Bukuria e trishtë e Kosovës

Bukuria e trishtë e Kosovës

Nga Asdren Rrahmani - 29/05/2020

Ashtu siç di natyra t’i mbrojë dhe t’i kamuflojë gjërat e bukura, siç është p.sh. trëndafili me gjembat e tij, siç është margaritari brenda në guacën e fortë, siç është guri i çmuar diku thellë nën tokë, ashtu edhe ky mot i bukur është i rrethuar me pandeminë e COVID-19, e cila ende po mbretëron, me numrin e madh të viktimave që kjo sëmundje ka shkaktuar, si dhe pasojat e mëdha ekonomike të cilave ende nuk do t’iu dihet dëmi saktësisht

Edhe një mëngjes i bukur sapo gdhiu në kryeqytetin e ishullit në të cilin unë jetoj. Nëse është vetëm një gjë e bukur për të cilën do të mund të flisnim në këtë kohë pa kohë, do të ishte tema e motit të bukur dhe temperaturave verore në muajin maj.

Ashtu siç di natyra t’i mbrojë dhe kamuflojë gjërat e bukura, siç është p.sh. trëndafili me gjembat e tij, siç është margaritari brenda në guacën e fortë, siç është guri i çmuar diku thellë nën tokë, ashtu edhe ky mot i bukur është i rrethuar me pandeminë e COVID-19, e cila ende po mbretëron, numri i madh i viktimave që kjo sëmundje ka shkaktuar, si dhe pasojat e mëdha ekonomike të cilave ende nuk do t’iu dihet dëmi saktësisht.

Dëshiroj që për Ditarin tim ta bëj të njëjtën analogji me gjendjen në Kosovë, mirëpo atje moti nuk po mban i bukur dhe është shumë i ndryshueshëm nga çasti në çast, pandemia fatmirësisht në Kosovë u menaxhua mjaft mirë dhe pasojat e saj me viktima njerëzish nuk ishin aq të mëdha siç kanë mundur të jenë, pasojat ekonomike sigurisht se do të jenë të dukshme dhe në këtë aspekt as Kosova nuk mund të mbetet një ishull i izoluar nga të tjerët. Çjerrjet politike të metuzalemëve politikë kosovarë nuk kanë të ndalur. Është humbur qasja me realitetin dhe dëshira e egoja për pushtet janë ato që të verbërojnë edhe nga arsyeshmëria. E kam thënë edhe më parë, nuk ke nevojë që për politikanët e Kosovës t’i kërkosh deklaratat e tyre aq kundërthënëse, helmuese dhe aq shpifëse të shtrira dhe të humbura në kohë, ato mbesin konstante. E vetmja gjë e cila të nevojitet janë nervat për t’i dëgjuar intervistat e tilla.

Mbrëmë e patëm rastin që t’i dëgjonim dy nga to. Njërën nga presidenti Hashim Thaçi, ndërsa intervista tjetër nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Që të dyja ishin një performancë e deficitit të dijes dhe suficitit të arrogancës, injorancës dhe shpifjeve të niveleve më të ulëta. Në çfarë zori janë këta njerëz që i shtyn të sillen në një mënyrë aq të mjerë?

Gjatë ditëve të shkuara pata rastin që t’i shihja edhe ca intervista me Fortuna Sheremetin, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Vjosa Osmani, kryeparlamentare, Hajrulla Çeku, deputet, për t’i përmendur disa. Ishin nga ato intervista dhe ata njerëz të cilët 

ende më mbajnë besimin se gjeneratat më të reja do të jenë ato që do ta bëjnë ndryshimin dhe të cilat ta mbajnë shpresën gjallë se jo gjithçka është e humbur në atë Kosovën tonë të dashur. Që të gjithë oratorë modernë, mendime të thukëta dhe të shtjelluara rrjedhshëm, integritet personal dhe profesional, dhe assesi shtjellim i mendimeve tugjareske politike me të cilat jemi "mësuar" në njëzetvjeçarin e fundit. Intervistat e tyre të mbështetura me fakte dhe jo me frazeologji boshe e rrahagjokse. Të njëjtat fjalë do t’i shkruaja edhe për gjeneratat e reja edhe të partive të tjera politike, sikur ata të mos e kishin përqafuar servilitetin ndaj udhëheqësit të partisë, vetë partisë dhe dëshmisë së tyre se sa larg janë ata në gjendje të shkojnë për ta dëshmuar atë "besnikëri". Kjo është ajo pjesë të cilën në jetën time asnjëherë nuk do të mund ta pranoja e aq më pak ta arsyetoja si dukuri. Mirëpo zgjedhjet tona në jetë ne si të rritur i marrim vetë për veten tonë. I vetmi problem shpeshherë është se këto zgjedhje nganjëherë ndërlidhen me jetën dhe mirëqenien e qytetarit, me përgjegjësinë mbi shpenzimin e parasë dhe të mirave publike, dhe me këto raste ne si qytetarë nuk mund të mbetemi të heshtur dhe zëri ynë kritik të mos dëgjohet.

Ashtu siç natyra i ka mbrojtur gjërat e bukura me gjëra të trishta rreth saj, njëjtë edhe në Kosovë të bukurat e saj i kemi të rrethuara me gjëra të trishta dhe të shëmtuara: shtretërit e lumenjve të bukur - nga gurëthyesit, vendet pitoreske në male- nga mbeturinat e hedhura kudo, lumenjtë e bukur- të kapluar nga bërlloku i hedhur në ta, si dhe politikanë të rinj me integritet të rrethuar nga çakejtë politikë, të pangopurit epikë e me integritet personal elastik.

T’u kthehem intervistave të mbrëmshme të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Për aq sa më ka mësuar përvoja profesionale nga marrëdhëniet me publikun, gjuha trupore e presidentit shpeshherë fliste më shumë se fjalët e tij. Ai aspak nuk ishte në rehati shpirtërore. Atë e mundon një zor i madh. Pastaj fjalët dhe akuzat e niveleve më të ulëta në një vend normal do t'ia siguronin një qëndrim njëjavor në prokurori, me sasinë e akuzave të cilat ai i lansoi vetëm gjatë asaj interviste. Pak a shumë e njëjta gjë vlen edhe për Ramush Haradinajn. Sa më i fuqishëm tentimi i tyre për të njollosur Albin Kurtin dhe partinë e tij, ata aq më shumë janë duke ia kryer atij një shërbim dhe duke e rritur në sytë e popullit! Athua këshilltarët e tyre a i kanë aty që vetëm t'ua rrahin krahët "e ke kallë, shef" apo ndoshta edhe t'ua tregojnë huqet shefave të tyre pa asnjë ekuivok. Kjo e dyta pak si më vështirë e besueshme duke e njohur nivelin e pakurrizshmërisë tek ne.

Sot apo më së largu nesër, kur edhe do të skadojë koha të cilën Gjykata Kushtetuese ia ka caktuar vetes për të interpretuar kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit për mandatarin nga radha e partisë së dytë të zgjedhjeve të tetorit të kaluar, sigurisht se Kosovën e mban ende në ankthin se cili do të jetë verdikti i saj. Demokracia dhe shtetësia e brishtë kosovare gjenden para sfidës së saj më të madhe që nga shpallja e pavarësisë. A do të arrijë Gjykata Kushtetuese që të bëjë interpretimin e duhur, i cili do të ruajë rendin tonë demokratik dhe të mos e zgjedhë rrugën e një precedenti i cili pastaj në vete ngërthen shumë të panjohura në të ardhmen demokratike të Kosovës. Do ta kuptoja sikur këto saltot partiake të kishin ndodhur pas 3 vjet bashkëqeverisjeje dhe një mori dështimesh të dokumentuara dhe faktuara, mirëpo të votosh për mocion mosbesimi pas vetëm 52 ditësh qeverisjeje, dhe atë në kohë pandemie kur rrezikohej shëndeti publik, është gjë e pështirë për t’u përbirë si diçka demokratike.

Ajo më e drejta dhe idealja do të ishte që këto partitë e grumbulluara rreth mocionit, si dhe formimit të "qeverisë së re" të ktheheshin te sovrani, te shpallnin koalicionin e tyre parazgjedhor duke mos e anashkaluar këtu edhe Listën Serbe, të prezantonin programin e tyre qeverisës dhe të kërkonin votën e sovranit për atë gjë. E po qe se e bindin qytetarin, atëherë do t’ju dëshiroja që ata t’i arrinin 51% të votave për ndërtimin e një qeverie të pakontestueshme, dhe atëherë do të ishim shumë në rregull. Përrallat me 85 deputetë dhe se ata përfaqësojnë zërin e popullit shumicë kësaj radhe nuk pinë ujë, pasi qysh e ceka më lart nuk jemi duke folur për një bashkëqeverisje të dështuar dhe të dëshmuar disavjeçare, por vetëm për një qeverisje 52-ditëshe. Çfarë të presësh nga politikanë të cilët nuk e kanë respektuar as atë minimumin 100-ditësh prej xhentëlmenëve. Ndërrimi i qëndrimeve të deputetëve as 52 ditë nga formimi i Qeverisë nuk mund të thirret në "përfaqësim të popullit", njëfarë kohe 85 "deputetë" e kanë votuar edhe suprimimin e autonomisë së Kosovës më 1989. A do të thotë kjo se ata e kanë përfaqësuar zërin e popullit me atë rast? Ndoshta analogjia edhe nuk është më adekuatja, por mbetem pranë mendimit se për ndryshime drastike të programeve qeverisëse dhe partneriteteve të koalicionit, të cilat diametralisht dallojnë nga ajo se si është kërkuar vota prej sovranit në zgjedhjet të cilat nuk ishin as edhe 6 muaj më parë, medoemos se do të duhej të kthehej tek kutitë e sovranit për legjitimitet.

Këtë shkrim të Ditarit tim nuk po e shkruaj si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi që besoj se derisa të publikohet Ditari im i radhës do të publikohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i Republikës së Kosovës. Edhe aty janë ca të rinj e të reja njëjtë si Fortuna, Vjosa dhe Hajrullau, të cilët i përmenda më herët, e edhe tek këta gjykatës do të dëshiroja ta shihja integritetin e lartë personal dhe profesional të tyre, duke mos lejuar që të bëhen vegla në llogaritë politike të askujt, por vetëm në mbrojtje të rendit tonë kushtetues dhe demokratik, pavarësisht se kush dhe si i emëroi në ato pozita.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco