Sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta nga e marta, kërkojnë përgjegjësi për vonesën e pagave

Sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta nga e marta, kërkojnë përgjegjësi për vonesën e pagave

16:33, 05/06/2026

Tri sindikatat e RTK-së kanë njoftuar se do të nisin protesta nga e marta, duke filluar nga ora 12:00 para objektit të RTK-së, si reagim ndaj gjendjes së rëndë financiare dhe mosrealizimit të pagave. 

Ato kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti, duke theksuar se punëtorët nuk mund të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale dhe se vonesa e pagave po ua vështirëson përmbushjen e nevojave bazike jetësore.

Komunikata e plotë:
Tri Sindikatat, Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, kanë mbajtur sot takim urgjent, ku është diskutuar lidhur me gjendjen e rëndë financiare të krijuar në mediumin publik. Të tri sindikatat, unanimisht janë pajtuar që të fillohet me protesta nga e marta, duke filluar nga ora 12:00 para ndërtesës së RTK-së.

Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deritanishëm, të cilët kanë pasur kohë më shumë se dy javë për të zgjidhur këtë problem.

Mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe detyrimeve të përditshme familjare. Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre.

Për SPRTK, SPERTK dhe ShSRK është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij. Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës mbeten të vendosura në mbrojtje të pagave, vendeve të punës dhe dinjitetit të punëtorëve.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco