Pako për rimëkëmbjen e ekonomisë në pandeminë COVID-19

Pako për rimëkëmbjen e ekonomisë në pandeminë COVID-19

Nga Besnik Bislimi - 28/05/2020

PAKOJA E RIMËKËMBJES EKONOMIKE

PANDEMIA COVID-19 DHE EKONOMIA

Kriza shëndetësore dhe ekonomike nëpër të cilën po kalojnë pjesa dërrmuese e shteteve në botë përgjatë vitit 2020 është padyshim e paprecendentë si për nga natyra e shpërfaqjes së saj ashtu edhe për nga përgjigja e institucioneve publike. Njësoj e paprecedentë është edhe përmasa dhe forma e përzgjedhur për ndërhyrjen fiskale e monetare në adresim të nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve. Kriza e nxitur nga përhapja e pandemisë COVID-19 ka karakter shëndetësor, por ndikimi i saj shumëfish më përmbajtësor dhe më afatgjatë është manifestuar në aktivitetin ekonomik.
Masat parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19 në Kosovë filluan të merren para konfirmimit të rasteve të para. Më 11 mars u vendos: të mbyllen institucionet arsimore, të suspendohet trafiku ajror dhe tokësor nga vendet me rrezik, të bëhet kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga vendet e prekura nga epidemia dhe të bëhet vetizolimi i obliguar për personat që vijnë nga vendet e prekura.
Dy ditë më vonë, më 13 mars u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë dhe si rrjedhojë u vendosën në karantinë komunat e para, Klina dhe Vitia. Gjithashtu u suspendua trafiku ndërurban dhe ndërkombëtar, u mbyllën kafenetë, baret, restaurantet, qendrat tregtare, aktivitetet sportive dhe kulturore; institucionet publike reduktuan stafin në listën e personave esencial dhe ato private u urdhëruan të organizojnë punën nga shtëpia.
Më 15 mars Ministria e Shëndetësisë kërkoi shpalljen e gjendjes së emergjencës shëndetësore dhe më 18 mars u caktua Qendra e Studentëve si hapësirë karantine për personat që vijnë nga jashtë. Më 15 prill hynë në fuqi masa rigoroze të kufizimit të lëvizjes, duke filluar me 90 minuta në ditë të lejuara dhe gradualisht duke u shtuar sipas vlerësimit të situatës me pandeminë.
Falë reagimit të hershëm të institucioneve publike (kryesisht Ministria e Shëndetësisë dhe bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, por edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme) me masa kufizuese dhe falë disiplinës shembullore qytetare në respektimin e vendimeve qeveritare, Kosova ka arritur ta tejkalojë periudhën e deritanishme të ballafaqimit me pandeminë dukshëm më lehtë se vendet e tjera duke u radhitur edhe në mesin e storieve të suksesit në këtë kontekst. Deri më 25 maj 2020 u konfirmuan 1,038 raste të infektimit me COVID-19 në Kosovë, 793 të shëruar dhe 30 raste me fatalitet. Sipas këtyre statistikave, 0.057% ka qenë infektimi i popullsisë me COVID-19 në Kosovë, ndërsa rastet me vdekje janë 1.57 në 100,000 banorë.
Këto zhvillime kanë krijuar hapësirën e mjaftueshme për inicimin e hapave lehtësues dhe hapjen graduale të ekonomisë edhe atë duke filluar që nga data e 4 majit. Për këtë janë parashikuar 3 faza:
• Faza e parë nga 4 maj deri në 18 maj, duke shtuar lirinë e lëvizjes në 3 orë dhe lejuar hapjen e bizneseve si ndërtimtaria, tregtia e automjeteve, tregtia me pakicë, zyrat e konsulencës.
• Faza e dytë nga 18 maj deri më 2 qershor, duke lejuar hapjen edhe të bizneseve si floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregun e gjelbër, transportin hekurudhor, urban dhe ndërurban pjesërisht, qendrat e thirrjeve dhe gastronominë për shërbimin take-away.
• Faza e tretë që parashihet nga 2 qershori, me hapjen e gastronomisë në tërësi, shërbimeve të transportit, kinemave, teatrove dhe provimeve në arsimin e lartë.

Qeveria e Kosovës menjëherë pas fillimit të masave kufizuese ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve të inicojë draftimin e pakos për adresim të dëmeve të shkaktuara nga pandemia. Meqë në fillim të zbatimit të masave, njohuria kolektive rreth virusit Corona ka qenë kryesisht sipërfaqësore, ka qenë e pamundur të parashihet kohëzgjatja e nevojës për ndërhyrje me kufizim të aktivitetit ekonomik, dhe rrjedhimisht ka ekzistuar paqartësi e madhe rreth përmasave afatshkurtëra dhe afatgjata të ndikimit të pandemisë në ekonomi, si dhe mbi shpëndarjen e barrës së efekteve negative tek pjesëmarrësit kryesor në jetën ekonomike të vendit.
Kjo pastaj ka bërë të domosdoshëm edhe adresimin në dy faza të intervenimit fiskal në ekonomi:
1. Faza e parë e ndërhyrjes emergjente për të mundësuar përballim sa më të lehtë nga ana e bizneseve dhe qytetarëve të periudhës së aplikimit të masave kufizuese, dhe
2. Faza e dytë ku përmes politikave fiskale dhe monetare, synohet kthimi sa më i shpejtë i ekonomisë në trajektoren afatgjatë të rritjes së të ardhurës kombëtare.
Qeveria e Kosovës ka përgatitur pakon e parë (pakoja emergjente fiskale) dy javë pas fillimit të masave kufizuese, edhe atë në vlerën e 190 milionë eurove, e cila e përkthyer në terma krahasues është ekuivalent me 10% të të hyrave të përgjithshme buxhetore. Kjo pastaj nëse përfshin edhe rënien e parashikuar të të hyrave buxhetore të vendit, e rrit hendekun buxhetor deri në dyfishin e vëllimit të intervenimit.
Paralelisht me këtë dhe duke ndjekur zhvillimin e aktivitetit ekonomik, është krijuar grupi punues për dizajnimin e pakos së dytë (pakoja e rimëkëmbjes ekonomike). Pesë e grupit punues kanë qenë: zyrja e kryeministrit, ministritë relevante ekonomike, Banka Qendrore, Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive, komuniteti i biznesit dhe ekspertë të jashtëm. Nisur nga inputet e tyre është dizajnuar pakoja me ndikim të përgjithshëm në ekonomi në vlerën e 1.26 miliardë eurove, me periudhë plasimi në ekonomi prej 24 muajsh kurse me shtrirje të kostos në pesë vitet në vijim.

PAKOJA EMERGJENTE FISKALE – SYNIMET DHE REALIZIMI

Pakoja e masave emergjente e aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30.03.2020, është përgatitur si hap i parë i adresimit të problemeve ekonomike të rezultuara nga pandemia, dhe rrjedhimisht ka përfshirë veprime dhe intervenime që kanë për synim ndihmesën imediate për qytetarët tanë në ato role apo funksione që ata janë dëmtuar nga pandemia (si përfitues i skemave sociale nga shteti, konsumatorë, punëmarrës, qiramarrës apo punëdhënës). Synimi i masave të pakos emergjente nuk ka qenë dhe as ka mundur të jetë kompensimi i të gjitha efekteve negative, meqë diçka e tillë është e pamundur kur aktiviteti ekonomik në nivelin agregat shënon rënie, por orientohet drejt minimizimit të dëmeve të shkaktuara.
Pakoja emergjente fiskale, përmes 15 masave të saj dhe 190 milionë eurove të alokuara në thelb ka patur 8 objektiva parësore:
1. Mbështetja emergjente e komunitetit të biznesit në përballimin e një pjese të shpenzimeve rrjedhëse (mbulimi i një pjese të pagave për dy muaj, mbulimi i gjysmës së qerasë për dy muaj, shtyrja e kësteve të kredisë për bizneset me probleme, shtyrja e afateve për shlyerjen e obligimeve tatimore).
2. Mbështetja e komunitetit të biznesit në ruajtjen e kontigjentit të fuqisë punëtore të angazhuar.
3. Stimulimi i komunitetit të biznesit për të rritur shkallën e formalizmit të aktivitetit ekonomik, përmes dizajnimit të insentivave në favor të lajmërimit të një numri të punëmarrësve të rinj.
4. Mbështetja me likuiditet shtesë për ndërmarrjet publike që u ballafaquan me shtyrje të pagesave të obligimeve nga ana e qytetarëve për furnizim me shërbime publike.
5. Mbajtja nën kontroll e presionit për rritje të ekspozimit ndaj varfërisë, e sidomos varfërisë ekstreme për kategori të caktuara.
6. Sigurimi i fuqisë blerëse tek amvisëritë për të mundësuar përballim më të lehtë të fazës së izolimit, por edhe për të mbajtur në nivel të kënaqshëm kërkesën agregate në treg.
7. Mbështetja e komunave në përballimin e kostos së shtuar gjatë adresimit të nevojave të qytetarëve në dy muajt e aplikimit të masave kufizuese të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik.
8. Garantimi i stabilitetit afatgjatë fiskal të sektorit publik.
Pakoja emergjente fiskale nuk është implementuar ende në tërësinë e saj. Sidoqoftë deri më tani, injeksionet financiare të përfshira në këtë pako kanë arritur të depërtojnë tek:
1. 100.564 përfitues të skemave sociale, që kanë përfituar mbështetje të dyfishuar mujore për tre muaj rresht.
2. 167.768 përfitues të skemave pensionale, të cilët në baza mujore përfitojnë deri në shumën e 100 eurove. Secili prej tyre për tre muaj rresht përfiton 30 euro pension shtesë.
3. 116.770 punëmarrës që kanë përfituar kompensim të pagës në masën e 170 eurove (në pritje për përfitim janë edhe 44.000 punëmarrës tjerë).
4. 22.088 punëmarrës nga sektori publik dhe privat që kanë përfituar 300 euro shtesë për dy muaj si shpërblim për ekspozim mbiproporcional ndaj rrezikut për atakim nga virusi Corona.
5. 10.685 punëmarrës të sektorit privat (markete ushqimore, furra dhe barnatore) që kanë përfituar nga 100 euro shtesë për ekspozim mbiproporcional ndaj rrezikut për atakim nga virusi Corona (në listë për përfitim janë edhe afërsisht 8.000 punëmarrës tjerë).
6. 12.323 punëmarrës të rinj të shtuar (formalizuar) në kontingjentin e fuqisë punëtore pas fillimit të masave kufizuese.
7. 5.559 amvisëri të cilat përgjatë pandemisë kanë vërtetuar se kanë mbetur pa asnjë burim të të ardhurave, kanë përfituar nga 130 euro në muaj. Në listë për verifikim janë edhe 50.000 amvisëri tjera.
8. Nga ekzekutimi ende i papërfunduar pritet të përfitojnë edhe mijëra amvisëri, punëmarrës, përfaqësues të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, fermerë, përfaqësues të komunitetit të artistëve e rinisë, ndërmarrje publike.
Nisur nga intensiteti i ndërhyrjes dhe tërësia e synimeve që pretendohen të arrihen përmes pakos emergjente fiskale, është herët të nxirret çfarëdo konstatimi kualitativ mbi përmasat e suksesit të pakos. Kjo meqë masat e intervenimit fiskal kërkojnë kohë si për shtrirjen e ndikimit të tyre në indikatorët makroekonomik ashtu edhe në disponueshmërinë e statistikave për të njëjtët indikatorë.
Suksesi i pakos duhet të vlerësohet kryesisht duke krahasuar në kohë dhe me vendet tjera të regjionit, lëvizjen e këtyre agregatëve makroekonomik: shkalla e rënies apo rritjes së PBB, ndryshimi në nivelin e konsumit agregat, niveli i formalizimit të ekonomisë, ecuria e shkallës së varfërisë dhe varfërisë ekstreme, lëvizja e rreziqeve fiskale, raporti mes borxhit publik dhe PBB-së, lëvizja në bilancin tregtar.

PAKOJA E RIMËKËMBJES EKONOMIKE

Tani që jemi futur në proces të zbutjes dhe gradualisht eliminimit të masave kufizuese të vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë (bazuar në rekomandimet e IKSHPK), Ministria e Financave dhe Transfereve e sheh të domosdoshme fillimin e kujdesshëm edhe me fazën e dytë të adresimit të vështirësive të derivuara nga pandemia COVID-19. Kjo fazë e rimëkëmbjes ekonomike si për nga vëllimi i intervenimit, ashtu edhe për nga struktura e masave të parapara, pritet të ketë ndikim dukshëm më intensiv si në stabilizimin e aktivitetit ekonomik në vend, ashtu edhe në korrigjimin e deformimeve ekzistuese në strukturën e PBB-së së vendit.
Natyrisht se fokusi primar i pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të jetë mbështetja me kredi për secilin biznes që përgjatë periudhës së pandemisë ka hasur në rënie të aktivitetit ekonomik. Por megjithatë pakoja synon që përtej synimit primar të dizajnohen masa që mundësojnë rritje të kapaciteteve prodhuese, rritje të eksporteve e përmirësim të bilancit tregtar, rritje të punësimit dhe formalizimit, përmirësim të strukturës së PBB-së e të ngjashme.
Më konkretisht, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike është dukshëm më ambicioze në listimin e objektivave që synon të përmbush përgjatë implementimit të saj. Masat e propozuara në pakon e rimëkëmbjes në shumë raste mund të kontribuojnë në arritjen e disa objektivave njëherësh, por megjithatë të njëjtat mund të grupohen në 4 synime të agreguara:
1. Rritje e balancuar dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, që nënkupton mbështetjen e rritjes ekonomike në nivel makroekonomik, por duke u përkujdesur që e njëjta të shoqërohet edhe me përmirësim të indikatorëve kyç të mirëqenies, si për shembull, ulje të varfërisë, e sidomos asaj ekstreme:
1.1. Sigurimi i hapësirës financiare për ndërmarrjet që kanë hasur në probleme gjatë periudhës së pandemisë (kujdesi për ofertën agregate),
1.2. Sigurimi i kërkesës agregate përmes kreditimit me kushte të volitshme të amvisërive,
1.3. Fuqizimi i rolit të sistemit bankar në kreditimin e ekonomisë,
1.4. Mbushje e rezervave të shtetit për të garantuar përkujdesje të mjaftueshme në rast se kriza të ngjashme përsëriten sërish (dhe mundësojnë rritje të kërkesës për produkte vendore),
1.5. Mbështetja e përpjekjeve vendore dhe ndërkombëtare për uljen e varfërisë dhe zhdukjen e varfërisë ekstreme në Kosovë, përmes punësimit sezonal të përfituesve të skemave sociale, ofrimit të shtesave për fëmijë, dhe përmes gjetjes së aktiviteteve sporadike që mundësojnë gjenerim të të ardhurave në margjinë. pa rrezikuar përfitimet nga skemat sociale,
1.6. Mbështetja e aktiviteteve hulumtuese në institucionet publike dhe private universitare ose kërkimore,
1.7. Mbështetja e sektorit të shoqërisë civile që kanë projekte që targetojnë punën me komunitet (sidomos me grupe të margjinalizuara).

2. Përmirësim i strukturës së përbërjes së PBB përmes favorizimit të sektorëve të caktuar ekonomik, sidomos në sferën e prodhimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar të vendit:
2.1. Ndryshimi i kompozimit të ekonomisë, përmes mbështetjes mbiproporcionale të disa sektorëve më me prioritet për zgjerim të kapaciteteve prodhuese,
2.2. Ulje e varësisë nga importi i produkteve ushqimore përmes rritjes së shkallës së shfrytëzimit të tokave bujqësore,
2.3. Ulje e deficitit tregtar përmes mbështetjes së eksporteve dhe rritjes së prodhimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore në vend. Të vetëdijshëm që në fazën fillestare rritja e importit të makinerisë mund të kompensojë negativisht uljen e deficitit tregtar.

3. Punësimi dhe formalizimi i ekonomisë, me fokus parësor në fuqizimin e rolit të gruas dhe të të rinjve në ekonomi, dhe:
3.1. Rritja e formalizimit të ekonomisë përmes dizajnimit të targetuar të pakos,
3.2. Rritja e shkallës së aktivitetit të grave, rritja e punësimit të tyre dhe fuqizimi i rolit të gruas në ekonomi përmes dizajnimit specifik të pakos,
3.3. Rritja e shkallës së aktivitetit të të rinjve krahas edhe rritjes së punësimit të tyre përmes granteve për Start-up që kanë në fokus iniciativat dhe idetë kreative kryesisht nga ana e të rinjëve pa qasje në tregun financiar,
3.4. Rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në procesin e edukimit para fillor, që paralelisht me ndikimin në kualitetin e sistemit arsimor në vend, ndihmon edhe në rritjen e punësimit të grave, rritjen e formalizimit të çerdheve dhe po ashtu edhe në rritjen e shkallës së aktivitetit të grave në ekonomi,
3.5. Mbështetje agresive në uljen e hendekut mes shkathtësive të fituara në shkollim dhe kërkesave të tregut të punës (bursa 4 vjeçare për studentët e inxhenierisë, si dhe konvikt dhe ushqim falas për studentet nga zonat rurale të Kosovës).

4. Ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe minimizimin e rreziqeve fiskale të vendit:
4.1. Mbrojtja e qëndrueshmërisë fiskale të sektorit publik, përmes mbajtjes nën kontroll të rritjes së borxhit publik në vend,
4.2. Koordinimi më i mirë me komunitetin e donatorëve për të siguruar maksimumin e përfitimit të ekonomisë dhe amvisërive nga donacionet që vijnë nga jashtë.

MASAT E PËRFSHIRA NË PAKON E RIMËKËMBJES EKONOMIKE

1. Kreditimi i ekonomisë me synim rritjen e ofertës agregate. Qeveria e Kosovës do të ofroj garanci shtetërore për kreditë që bizneset private dhe qytetaret do të marrin nga bankat komerciale në vend, ku kreditë përmes FKGK do të garantohen në masën 80%, ndërsa mbulimi i normës së interesit për kreditë e garantuara do të jetë 50% e në disa raste deri në 100%. Mundësia për shfrytëzimin e kësaj skeme do të jetë 2 vite, dhe maturiteti maksimal deri në 5 vite. Shuma maksimale e portfolios kreditore që Qeveria e ka planifikuar të mbulojë përmes kësaj mase arrin në 1,1 miliardë euro, ndërsa nevoja për ndërhyrje fiskale është 300 milionë euro (195 milionë euro për garancion bankar dhe 105 milionë euro për mbulim të kostos së interesit):
a. Subvencionimi i normës së interesit për kreditë e ofruara nga masa e 1 do të jetë në masën e 50% në rastet kur norma e interesit nuk kalon ___%.
b. Për sektorët e telekomunikacionit, përpunimit të ushqimit, efiçiencës në energji, përpunimit të drurit, turizmit, dhe arsimit, qeveria merr përsipër mbulimin prej 70% të shpenzimeve të interesit, në rast se norma e interesit nuk kalon ___%.
c. Qeveria konstaton që shkalla e ulët e aktivitetit të grave në fuqinë punëtorë (më pak se 20%) dhe shkalla shumë e lartë e papunësisë në mesin e grave aktive (33%) përbën barrierën kryesore për realizimin e normave të përshpejtuara të rritjes ekonomike dhe rrjedhimisht përmirësim të kualitetit të jetës. Po ashtu qeveria konstaton që përgjatë pandemisë, barra e vështirësive mbiproporcionalisht ka goditur gjininë femërore. Andaj, masa 3.c synon fuqizimin e rolit të gruas në ekonomi, në mënyrë që gratë të avancohen në bartës të procesit të përmirësimit të standardit të jetesës në vend. Për të gjitha aplikacionet për kredi të komunitetit të biznesit që janë në pronësi të grave, qeveria merr përsipër mbulim 100% të shpenzimeve të interesit, në rastet kur norma e interesit nuk kalon mbi ___%.
d. Qeveria konstaton që ekonomia vendore dominohet nga sektori i shërbimeve dhe që rritja e punësimit nuk mund të arrihet pa zgjerim domethënës edhe të kapaciteteve në industritë prodhuese. Për të gjitha kreditë e alokuara që synojnë zgjerim të kapaciteteve ekzistuese prodhuese të bizneseve, qeveria merr përsipër mbulimin 70% të shpenzimeve të interesit, në rastet kur norma e interesit nuk kalon mbi ___%.
e. Qeveria konstaton që një pengesë domethënëse në materializimin e normave më të larta të rritjes ekonomike rezulton edhe nga struktura shumë e pafavorshme e bilancit tregtar të vendit, ku importet janë shumëfishi i vëllimit të eksporteve. Me qëllim që të ndikohet në përmirësimin e raporteve eksport-import, për të gjitha kreditë e alokuara për bizneset që synojnë dhe arrijnë rritje të vëllimit të eksporteve, qeveria merr përsipër mbulimin 70% të shpenzimeve të interesit, në rastet kur norma e interesit nuk kalon mbi ___%.
f. Qeveria konstaton se niveli më i ulët i të ardhurës kombëtare për kokë banori në Kosovë në raport si me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me ato të rajonit, i atribuohet në masë të madhe shkallës së ulët të aktivitetit të personave në moshë të punës (__%) dhe njëkohësisht shkallës së lartë të papunësisë në vend (___%). Kjo pastaj edhe e ndërlidhur me mungesën e kapaciteteve buxhetore të qeverisë për të mundësuar mbulueshmëri të kënaqshme të amvisërive me skema të mbrojtjes sociale, e ka vështirësuar dukshëm edhe përballimin e periudhës së pandemisë nga një pjesë e konsiderueshme e familjeve në vend. Andaj, për të gjithë kredimarrësit të cilët shfrytëzojnë kredinë e masës 1 për të rritur nivelin e punësimit dhe arrijnë që të mbajnë këta të punësuar shtesë për një periudhë trevjeçare, qeveria në mënyrë retroaktive do të marrë përsipër mbulimin 100% të shpenzimeve të interesit, në rastet kur norma e interesit nuk kalon mbi ___%.
g. Për sektorin e bujqësisë, kreditë e alokuara nga masa 1, përveç mbulimit të gjysmës së shpenzimeve të interesit do të mundësohet edhe një grace periudhë prej 1 viti, kurse qeveria merr përsipër komplet shpenzimet e interesit për këtë periudhë.
h. Kujdesi për stabilizimin por edhe rritjen e kreditimit në Kosovë përmes masës së parë nuk është i mjaftueshëm për të siguruar edhe gatishmërinë e komunitetit të biznesit që të njëjtën ta përkthejnë në rritje të ofertës agregate, nëse njëkohësisht nuk mbështeten edhe amvisëritë në rritjen e kërkesës. Përmes kësaj pakoje, familjet që kanë nevojë për një mbështetje fillestare të fuqisë së tyre blerëse do kenë mundësi që të marrin kredi deri në masën e dy pagave mesatare në vend. Këto kredi do të kenë një maturitet deri në 24 muaj, kurse qeveria do marrë përsipër mbulimin e 50 % të shpenzimeve të interesit në rast se kredidhënësi nuk aplikon normë interesi më të lartë se ___ %. Njëkohësisht, shteti do e mbështesë këtë instrument duke e ngritur mbulueshmërinë me garantim në FKGK deri në 80%. Maksimumi i kredive që pritet të disbursohen në 18 muajt në vijim, nuk pritet të kalojë shumën e 200 milionë eurove.
2. Qeveria konstaton se rinia e vendit përbën resursin dhe potencialin më të vlefshëm të vendit, por njëkohësisht edhe më së paku të shfrytëzuar. Kjo kategori edhe ka qenë mbiproporcionalisht e goditur nga periudha e pandemisë dhe rrjedhimisht ka nevojë për mbështetje të fuqishme të qeverisë në mënyrë që të mund të avancohet në kontribues me rëndësi në tejkalimin më të shpejtë të pasojave të pandemisë dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Për këtë arsye, qeveria vendos sa vijon:
a. Në 24 muajt në vijim do të ndahen 30 milionë euro për grante për iniciativa inovative të të rinjve (start up iniciativa) ku shuma maksimale e alokuar për një iniciativë nuk tejkalon 10.000 euro.
b. Në 24 muajt në vijim, do të ndahen 8 milionë euro për mbulim të gjysmës së kostos financiare si mbështetje për kompanitë që angazhojnë të rinjtë në praktika për një periudhë deri 12 muajshe. Kjo mbështetje mundësohet vetëm në ato raste kur angazhimi i të rinjve me punë praktike nuk përdoret për zëvendësimin e kontigjentit ekzistues të punëmarrësve, dhe shuma mujore e mbështetjes nuk mund të kalojë nivelin e 100 eurove.
3. Qeveria e Kosovës konstaton se rritja e punësimit krahas uljes së shkallës së informalitetit të ekonomisë përbëjnë hapa esencial si për avancimin e standardit të jetesës në vend, ashtu edhe për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Njëkohësisht kjo përkthehet edhe në avancim të statusit të punëmarrësve si në ekonomi ashtu edhe në shoqëri. Për të mbështetur këto dy përpjekje, që do të përkthehej pastaj në tejkalim më të shpejtë të vështirësive të shkaktuara nga periudha e masave kufizuese qeveria vendos sa vijon:
a. Për të gjitha bizneset që rrisin numrin e punëmarrësve në krahasim me gjendjen e punësimit të raportuar në muajin shkurt 2020; që pajisin këta punëtorë me kontrata për një periudhë minimale 1 vjeçare qeveria merr përsipër subvencionimin e këtyre pagave deri në 50% në (maksimum 150 euro) për një periudhë maksimale prej 6 muajsh.
b. Për të gjitha rastet kur, përveç kushteve të parapara në masën 4.a, punëdhënësi është në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, qeveria merr përsipër subvencionimine e pagës deri në 50% (maksimum 150 euro) për një periudhë maksimale 9 muajsh.
c. Për të gjitha rastet kur, përveç kushteve të parapara në masën 4.a, punëdhënësi angazhon punëmarrës me aftësi të veçanta, qeveria merr përsipër subvencionimin e pagës deri në 50% (maksimum 150 euro) për një periudhë njëvjeçare.
d. Për të gjitha rastet kur përveç kushteve të parapara në masën 4.a, punëdhënësi angazhon punëmarrës nga kategoria e përfituesve të ndihmave sociale, qeveria merr përsipër subvencionimin e pagës deri në 50% (maksimum 150 eurove) për një periudhë njëvjeçare.
Kostoja totale e masave me lart është 27 milion EUR.
e. Për të gjitha rastet kur, përveç kushteve të parapara në masën 4.a, punëdhënësi angazhon punëmarrës me statusin e nënës vetëushqyese, qeveria merr përsipër subvencionimin e pagës deri në 50% (maksimum 150 euro) për një periudhë njëvjeçare.
4. Qeveria e Kosovës konstaton se sektori i hotelierisë, restoranteve dhe kafeve, ka qenë mbiproporcionalisht i dëmtuar në periudhën e pandemisë dhe pritet që ta ketë më të vështirë rimëkëmbjen në muajt në vijim. Rrjedhimisht, Qeveria ndan 12 milionë euro për subvencionim të pagave të punëmarrësve në sektorin e HORECA-s për një periudhë prej 6 muajsh. Shuma mujore e subvencionimit do të jetë 150 euro për punëmarrës, kurse parakushtet për të përfituar nga kjo masë janë të njëjtat si në masën 4.a më lart.
5. Qeveria e Kosovës konstaton se parakusht për rritjen e punësimit në sektorin privat që do të lehtësonte tejkalimin e vështirësive të rezultuara nga masat kufizuese në përballje me pandeminë COVID-19, është edhe përmirësimi i sistemit arsimor në vend, dhe zbutja e hendekut mes shkathtësive të akumuluara në sistemin e edukimit dhe nevojave në tregun e punës. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës vendos sa vijon:
a. Në 24 muajt në vijim do të alokohen 5 milionë euro për mbështetjen e projekteve hulumtuese të institucioneve të arsimit universitar (publik dhe privat), në të gjitha rastet kur pjesë e projektit janë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
b. Në 24 muajt në vijim, do të alokohen 5 milionë euro shtesë për mbështetjen e programeve të reja studimore që adresojnë zbutjen e hendekut të shkathtësive në tregun e punës dhe orientohen drejt profesioneve kyçe për industrinë prodhuese në vend.
c. Në 24 muajt në vijim, do të alokohen 3 milionë euro për bursa shtesë për studentët të cilët orientohen për studime në fushat që adresojnë zbutjen e hendekut të shkathtësive në tregun e punës. Për studentët që zgjedhin institucionet private të akredituara në vend, shuma e mbulimit të bursës nuk mund të tejkalojë 50% e kostos së studimit.
d. Në 24 muajt në vijim, do të alokohen deri në 3 milionë euro për mbulimin e kostos së banimit dhe ushqimit për të gjitha studentet që vijnë nga zonat rurale të vendit.
e. Qeveria e Kosovës do të subvencionojë me nga 20 euro në muaj secilin fëmijë të regjistruar në institucionet parashkollore (publike dhe private) të licencuara në vend.
f. Në 24 muajt në vijim do të alokohen 2 milionë euro në formë të kuponëve që mund të shfrytëzohen nga ana e komunitetit të biznesit, ekskluzivisht për përfitim të asistencës teknike apo organizim të kurseve trajnuese për stafin.
Qeveria e Kosovës konstaton që aktivitetet e përfshira në masën e 6 të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, mund të vazhdojnë aplikimin e tyre edhe pas periudhës prej 24 muajsh, në rast se vlerësohen që kanë arritur objektivin e tyre (rritja e numrit të studentëve në programet universitare që adresojnë hendekun e shkathtësive në tregun e punës; rritjen e numrit të studenteve nga zonat rurale të vendit; rritjen e numrit të çerdheve në vend apo edhe rritjen e numrit të fëmijëve të angazhuar në institucionet parashkollore).
6. Qeveria e Kosovës e sheh me shumë brengosje problemin e varfërisë në vend (rreth 18% e qytetarëve të vendit) e sidomos incidencën e varfërisë ekstreme (rreth 5% e qytetarëve). Momentalisht nga buxheti i shtetit alokohen rreth 30 milionë euro për afërsisht 25.000 familje apo 100.000 qytetarë në kuadër të skemës së ndihmave sociale. Kjo nënkupton që në mesatare këta qytetarë përfitojnë më pak se 83 centë në ditë edhe atë vetëm nëse nuk gëzojnë asnjë të ardhur shtesë. Për të zbutur barrën e vështirësive nëpër të cilat kalon shtresa e rrezikuar e shoqërisë gjatë dhe pas periudhës së pandemisë, qeveria e Kosovës përveç masës 4.b dhe 4.c vendos sa vijon:
a. Në 24 muajt në vijim do të alokohen 10 milionë euro për mbështetjen e projekteve në komunitet që sigurojnë punësim sezonal të përfituesve të ndihmave sociale duke siguruar njëkohësisht që përfitimet nga kjo masë të mos cenojnë përfitimet e rregullta nga skema e ndihmave sociale. Do të mbështeten kryekëput aktivitete me përfitim publik por që nuk konkurrojnë me angazhimet e sektorit privat.
b. Në 24 muajt në vijim do të alokohen 6 milionë euro shtesë për mbështetjen dhe mundësimin e angazhimeve për gjenerim të ardhurat shtesë në familjet përfituese të ndihmave sociale.
c. Në 24 muajt në vijim do të alokohen 18 milionë euro në formë to kuponëve/kartelave që mund të shfrytëzohen nga ana e përfituesve të ndihmave sociale, ekskluzivisht për blerjen e produkteve ushqimore esenciale të prodhuara në Kosovë: Made in Kosova.
7. Qeveria e Kosovës e sheh segmentin e shoqërisë civile dhe angazhimet e tyre si tejet të rëndësishëm, e në veçanti ato aktivitete që drejtpërdrejt kontribuojnë në avancimin e interesave të komunitetit. Për mbështetje të OJQ-ve në projektet e tyre në komunitet, qeveria në 24 muajt në vijim alokon 3 milionë euro.
8. Qeveria e Kosovës e sheh me shumë prioritet nevojën që mbështetja e ekonomisë dhe amvisërive me pakon e rimëkëmbjes ekonomike të mbetet brenda kornizave që nuk e rrezikojnë stabilitetin afatgjatë fiskal të vendit, nuk rrisin ekspozimin ndaj rreziqeve fiskale dhe garantojnë mbajtje nën kontroll të raportit mes borxhit publik dhe produktit të brendshëm bruto. Njëkohësisht Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për nevojën e gjetjes së një balance të qëndrueshme mes obligimit për të rimëkëmbë ekonominë brenda një periudhe kohore optimale dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal në periudhë afatgjate. Kjo kërkon që krahas domosdoshmërisë që për një periudhë minimale 3 vjeçare të tejkalohet limiti i rregullës fiskale, të sigurohet mirë shpenzimi i parasë publike, veçanërisht në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve dhe shpenzimeve kapitale dhe njëkohësisht të maksimizohet mbështetja e donatorëve me grante dhe mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore.
9. Qeveria e Kosovës e nënvizon fuqishëm rëndësinë që pritet të ketë mërgata jonë në fazën e rimëkëmbjes, ngjashëm me rolin e pakontestueshëm që ajo ka marrë përsipër, sa herë që vendi ka kaluar nëpër periudha sfiduese. Qeveria konstaton që maksimizimi i kontributit të mërgatës në procesin e rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtimit të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik, tejkalon mundësitë që ofron pakoja e rimëkëmbjes dhe kërkon adresim përmes politikave paralele të qeverisë që prekin mundësitë për tërheqje si të kapitalit financiar ashtu edhe atij human të mërgatës. Si pjesë e kësaj pakoje, qeveria vendos sa vijon:
a. Qeveria merr përsipër të gjejë zgjidhjen për mbulimin e kostos së kartonit të gjelbër për vitin 2020.
b. Në 24 muajt në vijim, do të emetohen letra me vlerë në masën e 30 milionë eurove për plasim te mërgata. Këto letra me vlerë do të kenë një maturitet afatgjatë dhe do të ofrojnë kushte dukshëm më të volitshme për kursimet e mërgatës sonë. Përmes kësaj mase, mërgata do të avancohet në “bashkëpronar” të procesit të rimëkëmbjes ekonomike në vend.
c. Do të ofrohen insentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës.
10. Qeveria e Kosovës konstaton që periudha e masave kufizuese në aktivitetin ekonomik në muajt paraprak, ka dëshmuar rëndësinë që ka mbajtja në nivel të kënaqshëm të rezervave shtetërore dhe po ashtu mundësinë që duke siguruar konsolidimin e rezervave shtetërore me mallra esenciale, drejtpërdrejt të ndihmohet prodhimi vendor. Në 24 muajt në vijim, Qeveria do të ndajë deri në 20 milionë euro për mbushjen e rezervave shtetërore me ato mallra esenciale që prodhohen brenda vendit.
11. Qeveria e Kosovës që nga fillimi i mandatit të saj i ka kushtuar vëmendje të veçantë performancës së ndërmarrjeve publike. Krahas vendimeve që kanë synuar përfundimin e keqmenaxhimit të këtyre ndërmarrjeve, Qeveria e Kosovës ka mbështetur këto ndërmarrje në tejkalimin e problemeve emergjente të rezultuara përgjatë periudhës së aplikimit të masave kufizuese, duke ofruar subvencione për ndërmarrjet më të prekura. Njëkohësisht, Qeveria konstaton që avancimi i këtyre ndërmarrjeve në aset mbështetës të buxhetit publik nuk mund të arrihet përmes masave të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, edhe pse të njëjtat kualifikohen për kredi nga masa 1.a e kësaj pakoje. Megjithatë, Qeveria konstaton domosdoshmërinë e fillimit të menjëhershëm të punës për themelimin e fondit sovran si parakusht për sanimin afatgjatë të këtyre ndërmarrjeve në pronësi publike.

FINANCIMI I PAKOS EMERGJENTE DHE PAKOS PËR RIMËKËMBJË EKONOMIKE

Pandemia dhe masat e ndërmarra të qeverisë si në pakon emergjente ashtu edhe atë të rimëkëmbjes ekonomike kanë ndikuar fuqishëm në zgjerimin e hendekut mes të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve në sektorin publik, edhe atë duke ulur të hyrat buxhetore dhe rritur nevojën për shpenzime shtesë. Ky hendek është veçanërisht i lartë gjatë këtij viti, por pritet të vazhdojë edhe përgjatë viteve vijuese si rezultat i implementimit të masave të fazës së dytë. Qeveria e Kosovës synon të përdorë kryesisht katër burime të financimit të deficitit shtesë buxhetor:
1. Emetimi i letrave me vlerë shtesë në masën e 130 milionë eurove, prej të cilave 30 milionë i dedikohen investimeve të diasporës. Nga kjo shumë, 50 milionë euro tanimë janë emetuar dhe plasuar tek Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
2. Kreditimi i jashtëm me kushte të volitshme nga institucionet ndërkombëtare financiare. Kjo është lista e marrëveshjeve të kredisë që janë aprovuar në bordet e institucioneve financiare ndërkombëtare, dhe/ose organizatave ndërkombëtare, që janë në negocim, ose me negociata të përmbyllura, e që presin ratifikim në Kuvend:
a. 52 milionë euro mbështetje buxhetore nga FMN. Kjo marrëveshje është aprovuar dhe nuk ka pasur nevojë të ratifikohet në Kuvend.
b. 22 milionë euro me Bankën Botërore për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive. Kjo marrëveshje është aprovuar në Qeveri dhe është në pritje për ratifikim në Kuvend. Ky projekt është i mëparshëm por shumë i nevojshëm në këtë fazë.
c. 35 milionë euro me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Reagimin Emergjent ndaj COVID-19. Kjo marrëveshje është aprovuar në Bordin e Bankës si dhe tani është duke u negociuar për kushtet dhe detajet e projektit. Kjo marrëveshje pas nënshkrimit duhet të ratifikohet në Kuvend. Një pjesë do të jetë për shëndetësi si dhe pjesa tjetër do të mbulojë masën 6 (personelin mjekësor) dhe 7 (farmacitë).
d. 46 milionë euro me Bankën Botërore për financimin e pakos emergjente dhe sektorit të shëndetësisë. Kjo marrëveshje është negociuar dhe aprovuar në Bordin e Bankës. Për momentin është në fazën e dërgimit të kërkesës për autorizim për nënshkrim nga ana e Presidentit. Pas nënshkrimit marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend. Projekti mbulon një pjesë shëndetësinë dhe pjesa tjetër masën 1 të pakos emergjente për skema sociale dhe masën 15.
e. 100 milionë euro Asistencë Makro Fiskale nga BE. Kjo marrëveshja është aprovuar nga Bashkimi Evropian dhe tani është në fazë të negocimit. Kjo marrëveshje pas nënshkrimit duhet të ratifikohet në Kuvend.
f. 30 milionë euro kredi nga BERZH për masën 4 dhe 10.b. Kjo marrëveshje është ende duke u negociuar dhe ende nuk është aprovuar. Kjo marrëveshje do të mbulojë mbështetjen për ndërrmarrjet publike dhe ndërrmarrjet private që ofrojnë shërbime publike. Pas aprovimit e nënshkrimit, kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend.

3. Grantet e donatorëve dhe mbështetja direkte buxhetore:
a. 26.5 milionë euro riprogramim i asistencës ekzistuese IPA për ridestinim të mjeteve. Kjo marrëveshje parasheh ristrukturimin e IPA 2016 ku 26.5 milionë euro do të jenë direct budget support për të mbuluar disa nga masat e pakos emergjente. Për momentin është në fazën e negocimit.
b. 2 milionë euro Banka Botërore për shëndetësi.
c. 1 milion euro WBIF për projektin FLOËS.
d. 1 milion euro grant për subvencionim të normës së interesit nga CEB.
4. Ulja e shpenzimeve buxhetore qoftë nga menaxhimi më i mirë i parasë publike në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, qoftë nga nënekzekutimi i pritur i projekteve kapitale. Nga këto kategori pritet të ketë një nënshpenzim në masën e 160 milionë eurove.

PARAKUSHTET PËR SUKSESIN E PAKOS SË RIMËKËMBJE EKONOMIKE

Masat e parapara brenda pakos së rimëkëmbjes ekonomike janë tejet ambicioze dhe synojnë të shkojnë përtej tejkalimit të vështirësive të shkaktuara në sektorin privat nga periudha e masave kufizuese përgjatë përballjes me pandeminë COVID-19. Ato synojnë edhe mbështetjen e rritjes së PBB-së dhe ndryshimin e strukturës së tij, rritjen e punësimit, uljen e varfërisë, fuqizimin e gruas, të rinjve dhe diasporës; zbutjen e debalansit tregtar, ngritjen e prodhimit bujqësor në vend, zbutjen e hendekut të shkathtësive në tregun e punësimit. Disa nga efektet e shpresuara kanë karakter afatgjatë, rrjedhimisht edhe nevojitet një periudhë e caktuar kohore për të disponuar me informata të mjaftueshme të agregateve ekonomike që do të mundësonin vlerësimin objektiv të suksesit të pakos.
Megjithatë mund të konstatohet që në start se suksesi i pakos në masë të konsiderueshme varet edhe nga plotësimi i disa parakushteve. Këto parakushte mes tjerash përfshijnë:
1. Fuqizimi i Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK) si mekanizëm tejet me rëndësi për implementimin e masës 1, e cila përbën elementin më të fuqishëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
2. Gatishmëria dhe përkushtimi i fuqishëm i sistemit financiar në vend për të marrë rol qendror në fuqizimin e ekonomisë vendore.
3. Gatishmëria e amvisërive për të mbështetur intensivisht ekonominë vendore përmes blerjeve me prioritet të prodhimeve “Made in Kosova”.
4. Gatishmëria e rrjetit të tregtisë me pakicë që të ofrojnë hapësirë të mjaftueshme dhe të favorshme për plasimin e prodhimeve vendore.
5. Përkushtimi i sektorit publik që gjatë shpenzimit të parasë publike të riorientohet drejt ekonomisë vendore (si blerjet ashtu edhe mbajtja e trajnimeve, ekskursioneve, punëtorive e të ngjashme brenda vendit).
6. Konsensus politik për mbështetje të pakos së rimëkëmbjes dhe shoqërim të saj edhe me masa shtesë të politikave afatgjata që mbështesin rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të balancuar.
7. Fuqizimi i lidhjes mes prodhuesve vendor dhe mërgatës sonë përmes një rrjeti të shpërndarjes së produkteve “Made in Kosova” nëpër supermarketet dhe restorante në pronësi të mërgatës shqiptare.
8. Garantimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe qytetarëve, në mënyrë që bizneset kosovare të kenë qasje të papenguar në tregun e Bashkimit Evropian.

MASAT DHE POLITIKAT PUBLIKE SHOQËRUESE

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme që pakoja e rimëkëmbjes ekonomike nuk mund të adresojë të gjitha sfidat dhe barrierat me të cilat konfrontohet si sektori i ekonomisë ashtu edhe ai i amvisërive. Rrjedhimisht pakoja nuk mund të shërbejë si zëvendësim për politikat tjera të fuqizimit të ndikimit të sektorit publik në ekonomi. Qeveria konsideron se paralelisht me implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të ketë nevojë për avancim të mëtejmë të:
1. Politikave industriale dhe tregtare.
2. Ridizajnim të politikave aktive dhe pasive në tregun e punës.
3. Politikave që fuqizojnë rolin e mërgatës në zhvillimin ekonomik të vendit.
4. Politikave që tërheqin investime të huaja strategjike.
5. Krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore të Vendit.
6. Ndërhyrje në legjislacionin tatimor të vendit, por gjithnjë duke ruajtur thjeshtësinë e tij, koston e përmbushjes, transparencën dhe stabilitetin. Më konkretisht, nevojitet rishqyrtimi i TVSh-së në importe me synim që detyrimi për shlyerje të korrespondojë me momentin e inkasimit; mundësia e heqjes së TVSh për aktivitetet në fushën e edukimit dhe për disa produkte bazike të shportës së konsumit, tatimi në të ardhurat personale që mundëson rritjen e të ardhurave mujore të pa-tatuara nga momentalisht 80 euro në 300 euro.
7. Hulumtimi dhe mbështetja e alternativave që mundësojnë punë me orar të pjesshëm dhe punë nga shtëpia, si instrumente të rëndësishme për të rritur shkallën e aktivitetit të grave në ekonomi.
8. Ndërhyrja në ligjin për prokurimin publik për të eksploruar mundësitë e trajtimit me prioritet të prodhuesve vendorë të procesin e prokurimit.
9. Adresimi me prioritet i aktiviteteve që garantojnë rritje ekonomike të balancuar dhe shoqëruar me ulje të varfërisë. Këtu përfshihet nevoja e rishikimit komplet të skemave sociale dhe pseudo-sociale në vend; nevoja e futjes së shtesave për fëmijë; fillimi i implementimit të projektit për ndërtimin e banesave me kosto të përballueshme sociale.
10. Domosdoshmëria e ngritjes së stabilitetit në prodhimin bujqësor në vend përmes skemave të sigurimit të fermerëve dhe futjes së çmimeve dysheme për një grup të produkteve bazike ushqimore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco