Disa sqarime për rifillimin e mësimit

Disa sqarime për rifillimin e mësimit

Nga Ermal Hasimja - 15/09/2020

Disa sqarime për rifillimin e mësimit:
1. Rifillimi i mësimit ishte vendimi i duhur, madje shkollat duhet të rihapeshin që në fund të majit kur numri i infektimeve ishte shumë më i vogël.
2. Rifillimi i mësimit në Evropë nuk ka sjellë shtim të infektimeve në tërësi dhe nuk ka asnjë arsye që të sjellë as në Shqipëri. Në Francë janë mbyllur 10 shkolla sepse kanë patur nga 3 të infektuar. Duket alarmante, por duhet vendosur në kontekst sepse janë mbyllur 10 shkolla nga 63.000 të tilla që ka Franca, ose ndryshe 0.015% e shkollave. Shumica e shkollave nuk kanë masa distancimi (protokolli francez rekomandon 1 m distancë vetëm kur është e mundur) dhe deri në moshën 12 vjeç as maska. Një pjesë e mirë e shkollave kanë klasa me nga 28-30 nxënës njësoj si përpara pandemisë.
3. Shihni fëmijët jashtë shkollës: asnjëri nuk mban maskë e dizinfektant e as nuk u mat njeri temperaturën rregullisht. Në shkolla fëmijët do të mbajnë maska, do të lajnë e dizinfektojnë duart të mbikqyrur nga mësuesit dhe do t’u matet temperatura rregullisht. Në lagje e në plazh fëmijët nuk kanë asnjë masë të tillë. Rrjedhimisht vendi më i sigurtë për fëmijët aktualisht është shkolla. Me shumë gjasa këtë vit fëmijët do të sëmuren shumë më pak edhe nga virozat e stinës.
4. Fëmijët e vegjël e përhapin virusin shumë më pak se të rriturit.
5. Distanca fizike në klasa e përcaktuar nga protokolli është e egzagjeruar dhe tejkalon të gjithë protokollet shëndetësore të Evropës. Ulja në parametrat e BE-së do të reduktojë pjesërisht problemin e turneve. Është e pakuptimtë që fëmijët të torturohen në turne për shkak të distancës ndërkohë që sapo dalin nga porta e shkollës kjo distancë nuk egziston. Për më tepër cilësia e shkollimit me 3-4 turne është tepër problematike.
6. Formulari i vetëdeklarimit është gjithashtu i tepërt dhe thjesht një formalitet pa dobi.
7. Shteti duhet të testojë menjëherë çdo nxënës apo mësues që shfaq çfarëdo simptome, pavarësisht se probabiliteti i infektimit është i vogël (në fakt në një shkollë normale me 400-500 nxënës, në kushtet përpara pandemisë ka mesatarisht 10-15 nxënës në ditë me viroza stinore).
8. Mësim pa rrezik në kushte pandemie nuk ka. Por shoqëria duhet të zgjedhë mes rrezikut minimal me të cilin përballen fëmijët në një mjedis të mbrojtur dhe rrezikut të garantuar të moskryerjes së mësimit cilësor.

Rekomandimet e mia:
• Zbutje e disa parametrave të protokollit (si distanca e madhe apo vetëdeklarimi) për lehtësimin e mësimit dhe shmangien e turneve.
• Testim i menjëhershëm i çdo rasti të dyshuar.
• Konsultim i vazhdueshëm i vendimarrësve të shëndetësisë dhe atyre të arsimit për gjetjen e një formule fleksibël dhe të rifreskueshme sipas situatës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco