Simbolika dhe semantika nuk krijojnë vende

Simbolika dhe semantika nuk krijojnë vende

Nga Agustin Palokaj - 14/09/2020

et se argumenti më i madh, nëse jo edhe i vetmi i ambasadorit Grenell për të bindur kosovarët që të pranojnë gjithçka është se ai është amerikan. Shumëçka në argumentimet e tij duket mjaft joserioze. Sepse në rastin e Kosovës pikërisht simbolika dhe semantika kanë definuar edhe fatin e saj. Edhe fusnota, edhe “ambiguiteti” i BE-së, edhe termet e dialogut “Prishtinë-Beograd” e jo “KosovëSerbi” dhe shumë emërtime të tjera kanë qëllimin e vetëm: të dëshmojnë se Kosova nuk është shtet sikur shtetet e tjera

Pamë këto ditë se si ambasadori amerikan, Richard Grenell, ua shpjegonte me ironi dy gazetareve amerikane rrethanat e konfliktit të kosovarëve dhe serbëve për liqenin e Ujmanit. Ato qeshnin me zë, sepse nuk mund të besonin atë që as Grenell nuk mund ta besonte, se për palët emri i liqenit ishte problem në vete. “Gazivoda” apo “Ujmani”. Dhe u thanë tallje se si ai kishte propozuar që ai të quhej liqeni “Trump”.

Grenell ka arritur të çojë përpara një lloj marrëveshjeje, e cila edhe është, edhe nuk është marrëveshje. Për të ka pak rëndësi. Për Kosovën ka mundur të jetë edhe më keq. Për Serbinë vështirë nëse ka mundur të jetë më mirë. Gjithçka që i ka penguar Serbisë, e që thuhet të ketë qenë në draftet e propozuara, është hequr. Në vend të njohjes pas nënshkrimit unilateral të këtyre dokumenteve, Serbia ka mundur të pohojë se “nuk ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare me pjesë të territorit të vet”, dhe se në asnjë mënyrë nuk ka marrë obligim për çfarëdo njohjeje të Kosovës, as për hap të parë as të fundit në këtë drejtim.

Për përmbajtjen e atyre dokumenteve është folur dhe shkruar shumë, por ajo që po trumpetohet nga Grenell është miti se me këtë marrëveshje janë zgjidhur probleme të mëdha, janë hapur mundësi të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, është siguruar paqja, dhe se të gjithë ata që kritikojnë ose janë kundër Amerikës, ose “merren me simbolikë”, e cila nuk krijon vende pune. Vërtet simbolika dhe semantika në rastin e Kosovës nuk krijojnë vende pune, por ato përdoren për të mohuar shtetësinë e Kosovës. Duket se argumenti më i madh, nëse jo edhe i vetmi i ambasadorit Grenell për të bindur kosovarët që të pranojnë gjithçka është se ai është amerikan. Shumëçka në argumentimet e tij duket mjaft joserioze. Sepse në rastin e Kosovës pikërisht simbolika dhe semantika kanë definuar edhe fatin e saj. Edhe fusnota, edhe “ambiguiteti” i BE-së, edhe termet e dialogut “PrishtinëBeograd” e jo “Kosovë-Serbi” dhe shumë emërtime të tjera kanë qëllimin e vetëm: të dëshmojnë se Kosova nuk është shtet sikur shtetet e tjera.

Në Kosovë shumë zgjidhje varen nga emërtimi dhe emërtimi tregon se çfarë zgjidhjesh janë. Një diplomat shumë i lartë perëndimor para shumë vitesh, diku në fazën e parë të dialogut, thoshte në një takim se tashmë e dinë se cila do të jetë zgjidhja për veriun e Kosovës dhe për serbët që kanë shumicën në atë pjesë. Thoshte se ajo pjesë, dhe serbët atje duhet të kenë një lloj autonomie. Por thoshte se nuk mund ta përdorin këtë emërtim. Sepse për shqiptarët fjala “autonomi” ka konotacion të keq dhe është e papranueshme. Dhe vërtet shqiptarët nuk donin autonomi brenda Serbisë dhe as që donin që serbët të kenë autonomi në Kosovë. Thoshte ky diplomat se duhej diçka që nuk është as në kuadër të Planit të AhtisaArit (ish-president i Finlandës që propozoi paketën gjithëpërfshirëse). Sepse “Ahtisaari” ka konotacion negativ për serbët. Serbët nuk duan të dëgjojnë për “Ahtisaarin”.

Pra, thoshte ai, “duhet gjetur një zgjidhje që nuk fillon me A, as autonomi e as Ahtisaari, e që do të ishte pak më shumë se Ahtisaari e pak më afër autonomisë”. Kështu edhe ndodhi. Me trysni dhe premtime, Kosova pranoi marrëveshjen për krijimin e një statusi të veçantë për serbët në veri të Kosovës. Por u paraqit problemi tek emërtimi. Serbët kërkonin që të quhej “Zajednicë -Bashkësi”, e shqiptarët që të quhej “Asociacion”. Në të gjitha gjuhët ka dallim mes “Bashkësisë” dhe “Asociacionit” dhe nuk është fjala vetëm për simbolikë.

Dhe BE-ja u tha palëve që të pranonin si kompromis emërtimin “Asociacion-Bashkësi”, në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë në iluzion se është “Asociacion” (sikur ai i mbrojtësve të pëllumbave thoshin disa zyrtarë të Kosovës), ndërsa serbët se është “Bashkësi” (pra me elemente ekzekutive të një niveli të veçantë të pushtetit). Emërtimi ishte problem edhe tek IBM-ja, por asnjëherë nuk u shkrua në letër se çfarë është IBM-ja. Jo nuk është kompania e njohur e kompjuterëve.

Është për Kosovën shkurtesë nga gjuha angleze “Integrated border menagment” (menaxhimi i integruar i kufirit”) dhe për serbët shkurtesë e “Integrated Boundary Management” (menaxhimi i integruar i pikëkalimeve). Nuk kam parë gëzim dhe mburrje më të madhe të ndonjë politikani të BE-së si atëherë kur arkitektit të dialogut në emër të BE-së i kishte rënë në mendje përdorimi i vetëm kësaj shkurtese për “IBM”. Sa i zgjuar i ishte dukur vetja. Dhe prej atëherë mori hov qasja e BE-së e quajtur “ambiguiteti konstruktiv”.

Pra, sa më shumë gjenin emërtime që palët mund t’i kuptonin dhe interpretonin ndryshe, aq më mirë dhe aq më të zgjuar dukeshin zyrtarët e BE-së, e që në realitet ky ishte vetëm manipulim i opinionit. I tërë dialogu u nis në këtë mënyrë. BE-ja është “lehtësuese” dhe pohon se nuk është “ndërmjetësuese”. Kjo, sepse ndërmjetësuesi mund të jetë vetëm mes palëve të barabarta, pra mes shteteve. E pasi Kosova nuk është shtet as për Serinë e as për BE-në (këtë e tha publikisht vetë zëdhënësi i BE-së javën që shkoi), atëherë BE-ja nuk mund të jetë “ndërmjetësuese”. E “lehtësues” mund të jetë kush të dojë. Pastaj dialogu nuk nisi mes Kosovës dhe Serbisë, pos mes Beogradit e Prishtinës. Kjo prapë jo pa qëllim.

Sepse të gjithë e dinin se në dialog nuk po marrin pjesë kryetarët e këtyre dy kryeqyteteve (megjithëse në një moment kryetari i Prishtinës u bë edhe koordinator për dialog në emër të Kosovës, por ky ishte një episod i shkurtër dhe një eksperiment i pasuksesshëm). Qëllimi edhe këtu ishte për të dëshmuar se Kosova nuk është shtet. Delegacioni i Serbisë asnjëherë nuk thotë se po bën dialog me Kosovën, por vetëm me “palën tjetër” apo me “përfaqësuesit e organeve të përkohshme të vetëqeverisjes” ose me “përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës”. Tash kemi edhe terme të reja dhe rreth temave. Për shembull, po diskutohet për “aranzhimet për komunitetet joshumicë”, me çka Serbia pretendon të përfaqësojë në dialog të gjitha komunitetet e Kosovës që nuk janë shqiptare. BE-ja është shumë e përkushtuar për të pasur kujdes në emërtimet që përdor.

Sepse disa nga 5 shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën insistojnë se asnjë emërtim, i cili mund të implikojë se Kosova po trajtohet si shtet, nuk mund të kalojë në dokumentet e BE-së. Madje në një dokument ishte hequr termi “shtetasit” dhe u përdor ai “banorët”, sepse emërtimi “shtetas” do të mund të nënkuptonte se Kosova është shtet. NATO-ja është edhe më e prerë dhe shpesh edhe qesharake, madje ndaj Kosovës edhe fyese kur bëhet fjalë për kujdesin që të mos implikohet në asnjë mënyrë se Kosova është shtet. Kështu javën që shkoi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është takuar me Avdullah Hotin e Kosovës.

Në të njëjtën mënyrë më herët ishte takuar edhe me Hashim Thaçin e Kosovës, e një herë edhe me zotëri Isa Mustafën. Askund nuk ishte përmendur se kush ishin ata dhe në cilën cilësi shefi i aleancës më të fortë në botë fliste për situatën në Kosovë dhe rajon. Nga komunikatat e NATO-s fitohej përshtypja se këto ishin takime private me disa persona nga Kosova e jo përfaqësues të institucioneve shtetërore. Dhe këto nuk janë gjëra të rastësishme as nga BE-ja, as NATO-ja, e as nga dikush tjetër. Se çfarë simbolike dhe cilat emërtime do të përdoren, janë çështje politike të dorës së parë. Dhe naivë janë ata që nuk i kuptojnë e jo ata të cilët tërheqin vërejtjen se sa të rëndësishme janë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco