‘Servilizmi, është një doktrinë që mbron skllavërinë’

‘Servilizmi, është një doktrinë që mbron skllavërinë’

Nga Ramazan Bekteshi - 21/09/2020

(Për politikanët tanë servilë)
Maksima e ish-ambasadorit Donald Lu: “Shqiptarë faleminderit që e doni Amerikën por ju nuk e doni vendin tuaj!”
Servilizmi (skllavërimi) një emër që së bashku me mbiemrin servil (puthador, skllav), gëzojnë përdorim të shpeshtë në vendin tonë por edhe zbatim të dinjitetshëm nga politikanët tanë. Pra, sipas fjalorëve të ndryshëm domethënia e këtij emri n‘a paraqitet me këto kuptime: ‘servilizëm, ose pasion i thellë, i neveritshëm , nënshtruarje, doktrina që mbron skllavërinë, ose një sistem i bazuar në skllavëri’. Derisa, mbiemri servil: ‘tepër i etur për të shërbyer dhe për të kënaqur dikë tjetër në një mënyrë që tregon se nuk ke shumë respekt për veten tënde, pra, servilizmi është një sëmundje për një ngritje, një ambicie e bazuar në nënshtrim’.

Meqë, në Kosovë këto 21 vitet e fundit kanë defiluar shumë të huajë (politikanë, diplomatë, biznesmenë, ushtarakë, agjentë) dhe është për kureshtje të venerosh si njerëzit tanë posaçërisht politikanët, u ngjiten si rriqra diplomatëve të huaj, me servilizëm të paparë. Është shokuese kjo sjellje e ulët e nënshtrimit dhe poshtërimit të politikanëve shqiptarë. Si paradoks, mendja servile në Kosovë e Shqipëri është duke e shkatërruar ekzistencën e moralit.

Sot, politikani shqiptar i beson një të huaji pa rezervë, edhe kur i huaji nuk është i sinqertë me vendin tij, shpesh politikani ynë vazhdon të përulet edhe nëse një diplomat i huaj favorizon agresorin para viktimës.

Çdo ambasadë e huaj në Prishtine, sidomos ajo e Amerikës dhe ato të QUINT-it konsiderohen si ‘jashtëtokësore, e hyjnore’ nga shqiptarët. Sa herë që takohen politikanët tanë flasin e veprojnë me servilizëm, derisa politikanët në opozitë edhe ata pa ia nda tentojnë të kenë kontakt po ashtu me ambasadat e huaja.

Eksiton një frike e bazuar, se për shkak të servilizmit, agjencitë tona të inteligjencës, të zbulimit e kundërzbulimit kurrë nuk zbuluan asnjë veprim e infiltrim të agjencive të huaja që veprojnë lirshëm e pa siklet si në Prishtinë e Tiranë. Lind pyetja, kjo heshtje kaq e rëndë në fushën e inteligjencës, a tregon një profesionalizëm të thellë, një konspiracion, veprime të agjentëve me misione të dyfishtë, apo është një servilizëm tradicional i yni.

Servilizëm, quhet kur të huajtë të thonë krijo gjykatë speciale mono etnike dhe ti pranon, servilizëm quhet demarkacioni me Malin e Zi dhe pranimi i Zajednicës me rol destruktiv për shtetin. Servilizëm, është kur pranon kushte të rënda për vendin për një njohje, servilizëm, është kur thua ‘me miqësi të përjetshme me Amerikën’, derisa vendin tënd e rrjep dhe pranon koncesione të pafalshme.

Servilizëm, quhet kur bënë grushtshtet në kohë pandemie, kur vjen në pushtet me vota të dyshimta të kontrabanduara në dy ora pas mesnate nga ‘gjuetia’ e Presidentit të shtetit. Servilizëm, është kur i hane fjalët, kur e pranon moratoriumin, kur thua se e bëra për hatër të Amerikës. Servilizëm, është kur jep mirënjohjen “Urdhri i Lirisë” dhe e gënjen presidentin e Amerikës dhe popullin me thënien: “...në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës...” edhe pse në 1999 Trump nuk kishte rol në çlirimin e Kosovës dhe as në lirinë tonë.

Servilizëm, quhet kur në parlament raporton: “Si mundet me qenë e dëmshme një marrëveshje që i sjell Kosovës një miliard dollarë investime?” Sepse, për $1milliard ke fal më shumë, o kryeministër, derisa kryetari serb nuk fali asgjë por shkoi në shtëpi me $12 miliardë të premtuara. Servilizëm, është të behësh më amerikan se vetë amerikani, e këtë e bëjnë shpesh politikanët tanë.

Sunduesit tanë, që njëkohësisht janë edhe përfaqësuesit tanë dhe fatkeqësia jonë, n’a kanë kthyer në instrumente dhe projekte të tyre vetanake, duke ia gërryer shpirtin Kosovës, si me këto biletat milionëshe me aeroplan, ku për një biletë u paguan edhe €11.500, për një darke të vetme €35.000 në emër të diplomacisë, që në të vërtetë ishin shopingje për qejf të diplomatëve tanë në ‘Paris-London-Berlin-New York’.

Për fund, për servilizmin tonë ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Lu thotë: “Unë kam pak kohë që rri në vendin tuaj. Në fillim më bëri përshtypje që çdo gjë që thonin ambasadorët, ju e merrnit për flori safi. Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besimin ndaj të huajve..., Shqiptarë, faleminderit që e doni Amerikën por ju nuk e doni vendin tuaj!”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco