Shqipëria ndodhet në një fazë kritike të rënies demografike, e cila nuk konsiderohet më thjesht një fenomen migrator, por një zbrazje masive e vendit.
E ftuar në emisionin ‘Kush Paguan’ në Syri Tv, ish ministrja e Arsimit, Nora Malaj tha se "pikiata" ka filluar prej gati një dekade dhe po përshpejtohet me ritme alarmante.
Largimet nuk përfshijnë vetëm të rinjtë, theksoi ajo, por të gjithë strukturën familjare, veçanërisht prindërit në moshë aktive për punë, duke shkaktuar pasoja të rënda zinxhir në shoqëri.
Fenomeni ka goditur më shumë arsimin, ku bankat e shkollave dhe auditorët e universiteteve po mbeten bosh, ndërsa një numër i madh institucionesh arsimore tashmë kanë kyçur dyert. Paralelisht, fshatrat shqiptare po kthehen në zona fantazmë.
Ky trend, u shpreh ish ministrja Malaj, ka krijuar një ndarje të thellë demografike: nga njëra anë ka një mbipopullim në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Korça, dhe nga ana tjetër një braktisje totale e zonave rurale.
Ka kohë që Shqipëria ka filluar këtë pikiatën, tani mund të themi që pikiata po ecën me shpejtësi dhe megjithëqë është një lajm i trishtë, duhet t'i themi ca të vërteta që na dhëmbin, që në fund të dimë se kush do t'i paguajë këto të vërteta të cilat realisht po na dhëmbin. Historia e shpopullimit ka gati, në mos gaboj, 10 vjet që ka filluar dhe jemi në fazën ku tashmë tendenca e shpopullimit nuk është më vetëm thjesht element migrator, por duket si një trend i kohës ku jo vetëm të rinjtë, por tashmë po shkëputen me familje. Familje të cilat janë në një trend të një moshe të prindërve të cilët kanë aftësi për të prodhuar të mira materiale, pra që nuk janë në moshën e pensionit, por janë në mosha aktive. Fëmijë të cilët mbushin bankat e shkollës dhe që më pas mund të mbushin dyert e universiteteve dhe pastaj punësimit. Dhe për të parë pastaj tendencën e zhvillimit të vendit, duke patur parasysh që strategjia afatgjatë e vendit është e paqartë dhe si e tillë nuk të orienton se ku do shkojmë, çfarë do bëjmë dhe si do ta realizojmë.
Kemi kohë që themi që fshatra të tëra kanë një familje, dy familje, maksimumi tre familje. Më ka bërë njëherë përshtypje... pa fëmijë, vetëm të moshuar. Kur shkuam njëherë në Tërbaç para vitesh dhe atje kishte vetëm dy familje me të moshuar, pra dy familje me nga dy të moshuar. Dhe ata kur na panë, ajo plaka e shtëpisë tha, 'sa mirë që na erdhët, se na ka marrë malli, se nuk po shohim njeri.' Dhe kuptuam që një qendër e cila realisht dikur ka qenë shumë e populluar, që ka nxjerrë figura, personalitete e papritur është kthyer në një vend ku ka vetëm dy apo katër të moshuar dhe asnjë tjetër. Por si kjo nuk është vetëm trend i shkëputur, pra nuk është fenomen i shkëputur, por kthehet në trend. Dhe duke u kthyer në trend, i cili kalon në tre nivele: niveli i parë, mbipopullimi i disa zonave siç është Tirana, Korça, Durrësi, Shkodra, të cilat krijojnë një mbipopullim; niveli i dytë... dhe niveli i tretë që lidhet me braktisjen totale të fshatit dhe me pamundësinë për prodhim, i cili më pas do përkthehet në pamundësi të investimeve në kapitalin human, pamundësi në zhvillimin e ekonomisë, në kërkimin e një kapitali njerëzor tjetër.
Dhe në një moment të caktuar, ne do kapemi në atë që unë e kam thënë, po nga studimet: që më 2030-ën dhe më 2050-ën nuk do kemi dhe profesionin mësuesish më, për të vazhduar sistemin e arsimit bazik i cili do prodhojë pastaj arsimin nëntëvjeçar, arsimin e mesëm dhe pastaj arsimin universitar. Dhe nëse i referohemi zhvillimit të tendencës së kohëve dhe atë çfarë po lexojmë me zhvillimin e inteligjencës artificiale të teknologjisë, po shkohet që shumë shpejt thuhet që deri në 2050-ën mund të mos ketë as universitete më, po të ketë një trend tjetër, që të marrin një kualifikim më të shpejtë për të dalë te tregu i punës. Pra janë një sërë dilemash me një sërë teorish, të cilat duhen parë dhe duhet kuptuar: a duhet investuar te arsimi apo me këtë GDP që jemi, jemi mirë? Se siç po dëgjoja sot, në mos gaboj e kemi diskutuar disa herë dhe jemi këtu tani. Se siç po dëgjoja sot, nga informacioni i fundit fare, që dëgjuam të paktën nga ato që kemi dëgjuar në media, që ne kapitullin nga BE të pjesës së arsimit e paskemi kaluar pozitivisht. Dhe nëse e kemi kaluar pozitivisht, tani unë nuk e di ku është pozitiviteti.
© SYRI.net