Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke votuar gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit.
Qeveria në detyrë ka ndarë 2 milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë.
Ky vendim u mor në një mbledhje elektronike të mbajtur mbrëmjen e së martës.
Mbështetja, sipas njoftimit të qeverisë në detyrë, është pjesë e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 € (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, u tha në njoftimin e Qeverisë.
Pak ditë më parë, qeveria në detyrë mori vendim për të ndarë nga 100 euro për disa kategori dhe të rrisë shtesat për lehona, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare – vendim ky që u kritikua ashpër nga partitë tjera parlamentare.
Ndërkaq sonte, qeveria ka ndau mjete buxhetore edhe për disa aktivitete e ngjarje tjera, si në vijim:
Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 8,000.00€ (tetë mijë euro), për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet me datë 21 korrik 2026 në Shangai të Kinës;
Për subjektin kërkues “Kosova Global Talent Center”, ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 70,876.79€ (shtatëdhjetë mijë e tetëqindeshtatëdhjetegjashtë euro e shtatëdhjetenëntë cent), për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, e cila do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në muajin korrik 2026;
Për Shoqatën e Kimistëve të Kosovës, ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 3,5000€ (tremijë e pesëqind euro) për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, që do të mbahet nga data 10 deri në datën 19 korrik 2026 në Tashkent të Uzbekistanit.
Aprovuar listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
© SYRI.net