Kandidati për deputet nga lista e LDK-së, Kreshnik Çollaku, ka reaguar pas tubimit të mbajtur në Tetovë, ku kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, shprehu mbështetje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi publik, Çollaku tha se, megjithëse LDK-ja ka afërsi historike dhe ideologjike me Partinë Demokratike të Shqipërisë, asnjëherë nuk ka pasur ndërhyrje të ndërsjella në fushatat zgjedhore të Kosovës apo Shqipërisë.
Sipas tij, edhe gjatë kohës sa Sali Berisha ishte kryeministër i Shqipërisë, bashkëpunimi është zhvilluar me çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë legjitime nga qytetarët e Kosovës, pa ndërhyrë në proceset zgjedhore.
“Ky kod fisnik etik, që mbi interesat e ngushta mban hapur korridoret e bashkëpunimit ndërshqiptar, është thyer sonte në Tetovë”, ka shkruar Çollaku.
Ai e cilësoi të papranueshme që një forcë politike që e konsideron veten të djathtë të bëjë fushatë nga Maqedonia e Veriut në mbështetje të një force të majtë në Kosovë.
Çollaku vlerësoi se një veprim i tillë nuk sjell efekt politik, por lë “një shije të hidhur” dhe përbën një ndërhyrje të panevojshme në proceset politike të një shteti tjetër.

© SYRI.net