Ndoshta, edhe 'një dreq i madh, tjetër, është ende këtu!'

Ndoshta, edhe 'një dreq i madh, tjetër, është ende këtu!'

Nga Enver Morina - 05/08/2020

(Refleksion i vonuar për shkrimin “Ne jemi këtu a?!)

Nga udhëtimet në Turqi dhe sa herë rishkruhet historia e saj: Në mesvitet 70-ta të shekullit të kaluar, ishin nga të parat vizita që bëja në Turqi, në Ankara. Lagja “Demetevler” ishte “e varfër” dhe e sapourbanizuar. Lagjja tjetër “Gylveren”, në të cilën më parë kishin jetuar nipat, ishte me kilometra larg në anën tjetër të kryeqytetit. Qëndrimi në Ankara përherë ishte i tepërt! 

As sot nuk e di pse kam këtë ndjenjë. Edhe pse aty takova personalitete, si albanologun Nexhip Alpan, Nijazi Sulçen, Avni Çitakun, Mehmet Zeki, etj. Në vitet 70-ta e 80-ta lufta që e ashpër mes Demirelit dhe Exhevitit. Ankaraja nuk kishte ende metro. Udhëtimet bëheshin me kombibuset e njohur me emrin “dollmush”. Një mbrëmje më “zuri” ora policore. Një shqiptar i forcave të ushtrisë më bëri të mundshëm që të shpejtoj dhe të arrij në “Demetevler”. 

 

Përherë gjatë udhëtimeve kam marr harta.Shkoja me Nënën dhe motren në Ankara. Ishte viti 1992. Në hyrje të kryeqytetit, në vend që t’i thosha që të më ndaloj tek parku zoologjik, i thashë të më ndaloj tek ajo kafsha, themeluesi i Turqisë moderne: Hajvanllari Ataturk! Pashë fytyrat e mvrejtura të udhëtarëve. Kur pak çaste më pas ju tregova nipave “ngatërresën time”. U çuditen se si nuk e kam pësuar. Megjithatë u mirëkuptuan nga shoferi kur mësoi që unë isha nga Kosova. Historia ime me Ankaranë do bëhet edhe më e afërt pasi punova disa muaj si dekorues-ngjyrosës (moler). Në vitin 1992 takova poashtu për herë të parë shkrimtarin Skënder Drini, i cili ishte emëruar ambasador i Shqipërisë atje.
Për Stamboll duhet folur gjatë. Takimet me Qamil Bytyqin, Enver Talin, Fadil Vokrrin sa luante në Fenerbahçe, Haxhi Gashin e Gremnikut, etj. etj. dëshira për ta takuar shkrimtarin turk Jashar Kemal, pamundësia për ta takuar veprimtarin Hysen Tërpezën, etj. etj. nuk më kanë penguar që të vizitoj dhjetëra herë monumentet e pashterrshme të Stambollit. Përkundrazi. 
Edhe në kohën e shkrimit te Teki Dërvishit për turqit dhe grekët. Këta çilimijtë analista të sotëm me gjak e “fe dardane” as dramaturgun e madh nuk e rilexojnë, por as që e kujtojnë me atë herezinë e tij palimpsest për një dramë tjetër me maska mes orientit dhe oksidentit. Stambolli, një qytet që lidh kontinentet. Një qytet që ndërlidh perandoritë. Një qytet që lidh detëra. Një qytet që lidh qytetërime. Një qytet që ndërlidh dy fetë e mëdha: krishtërimin dhe islamin. 

Një qytet njëzetmilionesh. Këto ditë thuhet dhe shkruhet për xhami-kishë muze, të njohuren Aja Sofija e cila është rikthyer në xhami “të pastër” në të cilën mund të kryejnë ritualin e faljes të besimit mysliman. Duhet të kthehemi te filmi “Fetih 1453” i cili është prezantuar edhe në kinema “ABC” në Prishtinë si shfaqje e “mbyllur”. Turqia është një vend në zhvillim. Pas vitit 2023 do të “ndryshojnë” në themel edhe kompromiset e njëqindviteshit të fudit. Turqia ka pasur vetëm një urë mbi Bosfor. Tash ka tri ura. Ndërtoj aeroportin më të madh në botë. Pastaj bëri lidhjet me metro nën ngushticën e Bosforit. Realizon seriale të panumërta. 

Është një shtet i fuqishëm ushtarak jo vetëm në Ballkan, etj. Erdogan në vitin 2017 në një referendum “kushtetues e qeverisës” humbi disa nga qytetet kryesore në Turqi. Po ato ditë isha në Ankara. Vizitova burgun famëkeq te Ankarasë në të cilin ishin përsekutuar intelektual e mendje të ndritura turke, si shkrimtarë, regjizorë. Filmin “Rruga” e kam parë për herë të parë në RTP, që krejt vonë tash së fundi të jetë i lejuar të shfaqet edhe në Turqi. Më shkon mendja tek ish-fabrika e amortizatorëve në Prishtinë. Na ishte njëherë! Dhe, kurrë nuk do jetë më! 

Nga “Identiteti si rr’nim dhe fragmentarizmi i realitetit”: Në Klinë e rrethinë përveç syzheut të bashkimit të 3-4 lumenjve në rrjedhën e përtej Drinit të Bardhë me Drinin e Zi, në oda dhe në raste të veçanta rrëfehet rr’nimi (në kuptimin e rrnesës si ekzistencë dhe rr’nimit si shkatërrim). Paria e atëhershme e mendjes me Ramadan Shabanin, e njohur nga Kijeva, thuhet se e ka përcaktuar fatin e reflektimit në të sotmen si mesazh që vjen nga e kaluara, edhe e afërme. Dhe kanë thënë në trinomin e familjeve e “fiseve”, se: Demush Preka i Ujmirit do të shpëtojë me mall e me kry, Adem Dushit malli ka me i shku, e kryet ka me i pshtu dhe T'bijtë e Sadri Hotëve të Jashanicës kanë me shkue me mallë e me kry. Familja dhe meshkujt e TË PARIT kanë punuar dhe janë pasuruar me djersë, TË DYTËT kanë falur pasuri për të varfrit dhe TË TRETËT pasurinë e fituan me plaçkë dhe punën e bënë me dhunë. Peshqit e mëdhenj po u rritkan edhe nëpër lumenj!

Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë është rikthyer në pallat banimi dhe kulture pas luftës së fundit. Kjo është trashëgimia moderne dhe kultura e identiteti tonë të dijetarëve të pasluftës. Intelektualët e Klinës dhe të gjithë ata që jetojnë në të dy anët e Drinit të Bardhë asnjëherë nuk protestuan për këtë objekt të prishur, aty ku ka interpretuar edhe Ndrek Luca, mysafirë me shfaqjen “Baca i Gjetajve”. Në një pllakat të asaj shtëpie ka mundur të shkruhet emri i tij dhe shumë emra të artit e të kulturës, që kanë nderuar publikun me veprat e tyre. Nëse ndodh kjo në objektin e ri “burg” kjo do ishte një marrëzi moderne. Dhe Ne duhet të merremi me Aja Sofinë! 

Një lutje kam për analistat e sotëm të kohës së pandemisë, që flasin për “Shkup e Shkodër” lexojeni veprën e francezit Mathias Énard “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”. Pastaj mos e fyeni liderin, pse ai ka vizituar varrin e Sami Frashërit në Stamboll. Kam shpresë që kryeministri, në bashkëpunim me mediat e “pashkruara” të vizitojnë një nga fshatërat e braktisura te Përmetit. Tregimet e të tjerëve mund të jenë për Vatikan, Moskë a për Boston. Si ta vizitosh kishën ortodokse autoqefale shqiptare në Amerikë e cila udhëhiqet nga At Arthur Liolin, pa vizituar Amerikën?! Dhe Ne flasim edhe për këtë. Megjithatë vizita tek At Nikolla Marku, prifti i kishës ortodokse “Shën Mëria” në Elbasan, bëhet më kuptimplotë, pas këshillave te aktorit Demir Hyskja, tashmë të ndjerë. 

Së fundi i besoj vetëm një gjëje: parapërgatitjet që po bëjnë linguistët dhe semiologët më të njohur të çarkut të Prishtinës, që nga data 20 deri me 25 nëntor 2022 do të mbajnë Kongresin e parë dhe të fundit të Drejtshkrimit dhe të Drejtshqiptimit të Gjuhës “Kosovare” vendime të të cilit do të hyjnë në fuqi menjëherë pas shpalljes së Dytë të Pavarësisë të Republikës së Kosovës. Nuk do jenë pjesmarrës profitër por emrat e tyre do të nderojnë gjuhën, kulturën dhe civilizimin dardano-kosovar nëpër të gjitha televizionet e Tiranës, duke u nisur nga këngëtaret e njohura të pik’ditës së nxehtë, e herë-herë duke ngatërruar me thëniet e politikanëve e kryeagjentëve, si me atë thënien e Rr. M., si thonë disa gazetarë “me nam” dhe që, si shkruajnë disa portale “e tërboj” rrjetin social: “Një dreq i madh është këtu!” Herën e fundit kur kam vizituar Stambollin kam vizituar “Muzeun e Pafajësisë”, disa kisha në Stamboll dhe kam udhëtuar duke kaluar nga Perëndimi në Lindje më tren nën ujë e nën tokë. Dhe anasjelltas me anije. Disa oxhaqe të larta ende ekzistojnë në qendër të Prishtinës, si skelete të bukura për të kujtuar qytetin që frymonte pastër! Nuk e kujtoj dot një kilometër, rrugë dy kilometra nga qendra e Prishtinës që ka 10 vite që punojnë dhe ende nuk janë afër ta përfundojnë. Është rruga “Hazir Shala”, lagjja “Kalabria” në Prishtinë. Dhjetë vjet duke punuar për një kilometër dhe ende kur bie shi bëhet baltë! 

Nga Analogjitë e papërgënjështruara: Shpërfytyrimi analog i emërzimit: “... qëllimi për ta asgjësuar të kaluarën- në mënyrë paradoksale,- është një nga provat se e kaluara është e pashkatërrueshme; herët a vonë të gjitha gjërat kthehen, dhe njëra nga gjërat që kthehen është përpjekje për ta asgjësuar të shkuarën.”, shkruan Borgesi në një nga inkuzicionet filozofike të tij me titull “Nathaniel Hawthorne”. 

Nëse emri i vërtetë i qytetit të Romës është i fshehtë dhe çdo përpjekje për ta zbuluar në kohërat më të hershme ka dërguar në ekzekutim, sot tashmë jo vetëm se nuk është sakrilegj, por edhe konsiderohet mendjemadhësi, krenari. Derisa në Egjiptin e lashtë çdo person merrte dy emra, ka raste ndonjëherë që ta shpërfytyrojnë emrin dhe mbiemrin. Dikur kanë thënë, sikur në një varg të Borges, se “i egri e fsheh emrin e vet”. 

Goethe punoi plot 59 vite në krijimin e “Faust”- it. Vetëm disa çaste u desh të flijohen për atdhe 59 luftëtarë dhe të rivarrosen me nguti në kodrinën e Polacit. Zilia dhe inatet e klasikëve ndaj Dezdemonës së Shekspirit mund të hetohen në raportet e vashave të ushtarakëve të shumëngjyrtë në Kosovën tonë, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë? Më gjerësisht pastrojini mëkatet në ditën e protestave për të drejtën e autorit tashmë të vdekur…

Mbesa më dhuroj “Teksti i dramatizuar”. Kishte kuptim sepse kishte “Krijuesi i Miteve” një ese për krijimtarinë letrare te Borges-it, në kohën kur ende asnjë vepër e shkrimtarit argjentinas nuk ishte përkthyer e botuar në shqip! Fëmijët një “iPhone”. Të shohim se çfarë do më dhurojnë Ata që kam përkrahur që 30 vite në shtetin pluralist! E sidomos Ata të këtyre 12 viteve të Republikës që i votova! Vetëm një herë vota u konsiderua e pavlefshme, atëherë kur adhuroja njeriun më të fuqishëm të politikës “moderne” shqiptare. Sa për shkrimin “Gllareva, Kosova, NATO”, shkruar e botuar 22 vite më parë në 33 vjetorin e lindjes, shpresoj që në 66 vjetorin e lindjes, atëherë kur do filloj punë, pas shpalljes së Dytë të Pavarësisë së Republikës, të duket më i vrazhdët për focat ushtarake të KFOR-it. E sidomos për “pronarin” e “Film City” në Arbëri, i cili do të kthehet në hapësirë për një xhami myslimane, katedrale katolike dhe manastir ortodoks. E sidomos për “pronarin” e “Film City” në Arbëri, i cili do të kthehet në hapësirë për një xhami myslimane (Hoxha), katedrale katolike (Prifti), teçe bektashian (Shehu) dhe manastir ortodoks (Popi). Të katër mbiemrat i kemi në gjuhën shqipe! Edhe personalitete të njohura në kinematografinë shqiptare, si Bashkim Hoxha, Vladimir Prifti-Ladi, Hadi Shehu dhe Mihal Popi.

Nuk e kapërcej dot Përmetin (Shqipëri), Prizrenin (Kosovë) a Prokupljen (Sërbi). Sa herë kam shkuar me autobus në Stamboll, sa hapësira të bukura ishin përgjatë rrugës Kurshumli-Prokuplje-Nish. Gjyshërit kishin jetuar në ato troje. Sa herë shkoj në Prizren qyteti më grihet si copa akulli njëqind e pesëdhjetë vjet më parë. Kur vizitova Përmetin, qytetin e luleve, mall kisha për familjen Frashëri. Njërin nga vëllezërit e takova në Prizren. Tjetrin e gjeta në libraritë më të njohura të Ankarasë. Dhe të mesmin e kujtoja nëpër malësinë dhe fushat përreth Naissus. Asnjëri nuk mbërriti moshën time 55 vjeçare jetë! 

Miku im i mirë, Z. H. më flet pa kompromis për triptikun e “Gj”-së. Thellësisht me maturi dhe elegancë shkencore që të bind për etnicitetin dhe identitetin: Është Gjuha e Gjini i Nanës dhe Gjaku i Babës. Dhe përfundon me lutjen “Mos vdeksha pa i pa në shqip të plota prozën e Borhes!”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco