Avdullah Hoti, ‘lideri’ i munguar i kompromiseve të reja

Avdullah Hoti, ‘lideri’ i munguar i kompromiseve të reja

Nga Syri.net Kosova - 10/09/2020

Dhjetë vjet më herët Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me Rezolutë pranoi mendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Bashkimin Evropian mori autorizimin që të lehtësojë dialogun mes ‘palëve’. Përgjatë një dekade, autoritetet kosovare morën pjesë në dialog, duke dëshmuar thuajse të kundërtën e mendimit të GJND-së.

 

Pak ditë para këtij përvjetori të lartpërmendur, Kosova së bashku me Serbinë nënshkruan marrëveshje me SHBA-në, për normalizim ekonomik, me disa shtesa të tjera të befasishme, si Jerusalemi, Hezbollahu dhe homoseksualizmi.

 

Njohja nga Izraeli nuk ishte thjesht një dhuratë, por si kompensim për lëshimet e radhës nga ana e delegacionit të Kosovës, që hoqën dorë edhe nga termi ‘Republikë’ në dokumentin e nënshkruar. Me veprimin e tyre, ata i thanë Serbisë dhe ndërmjetësuesve, se janë të gatshëm të bëjnë koncesione, nëse vjen ndonjë njohje tjetër.

 

Para takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti përsëriste një refren të vetëm: Shkojmë për njohje reciproke. E kur nuk ndodhi, kreu i qeverisë kosovare, me qetësi paralajmëroi sërish marrëveshjen finale për njohje reciproke pas “hapit të madh”, më së largu deri në fund të këtij viti. Ai harroi se në marrëveshje ishte dakorduar që Kosova për një vit do të pezullojë çdo përpjekje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia nuk do të lobonte për çnjohje. Fundja, çfarë nevoje ka pala serbe të luftojë kundër Kosovës, kur vetë shteti ynë dorëzohet së paku për një vit..

 

Por, ky nuk ishte dorëzimi i vetëm. Hoti dhe rrethi i tij partiak, na kishin bombarduar me statusa kundër idesë së mini-shëngenit, një projekt që sipas tyre rikthente Jugosllavinë, faktorizonte Serbinë dhe margjinalizonte edhe më tej Republikën e Kosovës. E vërtetë. Megjithatë, kryeministri kosovar pa thënë asnjë gjysmë fjale nënshkruajti marrëveshjen ku Kosova bëhet pjesë e projektit serb, që mbështetet edhe nga Edi Rama, mik i Vuçiqit dhe mbështetës i planeve për ndarjen e territorit kosovar bashkë me nxitësin e flaktë të kësaj ideje, Hashim Thaçin.

Kur paraqitej në seancat parlamentare, Avdullah Hoti nervozohej shumë po t’i thoshte dikush se në dialogun me Serbinë, do të negociojë edhe për resurset e Kosovës. Gjithnjë, ai shfaqej kategorik në këtë pikë, duke u betuar se do ta përfillë vetëm Kushtetutën. Por, brenda Shtëpisë së Bardhë, kryeministri ynë kishte pësuar një metamorfozë të thellë. Dhe, si rrjedhojë, njëra pikë ishte për liqenin e Ujmanit, një pasuri e madhe e Kosovës. Çdo gjë rreth liqenit, mund të diskutohej në kuadër të konventave e ligjeve ndërkombëtare për ujrat. Hoti u dakordua që ta nxjerrë në tryezën e bisedimeve edhe Ujmanin pas studimit të fizibilitetit, për ndarjen e liqenit.

Askush nuk na garanton se nuk do ta bëjë të njëjtën marrëveshje edhe për Trepçën, edhe për Brezovicën apo asete të tjera të Kosovës, për të cilat Serbia gjithnjë ka pretendime. Jo rastësisht, menjëherë në Bruksel, krejt në mënyrë jotransparente, u hapën temat e rënda pronësore.

Ironikisht, Hoti mburret se e forcoi sovranitetin e Kosovës në këto manovra ku në  vend që të bëhej aktor, u shndërrua në një spektator.

Zotimet miliardëshe për investime në autostrada e hekurudha janë të mirëseardhura, por mungojnë afatet, mungojnë shifrat, mungojnë kontratat e shumëçka tjetër. Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme për të forcuar lidhjet mes njerëzve, bizneseve, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave e për punësime të reja. Dalja në det e Serbisë, natyrisht është diçka që nuk e ka në dorë Kosova, sepse fundja detin nuk e kemi.

Në aspektin ekonomik, marrëveshja nxit mundësi të reja serioze, por paqartësitë rreth mënyrës se si do të bëhen investimet  dhe mekanizmat mbikqyrës, i zbehin pritjet konkrete të njerëzve.

Qindra mijëra të papunë, presin më kot hapjen e vendeve të reja të punës, hapjen e fabrikave e bizneseve të tjera, në një mjedis të kontaminuar politik, me korrupsion të frikshëm dhe sistem të mjerë të sundimit të ligjit.

Në fakt, problemet reale për t’u adresuar janë pikërisht këto, por qeveritë respektive nuk mërziten shumë për këto çështje.

Pavarësisht të vërtetave që nuk mohohen dot për marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova nuk ka partner më të fuqishëm sesa SHBA-ja. Rezultati është si pasojë e një dialogimi të rrezikshëm nga Hashim Thaçi me homologun serb, që po e çonte vendin drejt ndarjes. Lajmi i shumëpritur ishte se nuk ka ndarje.

Hoti e ka të lehtë të mburret tash, se nuk kishte thika mbi hartë, por të gjithë e morën vesh më në fund, se jo thika, por shpatat mbi hartë qëndruan prej më shumë se dy vitesh.

Dy kryeministra që kishin legjitimitet, para ardhjes së Hotit në këtë pozitë, ranë për shkak të refuzimit të ‘thikave mbi hartë’. Së paku, kryeministri aktual ka mundur të përmbahet nga euforia e kuptueshme mediale e servilëve tij e të Thaçit&CO.

Pavarësisht, dobësive që po shfaq dhe paqëndrueshmërisë në temat serioze si njohja reciproke, mini-shëngeni, resurset strategjike, Avdullah Hoti, duket partneri pragmatik për ndërkombëtarët në rrugën drejt një marrëveshjeje finale. Me një Vetëvendosje në opozitë e çuditërisht të qetë, me një PDK që bën si opozitë, por vepron si të jetë në qeveri dhe partnerë koalicioni si AAK e Nisma, që me rëndësi e kanë hisen e pushtetit e jo interesin e shtetit, rruga drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, po trasohet kryesisht sipas synimeve të kësaj të fundit.

Bisedimet për Asociaconin, Ujmanin, pronat, komunitetet pakicë, janë të gjitha kërkesa të palës serbe. Delegacioni kosovar ka harruar të përmendë krimet dhe dëmet e luftës dhe paraluftës e plot brenga të tjera.

Me këtë parlament, Kosova po shkon drejt një marrëveshjeje tjetër të dhimbshme.

Nëse vendi nuk shkon në zgjedhje, për t’i dhënë legjitimitetin e nevojshëm qeverisë së ardhshme, lidershipi shtetëror aktual, mund t’i befasojë edhe vetë gjyqtarët e GJND-së dhe Asamblenë e OKB-së që votoi rezolutën ku mbështetet mendimi i Gjykatës se Kosova kishte të drejtë të shpallte pavarësinë....

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco