Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nga sot të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Kosovës janë rikthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS, pasi deri më tani ishin të uzurpuara nga struktura ilegale paralele serbe.
Sipas komunikatës së ministrisë, aksioni është realizuar në koordinim me Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Ekonomisë dhe INFRAKOS, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm në forcimin e rendit institucional, shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e aseteve strategjike të Republikës së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se ky veprim do të ndikojë edhe në përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore.
Ministria thekson se segmenti hekurudhor në veri është pjesë strategjike e Koridorit X, që lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit.
Ministri Dimal Basha ka falënderuar organet e rendit dhe sigurisë për efikasitetin e treguar, si dhe Kryeshefin Jupaj, ministren Artane Rizvanolli dhe ministrin Xhelal Sveçla për bashkëpunimin në realizimin e aksionit.
© SYRI.net