Problemi i quajtur 'rent-a-car'

Problemi i quajtur 'rent-a-car'

Nga Veton Surroi - 30/03/2020

Një lexim semiotik i një interviste të ambasadorit Grenell

1.

Do të mbajmë mend, pas njëzet vjetësh, që njëri prej problemeve themelore të jetëve të qytetarëve të Kosovës, ditën kur në Itali brenda 24 orëve vdiqën një mijë njerëz, ishte ai i një makine rent-a-car?

 

Kjo mund të bëhet me lirinë semiotike të shkencës së leximit të shenjave, tekstuale apo jo.

Do ta marrim tekstin e intervistës së ambasadorit amerikan Grenell, botuar në një medium që për një kohë zhvilloi narracion të afërt apo njëjtë me Hashim Thaçin.

Do të konsiderojmë se intervista, edhe pa tekst fare, flet në kontekstualitet, pra është e interpretueshme dhe me domethënie të madhe. Folësi është ambasador amerikan në Gjermani, është i Dërguar i Veçantë i presidentit Trump për Negociatat e Paqes Kosovë-Serbi (titulli i tij zyrtar) dhe për momentin është edhe ushtrues i drejtorit të Shërbimeve Inteligjente të SHBA-së. Pra, në një ditë perfekte e në një botë perfekte, adresimi nëpërmjet një interviste do të fliste, pa fjalë, se do të thuhet diçka që duhet të jetë risi në qëndrimin amerikan ndaj Kosovës. Qoftë edhe duke konfirmuar se nuk ka risi.

 

Por, kjo nuk ishte ditë perfekte në një botë perfekte. Ishte ditë kur në Itali vdiqën një mijë njerëz, ishte ditë kur presidenti amerikan po humbiste sërish garën kundër COVID-19 në shumë pjesë të vendit, ndërsa kosovarët kishin përjetuar - që në kohë pandemie të përjetojnë të vetmit në botë - votë mosbesimi ndaj Qeverisë. Dhe, për më tepër, një mocion mosbesimi që nuk kishte të bënte gjë me mënyrën e menaxhimit të krizës COVID-19; në momentin kur të gjitha qeveritë e botës maten me mënyrën se si ballafaqohen me pandeminë, kjo e Kosovës mori lëvdata nga të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, por u rrëzua formalisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Gjegjësisht, të formës se si i kishin kuptuar palët e ndryshme kosovare sinjalet, me fjalë apo jo, të diplomacisë amerikane. Pra, mënyrës se si kishin aplikuar partitë politike shkencën e semiotikës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco