyre. Është popullizëm dhe primitivizëm politik që një natë të dalësh në televizion e të thuash se lojërat me dosje janë “film i dobët”, e pastaj me pozë të Marinarit Popaj të thuash se veç VV “i mbron vlerat e UÇK-së” dhe të sugjerosh se VV, po të ishte në pushtet, do të ballafaqohej me bashkësinë ndërkombëtare për të penguar arrestimet. Mund të akuzohet Hashim Thaçi për 100 të zeza, edhe më 2015, edhe sot, mund t’i mveshen atij edhe motive personale për themelimin dhe pastaj refuzimin e Gjykatës Speciale, por argumenti i tij se mosthemelimi i gjykatës do të kishte pasoja të rënda për Kosovën - qëndron. Nëse ka trima që duan ta zhbëjnë gjykatën, le të urdhërojnë. Pse jo? Vetëm duhet të bëhen gati për përgjigje të tjera pastaj. Lavdi, respekt e nderim çdo luftëtari që ka luftuar pushtuesin serb në fushëbetejë. Por duartrokitje nuk duhet të presin ata individë që keqpërdorën uniformën e UÇK-së dhe vranë njerëz që i kishin marrë peng dhe futur nëpër burgje ilegale në Kosovë apo në Shqipërinë e Veriut.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco