Ikja e njeriut që lozte me furtunën

Ikja e njeriut që lozte me furtunën

Nga Halil Matoshi - 15/09/2020

(Adem Mikullovci 1939-2020)

1.
Doli nga skena e quajtur rrnesë, aktori Adem Mikullovci, (i lindur në Vushtrri më 1939) i cili shekullin e tij jetësor e ka kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ka jetësu 45 role dhe rreth 70 performime.
Pati një karrierë prej shoumeni, komediani e regjisori. Ka luajtur edhe në film.

2.
Në dy raste ishte rreshtu me politikën: Më 1990 si delegat i Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator) për t’iu rikthy asaj, sëfundi, kur mori një mandat në Kuvendin e Republikës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Kuvend (ishte më i vjetri) kur nuk i jepte vetës zorin të bënte ndonjë kritikë ndaj pushtetit, vizatonte ose hante keksa!?

3.
Mukullovci mbahet mend për mishërimin e tij me komiken, përbrendësimin e anës së idhtë të realitetit, porse shquhej edhe për depërtime me ndonjë nga rolet e tij psikologjike.
Në thelb, ai përmes karaktereve të tij i fliste anës komike të tragjedisë.

3.
Sipas Aristotelit, komedia antike filloi me
një spektakël, si “rutinë e ngritjës” në një rrafsh etik, ku në fund aktorët dalin të gjallë nga skena, ndonëse me lotë e të qaraveshur.
Si rregull, tragjeditë ndodhin në fushën e betejës ose në sallën e madhe të një pallati; Si pasojë kemi të bëjmë me një shthurrje shakespeare dramatike, me helm, shpata e vrasje makabré, ndërsa mjedisi më i mundshëm për komedi është dhoma e gjumit, një mejhane ose banjo.
Pse jo, një fshat i humbur ose edhe një vend i tërë në situata delirante!?
Porse komedia brenda tragjedisë ndodhë në një shpirt të trazuar, të vetmuar.
Një fund i lumtur është gjithçka që kërkohet.
Apo shthurrja dramatike Chehoviane.

4.
Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjën e tij krahaqafe.
Qetë e pa bujë, ai la Teatrin e komedisë njerëzore për me lypë azil në ndonjerën nga shtresat e Komedisë Hyjnore të Dantes.
Me gjasë ai do të jetë në rrethin e parë të ferrit, si shtëpi e të pafajshmëve, paganëve të papagëzuar dhe virtuoz.
“Nuk është Parajsa, por për sa i përket Ferrit, nuk është shumë keq: (...)
Hipokrati dhe Aristoteli do të jenë fqinjët tuaj, kështu që çdo përpjekje për biseda të vogla ndoshta do të kthehet, nxitueshëm, në Biseda të Mëdha”-shkruan Matt Staggs.

5.
Mukullovci iku në kohë Pandemie kur njerëzve ka nisë t’u mungojë vdekja e dinjitetshme, ajo “festë” e çmendur nga serioziteti i rastit, me miq, që ta hedhin një grusht dhé përmbi...

6.
Më pati ftuar pas lufte në emisionin e tij “Pa dorëza” nga i cili më mbetët në kujtesë një hyrje e tij prej shoumenk, që ishte një burleskë e vërtetë.
Pasi u kullundris para kamerave, m’u drejtua: “Pashë Zotin Halil Matoshi, kush dreqin je ti, asgjë nuk di për ty, e hallku shumë po flasin...”!???
...isha shtangur. Këtë e mbaj mend.
Nemitjën si mimezis.
Asgjë fare nuk di as unë për dramen e njeriut që sëbashku me Plejaden e aktorëve ‘60-‘70, i dha identitet e emër kësaj Republike.

7.
Pushoftë në paqen e pasosun tu i numëru plagët e trupit e vrragët e shpirtit. Do të vijnë pas tij plot aktorë që tallen me jetën e qajnë me dënesje përbrenda.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco