Debatet e shpifura dhe analistët mediokër

Debatet e shpifura dhe analistët mediokër

Nga Bajram Mjeku - 03/07/2020

Kanë kaluar më shumë se dy vite, që kur kam hequr dorë nga të ashtuquajturat debate televizive nga dhjetëra të ashtuquajtur analistë kosovarë, të cilët me orë të tëra dhe çdo mbrëmje, terrorizojnë publikun kosovar me intriga e gënjeshtra të dëgjuara ditën nëpër kafenetë e Prishtinës dhe të servuara marrëzisht çdo mbrëmje në televizionet nacionale.
Për secilin medium televiziv që pretendon të jetë nacional, debatet e këtilla me analistë të shpifur janë të papranueshme, aq më shumë kur faqe botës dihet se ose janë privilegjuar nga ndonjë grup interesi apo ndonjë parti politike ata dhe familjarët e tyre, ose ia kanë shitur shpirtin djallit për një grusht para.
Janë edhe më të papranueshme këto situata, derisa Kosova si asnjëherë tjetër ka nevojë për debate serioze nga ato pak personalitete, të cilët fundja e kanë ruajtur pak integritet para publikut kosovar, aq më shumë në kohën kur Kosova po përballet me presion ndërkombëtar për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Gazetaria ka standarde profesionale të provuara moti dhe unë po i sjell dy shembuj; njërin nga Shtetet e Bashkuara dhe tjetrin nga Kontinenti i Vjetër. Asnjë medium serioz nuk lejon që një medium t’i jep liri një gazetari, apo disa analistëve të bëjnë “atentate” politike në një studio televizive, pa qenë i pranishëm në vend të ngjarjes. Vetëm dy personalitete të shquara të gazetarisë botërore e kanë gëzuar një privilegj të këtillë. Është fjala për gazetarin amerikan, James Graff i prestigjiozes The Times, i cili që në fillim të viteve nëntëdhjetë paralajmëronte Millosheviqin “kasap të Ballkanit”. Këtë paralajmërim të së keqes e pati bërë edhe kolegu i tij gjermani Viktor Meier, në prestigjiozen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Meierin shqiptarët e kujtojnë si gardianin e Kosovës evropiane dhe kritik të rreptë të strategjisë serbomadhe. Para se të bënte një paralajmërim të këtillë për tiranin serb, Meier e kishte eksploruar skenën politike kosovare që nga shpërthimi i demonstratave në vitin 1968 në Prishtinë, më saktë tre dekada me radhë nën regjimin komunist jugosllav.

Foto: Gazetari i ndjerë, Viktor Meier i prestigjiozes gjermane FAZ

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco