Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ardhshëm duhet të zhvillohet në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitetin dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike.
Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, Kurti u pyet nëse është diskutuar mundësia e një mandati të ri për Osmanin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai nuk komentoi për emra konkretë, duke thënë se diskutimet aktualisht janë përqendruar në sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Fryma dhe germa e Kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit dhe që, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual”, tha Kurti.
Sipas tij, sfida kryesore është sigurimi i numrit të nevojshëm të deputetëve në seancën ku do të votohet presidenti, pasi kërkohen së paku 80 deputetë të pranishëm.
“Përqendrimi ynë nuk ka qenë tash për emrat e përveçëm për president, por për konceptin e përparimeve, për vizionin përpara dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet të jenë së paku dy të tretat në ditën vendimtare kur do të vihet çështja e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.
Kurti përmendi se në diskutimet e mëhershme janë përmendur edhe emra të tjerë për këtë pozitë, si Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, por theksoi se sigurimi i kuorumit dhe mbështetjes së nevojshme mbetet çështja kryesore.
Ai tha se procesi duhet të synojë një figurë presidenciale që mund të marrë mbështetje sa më të gjerë politike dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional
© SYRI.net