Aulonë Mehmeti, një nënë e cila dje tregoi publikisht gjendjen e mjerueshme në Klinikën e Peediatrisë, sot ka njoftuar se po merr presione pas dëshmive që publikoi.
Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se i është kërkuar t’i verifikoje ato që ka shkruar në status, duke i thënë të njëjtes se ato informata janë të pasakta.
"Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse", shkroi ajo mes tjerash.
Postimi i plotë:
Reagim
Pas statusit tim për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, fatkeqësisht, në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar.
Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status.
Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00).
Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse.
[Advertisement]Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy.
Nuk besoj se duhet të ndihem nën presion, brenda dhomës ku po kujdesem për fëmijën tim, vetëm sepse kam ushtruar të drejtën time për të folur publikisht për atë që kam parë dhe përjetuar.
Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim i yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu.
Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë.
© SYRI.net