Auditimi në Presidencë/ ZKA gjen mangësi në staf, prokurim dhe auditim të brendshëm

Auditimi në Presidencë/ ZKA gjen mangësi në staf, prokurim dhe auditim të brendshëm

19:42, 05/06/2026

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Presidencën e Kosovës për vitin 2025, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare dhe duke konstatuar se shpenzimet janë realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Megjithatë, auditorët kanë evidentuar disa mangësi në menaxhimin institucional.

Sipas raportit, në 10 raste pozitat ishin mbuluar me ushtrues detyre përtej afateve të përcaktuara me ligj, ndërsa procedurat e rekrutimit të zhvilluara gjatë vitit ishin anuluar pas ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Auditimi ka gjetur po ashtu se në gjashtë raste nuk ishte përdorur moduli i e-prokurimit për menaxhimin dhe monitorimin e kontratave, duke ndikuar në transparencën dhe mbikëqyrjen e tyre.

Në gjashtë raste, Presidenca nuk kishte përdorur modulin për menaxhimin e kontratave dhe nuk kishte bërë monitorimin e performancës së kontraktorëve në sistemin e e-prokurimit.

Një tjetër vërejtje lidhet me Njësinë e Auditimit të Brendshëm, e cila kishte planifikuar katër auditime gjatë vitit 2025, por kishte realizuar vetëm dy.

Sa i përket financave, Presidenca kishte një buxhet final prej 4.87 milionë eurosh, nga të cilat janë shpenzuar 4.37 milionë euro.

Për këto çështje, ZKA ka rekomanduar plotësimin e pozitave me staf të rregullt, përdorimin e plotë të sistemit të e-prokurimit dhe forcimin e funksionit të auditimit të brendshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco