Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rishpërndarë sot opinionin e publikuar dje nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, përmes të cilit bëhet thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.
Prattipati, përmes një editoriali, i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Prattipati ka vlerësuar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, duke theksuar se afati po mbaron.
Sipas saj, Kosova mund të lidhet përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci apo me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e Gazit Natyror të Lëngshëm në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Ajo ka paralajmëruar se vonesat për marrjen e një vendimi të tillë, mund ta lënë Kosovën si të vetmen në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.
“Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan”, ka paralajmëruar Prattipati.
“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, theksohet në editorial.
© SYRI.net