Ambicie e paskrupullt

Ambicie e paskrupullt

Nga Flaka Surroi - 02/08/2020

Kjo qeveri do të duhej të jepte dorëheqje për 31 viktimat e dy ditëve të fundit. Për 197 viktimat e dy muajve të pushtetit të saj, që i përfshijnë katër apo pesë që mbetën pa oksigjen e edhe një fëmijë 13 vjeç. Për shkak se paaftësia e saj dhe përqendrimi në shumë gjëra sekondare, në vend të asaj që ka të bëjë me jetën tonë, na kanë sjellë në gjendjen më të keqe edhe fizike e edhe psikike që kemi përjetuar që prej luftës.

Shumë kisha shpresë se nuk do të vinim te pika kur do të duhej raportuar vdekjet dyshifrore shkaktuar nga COVID-i. Shpresa m'u venit para dy ditësh dhe u shua fare që dje, kur sërish shifra qe dyshifrore. Për dy ditë, 31 veta vdiqën nga virusi, të cilin, besojeni ose jo, ende ka njerëz që e shohin si shpikje të dikujt për të bërë zarar. Si një rrenë për hesapin e dikujt ende të paidentifikuar, si një luftë speciale të dikujt për nuk e di çfarë qëllimi.

E problemi ynë është se na ndodhi shpërthimi i madh i epidemisë në kohën kur vetes ia bëmë qejfin se i kishim gjërat nën kontroll. Atëherë kur vepruam asisoj që më parë u dhamë përparësi planeve të fshehta të një njeriu ambicioz që e gjeti një parti patericë për ta rrëzuar një qeveri, që brenda të gjitha kufizimeve që kishte, ia doli t'i mbante numrat nën kontroll. Për më tepër, bëhej fjalë për patericën e cila tashmë ishte pjesë e pushtetit, me numra thuajse të barabartë në qeveri dhe me shumë peshë në vendimmarrje.Por jo, ambicia pa asnjë skrupull të vetëm për një popull të papjekur sikurse jemi ne, ishte më e fuqishme madje se edhe shëndeti ynë. Se jeta jonë.

Kaos

Tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit. Fakti se testimi u bëhet, nominalisht, vetëm njerëzve me simptoma, tregon se virusi është përhapur gjithandej Kosovës. Natyrshëm, ai do të bartet edhe në cilindo shtet që kosovarët me edhe një shtetësi evropiane mund të shkojnë. Do të bartet edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi, ku kosovarët shkojnë masivisht në verime, e më pas edhe do të kthehet në Kosovë me numra më të mëdhenj.

Masat e reja të Qeverisë, që dolën me një varg alogjizmash e gabimesh, nuk është se do të sjellin ndonjë ndryshim të madh. Në vend se të kufizohet plotësisht veprimtaria e gastronomisë, e cila nuk i ka respektuar kushtet nën të cilat është hapur, pas presionit që e bënë gastronomët, orari i punës u shtua edhe për një orë e gjysmë. Nga ana tjetër, u mor vendimi që të mos lejohet grumbullimi nëpër kisha e xhamia, dhe u tha që të mos falej Bajrami i vogël, ndërkohë që BIK-u kishte vendosur që, megjithatë, ta falte atë. Pas njoftimit për vdekjen e 16 njerëzve të enjten, BIK-u megjithatë hoqi dorë nga falja, kurse kryeministri shkoi dhe iu falënderua Myftiut.

Kur e merr një vendim ekzekutiv, supozohet se e bën për ta zbatuar, e jo për t’ia lënë në interpretim të lirë gjithsecilit, pavarësisht postit që mban, ngase kështu dëshmon se nuk ke as pushtet, e as shtet.

Shëtitjet e ministrit të Shëndetësisë nëpër spitalet rajonale janë më shumë pallavra politike sesa që janë zgjidhje për problemet, tash akute, e që rrjedhin nga problemi kronik i shëndetësisë së shtrirë përtokë, për shkak se që nga fillimi ishte parë si burim i mirë për të fituar para me tenderë sesa për t'u kujdesur për shëndetin e popullatës. Përcjellja mediale ngado që shkon nuk na bën mirë fare: është njeri që nuk rrezaton as autoritet, e as dije për t'u marrë me një pandemi të cilën partia e tij e solli në këtë pikë, për shkak se deshi ta merrte pushtetin për vete e ta eliminonte partnerin paraprak.

Edhe më shumë huti po shkaktojnë statuset në FB të kryetarit të Komunës së Prishtinës, i cili flet për testet serologjike thuajse është ekspert. Tregon për rezultate të një testi, i cili ka probabilitet të lartë të huqjes së rezultatit, thuajse me këtë do ta zgjidhim problemin. Supozohet se kur edhe dalin antitrupat, dhe mjekët konstatojnë se e ke pasur ose ende e ke virusin, ti duhet të vetizolohesh. Porse nuk ekziston asnjë mekanizëm i vetëm që siguron se këta njerëz vërtet po rrinë në shtëpi. E se nuk po rrinë, e tregojnë rrugët e vërshuara me njerëz dhe puna e kafeneve edhe pas orës 22:30 nëpër disa zona të qytetit.

Larja dhe dezinfektimi i rrugëve ndodhën javën e shkuar, por që nga muaji mars nuk është bërë dezinfektimi i ndërtesave të banimit, e do të duhej, se nuk është punë që nuk bëhet. Dhe në këtë situatë, me gjithë këta njerëz të pandërgjegjshëm, shndërrohet në obligimin e Komunës që të kujdeset për shëndetin e banorëve të vet.

Ekonomia që nuk është

Njëra nga arsyet kryesore se pse u përshpejtua hapja pas mbylljes thuajse dymujore qe edhe ekonomia. Presioni që të hapeshin uzinat dhe që të vazhdohej me punë publike dhe me ndërtimtari - ai pak "prodhim" që e kemi, ishte i madh, sepse nuk kishte shtet të ndërgjegjshëm që do t'i detyronte njerëzit të punonin në numra të zvogëluar dhe të siguronte përkrahje financiare nga shteti.

Për këtë qeveri më me rëndësi ishte që në buxhetin e rishikuar të përfshiheshin investimet kapitale, që në rastin e Kosovës përherë kanë të bëjnë me rrugë të shtrenjta sesa të punohet në pakon e rimëkëmbjes ekonomike me tipare të emergjencës. Të kota ishin kërkesat që bizneseve t'u ndihmohej edhe me pezullimin ose edhe heqjen e një pjese të tatimeve, apo edhe me ofrimin e kredive me kushte të volitshme financiare, e jo me kamata fajdexhinjsh me letra. E shteti nuk e di, sepse nuk do, se të marrësh kredi në kohë pandemie është art më vete dhe, besa-besa, edhe lotari. Për shkak se shteti ynë nuk mund të shërbejë si garantues për asgjë, sepse është thuajse i bankrotuar.

Kuvendi na çau kokat nja një muaj duke u marrë me rishikimin e buxhetit, dhe ajo që ra në sy më shumë se çfarëdo tjetër qe buxheti i siguruar për rastet që do të trajtohen në Speciale, pra nja 16 milionë e fiu euro të taksapaguesve që do të shkojnë tek avokatët e shtrenjtë ndërkombëtarë që nuk u nënshtrohen tarifave të avokatëve kosovarë, por i kanë tarifat e tyre individuale - në kushtet kur asnjë aktakuzë nuk është ngritur ende. Shtoja kësaj edhe udhëzimin administrativ të ministrit të Drejtësisë që nuk ka as afat, as kufizim shpenzimesh, dhe do të kuptojmë se kjo do të jetë zhvatja e radhës që do t'i bëhet buxhetit të Kosovës.

Mbase, më në fund, në gusht do t'i marrim ndihmat për muajin prill, që do të shërbejnë për t'i larë obligimet ndaj administratës tatimore, nga e cila do të shkojnë paratë për projektet për hava të kësaj qeverie. Buxheti ambicioz 2.6- miliardësh momentalisht është i shkurtër për nja 800 milionë euro, që një zot e di prej nga do t'i marrin, nëse i marrin. E nëse nuk i marrin, kjo do të thotë sërish se paraja do të shpenzohet aty ku dihet, se dikush do t'ia shohë hairin, e jo në përkrahjen e popullatës, që sërish do të mbijetojë falë dërgesave nga diaspora, që nuk janë ndalur.

Dialogu i fshehtë

Dhe përderisa në Kuvend fyhen e sulmohen ata që supozohet se na i përfaqësojnë interesat, në Bruksel po vazhdojnë takimet e në Uashington do të ndodhin konsultimet në lidhje me procesin negociator, që supozohet se duhet të na e sjellë njohjen e ndërsjellë.

Është për t’u vajtuar vendimi i kryeministrit për t'ia deleguar Skënder Hysenit detyrën e negociimit. Po e përjetojmë një deja vu - kohën kur Edita Tahiri e kryente detyrën e njëjtë, edhe pse mbante titull tjetër, në emër të Thaçit.

Si atëherë, e edhe këtë herë, kurrkush nuk di se për çfarë po flitet, e as nuk dihet se me çfarë platforme u hyhet këtyre bisedave. Njësoj sikur edhe atëherë mungon konsensusi i gjerë politik dhe mbi të gjitha mungon informimi i duhur në Kuvend. Është shumë absurde që Hoti të dalë e të flasë për çfarëdo në lidhje me dialogun, kur atë nuk e zhvillon vetë. Për më tepër, kur nuk e di se çfarë në fakt flitet aty në ato takime.

Është për të ardhur keq që në këtë situatë aq të keqe shëndetësore në vend, preokupimi i kësaj qeverie është si ta shfrytëzojë maksimalisht kohën në pushtet për interesa të partive të ndryshme politike që e kanë mbajtur pushtetin disa herë në 20 vjetët e fundit dhe t'i sulet sërish një dialogu që nuk ka as kokë, as përmbajtje. Ka vetëm fshehtësi dhe taktikën që e zbaton është ajo e qitjes para aktit të kryer.

Paramendojeni se si do të ishte po qe se edhe Hyseni do të na dilte me një marrëveshje sikur kishte bërë Thaçi para shtatë vjetësh, e që ajo të jetë tërësisht kundërkushtetuese, por që në mesin e deputetëve të gjendej numri i mjaftueshëm i votuesve për ta ratifikuar atë, për shkak se "Amerika thotë se do ta tërheqë përkrahjen nëse nuk e votojmë". Këtë film, së fundi e kemi parë kur u rrëzua qeveria në mes të pandemisë. Rezultati: prejse ka ardhur në pushtet kjo qeveri, Kosova ka regjistruar 7,207 raste me COVID dhe 197 vdekje. Dhe sipas njohësve, ky trend do të shkojë në rritje gjatë gushtit, sepse ne ende mendojmë se është më mirë të shkojmë në det e të dalim në qendra tregtare e kafene sesa të mbyllemi sërish në shtëpi - për zor, se jo për qejf.

* * *

Sa herë që formohej një qeveri e re, thosha me vete se nuk e besoj se mund të jetë më zi seç e kemi pasur deri tash. Shumë gabim e paskam pasur, dhe me gjasë do të vazhdoj ta kem keq, përderisa skena politike e Kosovës udhëhiqet nga njerëz ambiciozë, të pacipë dhe të paskrupullt. Në rastin e LDK-së, ndryshimi në sjelljen e udhëheqësve të saj ishte aq radikal, saqë dëshmon një hipokrizi që vështirë kapërdihet. Ndryshimi i diskursit brenda natës tregoi se nuk ndodhte kjo për shkak se ia donin të mirën Kosovës, por vetvetes.Dhe aq të pasigurt tregoheshin për vendimet që i merrnin, sa kishin nevojë që secilën ditë, shefi i tyre i partisë, i shquar për cinizëm, t'u shkruante nga një status në FB për t'iu dhënë kurajë. Epitetet: qeveri e mrekullueshme, profesionale, akademike, etj., etj., shfrytëzoheshin si perde për ta kamufluar natyrën e vërtetë të gjithë këtyre profesionistëve akademikë të mrekullueshëm. Të tillë që nuk ndalen vetëm tek arroganca, por iu rreken edhe sulmeve fizike për ta bërë "të qartë" qëndrimin e tyre.

Kjo qeveri do të duhej të jepte dorëheqje për 31 viktimat e dy ditëve të fundit; për 197 viktimat e dy muajve të pushtetit të saj, që i përfshijnë katër që mbetën pa oksigjen e edhe një fëmijë 13 vjeç. Për shkak se paaftësia e saj dhe përqendrimi në shumë gjëra sekondare, në vend të asaj që ka të bëjë me jetën tonë, na kanë sjellë në gjendjen më të keqe edhe fizike e edhe psikike që kemi përjetuar që prej luftës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco