Të tallur qytetarë, urime qeveria Thaçi IV

Të tallur qytetarë, urime qeveria Thaçi IV

Nga Syri.net Kosova - 29/05/2020

Më në fund edhe kjo pjesë e këtij puzzle tipik kosovar, u vendos aty ku e kishin planifikuar kartelet e politikës sonë. Një skenar, me gjasë, i stisur deri në detaje nga autorët e tij.

Këto dy dekada, Kosovën e kanë bashkëqeverisur dy parti, PDK e LDK, ndërsa kanë kafshur ndonjë thelë edhe disa partiçka të tjera. Asgjë nuk ka ndodhur pa bekimin e zyrave partiake dhe ‘aminin’ e liderëve. Ndikimi i tyre, nuk ka mundur ta lërë jashtë vëmendjes, një mekanizëm kaq me peshë si Gjykata Kushtetuese.

Fare pak media, u morën me biografitë e gjyqtarëve që vendosën edhe në rastin e dekretit të presidentit, të kontestuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Zgjedhja e tyre është bërë bazuar në pazaret e PDK-së dhe LDK-së, dy parti që e kanë dominuar skenën politike deri me 6 tetor 2019. Fitorja e VV-së, ua prishi matematikat, por jo të gjitha.

Shumëkush ka pyetur me të drejtë, se si shpjegohet që për katër muaj, VV e LDK mezi arritën ta formonin koalicionin e paralajmëruar në fushatë e para saj, ndërsa pas rrëzimit të qeverisë, LDK me PAN-in u dakorduan rrufeshëm për ekzekutivin e ri…

Prapaskenat janë qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për LDK-në, kjo ishte forma e vetme që ta mundë në tavolinë Albin Kurtin. Por, pa Hashim Thaçin, asgjë nuk mund të bëhet në Kosovë. Ende jo. Së pari duhej bërë kryeministër Albini, për të ardhur më pas te rrëzimi. Alibinë e krijuan lehtësisht. Antiamerikanizmi, bolshevizmi,taksa, reciprociteti…

Isa Mustafa, një komunist i regjur e minonte rregullisht që në orët e para, qeverinë e formuar me VV-në. E instaloi aty Avdullah Hotin, i cili duke e pasur zotimin se do ia zërë vendin Kurtit një ditë, përveshi mëngët dhe në zbehtësinë e tij, u stërmundua që ta sulmonte pandalshëm kryeministrin.

Gjykata e komanduar nga zyrat e politikës, tha se presidenti kishte të drejtë, në çdo pikë e presje, që t’ia rrëmbejë mandatarin fituesit të zgjedhjeve e t’ia japë pazarxhiut më të zotë. Gjykata nuk tha asgjë sa i përket vullnetit të sovranit të shprehur në zgjedhje.

Kryeministri në ardhje, mezi mori 20 mijë vota. Nuk e votuan as në katundin e tij. Kryeministri në shkuarje, fitoi rreth dyqind mijë vota, si lider i partisë fituese.

Në vitin 2014, Gjykata tha se vetëm fituesi i zgjedhjeve e ka të drejtën ekskluzive të formimit të qeverisë në dy raunde, ndërsa nuk caktoi afat kohor brenda së cilit mund të ndodhte ky proces. Gjykata tha se e drejta ekskluzive për postin e kryeparlamentarit i takon fituesit të zgjedhjeve, në atë kohë PDK-së. Pas gjashtë muajsh, Isa Mustafa u bë kryeministër e Thaçi zëvendës i tij, për t’u zgjedhur më pas president. De jure, njihej si qeveria Mustafa, de facto ishte qeveria Thaçi III.

Në vitin 2020, Gjykata na tha se është përgjegjësi dhe privilegj mandatimi i kryeministrit!!!Përgjigja që kërkohej nuk ishte shpjegim moral, por se a mund të mandatohet kandidati i partisë humbëse, nëse fituesi nuk e ka refuzuar mandatin , ndërsa Kushtetuta është e heshtur sa i takon afateve për ta dërguar emrin e kandidatit për kryeministër?  Gjykata, për dallim nga viti 2014, kësaj here na tha se afatin e përcakton presidenti. Në të vetmin nen ku flitet për mocionin e mosbesimit, presidentit i garantohet qartazi me Kushtetutë, shpërndarja e parlamentit si mundësi. Gjykata tha që edhe mundet, por në fakt nuk mundet pa mbështetjen e Kuvendit.

Gjykata “harroi” se e “drejta ekskluzive e kryeparlamentarit” tani është devijuar, pasi partia që humbi zgjedhjet me këtë manovër , po e fiton edhe kryeministrin, ndërsa e ka edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërsa fituesi po mbetet me gishta në gojë.

Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese, vendosi një normë përmbi normë, për ta përligjur një puç në demokracinë  e brishtë kosovare. Në vitin 2014 të fituarit nga vendimi i Gjykatës ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Sërish, pas gjashtë vjetësh, janë përfitues të njëjtit.

Precedenti i krijuar, e godet në themel rëndësinë e votës së lirë dhe e zhvlerëson në mënyrë dramatike procesin zgjedhor. Ti e voton Albin Kurtin apo Vjosa Osmanin për kryeministre, por pasi bëhet qeveria, pazarxhinjtë e partive në krye me kryepazarxhiun e Kosovës, presidentin aktual, e rrëzojnë atë dhe e nxjerrin në skenë një kryeministër që u konvenon. E ndajnë pushtetin e tenderët, e kështu zhvatja vazhdon, populli dëshpërohet e emigron, ndërsa klientela politike e kartelet partiake biznesore, mbushin xhepat mbi kurrizin e kosovarëve.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës është i paapelueshëm. Disa po bëjnë thirrje që të respektohet dhe të vazhdojë jeta normalisht. Vërtet? Të pajtohemi që fryma e ndryshimit e shprehur me votë me 6 tetor të vitit të kaluar, mori fund dhe të themi që deputetët që u zgjodhën përfaqësues të popullit për ta jetësuar këtë ndryshim, bënë mirë që e tradhtuan sovranin?

Avdullah Hoti mund të jetë duke festuar që ëndrra e tij kryeministrore po realizohet. Por, edhe ai është i vetëdijshëm, se de jure mund të quhet qeveria Hoti, por de facto, kjo që po vjen, është qeveria Thaçi IV.

Nëse dikush mendon se beteja politike përfundoi deri në zgjedhjet e ardhshme pas më shumë se tre vjetësh, e ka gabim. Lufta e vërtetë sapo ka nisur mes regjimit të vjetër dhe shoqërisë së etur për drejtësi e barazi, sundim të ligjit e zhvillim.

Kosova, sapo ka hyrë në fazën më të ndjeshme të historisë së pasluftës. Nuk mund t’i nënshtrohet një popull në njeriu që po e mban peng ndryshimin.

Hashim Thaçi sillet si kryeprokuror, si kryegjykatës, kryeministër, kryespiun,kryeshef ekzekutiv, kryeredaktor, kryemjek…

Gjykata vërtet e “zbuloi” atë pjesën e mungur të këtij puzzle kosovar. Por, ka mbetur edhe një pjesë që ende nuk është vendosur. Për fat të mirë, njerëzit e këtij vendi, e kanë në dorë finalen e vërtetë.

E treguan me 6 tetor se janë të vetëdijshëm dhe e mbështesin ndryshimin. Në kaq pak muaj, me siguri janë bindur edhe më shumë, se sa të drejtë kishin në verdiktin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco