Defekt në TC Kosova A, KEK ndal sonte njësinë A3 për sanim të rrjedhjeve

Defekt në TC Kosova A, KEK ndal sonte njësinë A3 për sanim të rrjedhjeve

23:30, 30/05/2026

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A do të ndalet në mënyrë të kontrolluar gjatë natës së sotme, për shkak të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës.

Sipas njoftimit, ndalimi i njësisë pritet të bëhet rreth orës 00:00 dhe është vendosur pas vlerësimeve të menaxhmentit dhe stafit profesional të termocentralit, me qëllim parandalimin e dëmtimeve më të mëdha në pajisje.

KEK bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë dhe do të nisin menjëherë identifikimin dhe sanimin e defekteve sapo të krijohen kushtet për ndërhyrje të sigurt.

Korporata ka rikujtuar se njësia A3 ishte rikthyer në operim më 2 prill 2026, pas një ndërhyrjeje të ngjashme të realizuar në fund të muajit mars, dhe se ka operuar në mënyrë stabile për rreth 58 ditë.

KEK thekson se mbetet i përkushtuar në mirëmbajtjen dhe operimin e sigurt të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, paralelisht me investimet modernizuese që po zhvillohen në Termocentralin Kosova B.


Më poshtë komunikata e plotë e KEK-ut:

“KEK ndal në mënyrë të kontrolluar njësinë A3 të TC Kosova A

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se, për shkak të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës së njësisë A3 në Termocentralin Kosova A, është vendosur që njësia t’i nënshtrohet ndalimit të kontrolluar sonte, rreth orës 00:00.

Vendimi është marrë nga menaxhmenti dhe stafi profesional i TC Kosova A pas monitorimit të vazhdueshëm të gjendjes teknike dhe vlerësimit se vazhdimi i operimit mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha në pajisje. Për këtë arsye, ndalimi do të realizohet në mënyrë të planifikuar dhe në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative.

Ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë dhe, sapo të krijohen kushtet për ndërhyrje të sigurt, do të fillojnë identifikimin dhe sanimin e rrjedhjeve me qëllim të rikthimit të njësisë në operim në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Vlen të theksohet se pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në fund të muajit mars, njësia A3 u rikthye në operim më 2 prill 2026 dhe ka operuar në mënyrë të qëndrueshme për rreth 58 ditë. Duke pasur parasysh vjetërsinë e njësisë dhe ngarkesën e vazhdueshme operative, ky rezultat përbën dëshmi të profesionalizmit dhe përkushtimit të ekipeve të operimit dhe mirëmbajtjes së KEK-ut.

 

Ndërkohë që KEK po zbaton investimet më të mëdha modernizuese në historinë e Korporatës, veçanërisht në Termocentralin Kosova B, mbetet po aq i përkushtuar në mirëmbajtjen dhe operimin e sigurt të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese në TC-A.

 

KEK do të vazhdojë të informojë opinionin publik për ecurinë e punimeve dhe rikthimin e njësisë A3 në operim.

Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS”


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco