SYRI TV/ Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, falja në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

15:06, 27/05/2026

 

Mijëra besimtarë myslimanë në mbarë vendin kanë festuar këtë të mërkurë Kurban Bajramin. Namazi në Tiranë u fal në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa në qytetet e tjera në xhamitë dhe sheshet kryesore. Pas faljes së namazit, drejtuesit fetarë dhe besimtarët percollën urime dhe mesazhe paqeje.

SYRI TV

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtuan këtë të mërkurë festën e Kurban Bajramit. Miliona besimtarë po kryejnë ritet në Haxh, ndërsa të tjerë falen e festojnë në vendet e tyre. Në Tiranë besmitarët u falën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”

Drejtuesit fetarë përcollën mesazhe paqeje në këtë ditë feste. Falja e namazit dhe lutjet për këtë festë të sakrificës u drejtuan nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili uroi të gjithë besimtarët myslimanë, teksa u lut për triumf të së mirës ndaj të keqes, bashkim dhe paqe veçanërisht për vendet e luftës.

Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë përcollën urime për më shumë paqe e begati.

Kurban Bajrami është festuar edhe në qytete të tjera të vendit, ku xhamitë dhe sheshet u mbushën plot për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Ne Durrës, qindra besimtarë myslimanë festuan Kurban Bajramin. Që në orët e para të mëngjesit, ata i janë drejtuar Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, por edhe në të gjitha objektet e tjera të kultit islam në qytetin bregdetar ku kryen ritualin fetar.

Besimtarët myslimanë në Kavaje falën Namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të qytetit.

Në Fier qindra besimtarë u falën në Sheshin Qendror të qytetit.

Festa e Kurban Bajramit bëri bashkë edhe besimtarët në Lushnje, të cilët gjithashtu u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit për të falur namazin.

Në dy xhamitë e qytetit të Kukësit pjesëmarrja e besimtarëve ishte e lartë, jo vetëm në ambientet e brendshme, por edhe në ato të jashtme.

Në Elbasan, namazi i Kurban Bajramit u fal në sheshin Gensher, ku u mblodhën qindra besimtarë.

Besimtarët myslimanë në Vlorë, por edhe besimtarë me kombësi të huaj, u mblodhën në pallatin e sportit "Flamurtari" për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Edhe në Shkodër besimtarët myslimanë u mblodhën për të falur namazin e për të festuar Kurban Bajramin.

Kurban Bajrami përkujton sakrificën e profetit Ibrahim a.s, ndaj kjo festë simbolizon besimin dhe devotshmërinë ndaj Zotit, duke sjellë një atmosferë reflektimi, bashkimi dhe solidariteti ndërmjet besimtarëve. Në traditën e kësaj feste, familjet mblidhen në drekën e Kurban Bajramit, ku pjesë e tryezës është edhe mishi i kurbanit, i cili ndahet me të afërm, miq dhe familje në nevojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco